Ramiz Alia: Çfarë s’kam thënë për Enverin. Berisha: Ai, më gjakësori
Unë e kam njohur Enver Hoxhën që nga koha e Luftës Nacionalçlirimtare dhe kam punuar përkrah tij deri ditën e fundit kur ai mbylli sytë. Natyrshëm ruaj edhe shumë kujtime. Më poshtë do të radhis disa prej tyre, ku pasqyrohet veçanërisht mendimi dhe veprimi i tij për Shqipërinë, për mbrojtjen e pavarësisë dhe lirisë së saj nga përpjekjet që bënin të huajt për robërimin e saj. Njohja
Herën e parë e kam njohur E.Hoxhën nga larg: Në demonstratën e madhe antifashiste të 28 tetorit 1941, kur E.Hoxha u përlesh dhe me një grusht të fortë hodhi përdhe një Kolonel të Karabinierisë fashiste italiane. Ishte dita e Marshimit mbi Romë, pra e hipjes në fuqi të Musolinit. Autoritetet fashiste, që kishin pushtuar vendin tonë, u përpoqën që të njëjtën gjë ta bënin edhe në Tiranë. Por nuk u eci. Atë ditë u ngrit populli i Tiranës në një demonstratë masive me pjesëmarrjen e rinisë shkollore dhe të punëtorëve të Tiranës. Demonstruesit përshkonin njërën pas tjetrës rrugët kryesore të qytetit. Më kujtohet mirë që ngado që kalonin demonstruesit, mbylleshin dyqanet dhe ata që punonin aty, kryesisht shegertët, bashkoheshin me ne demonstruesit. Kështu filloi dhe u zhvillua demonstrata e njohur e 28 tetorit 1941. Duket se fashistët u zunë në befasi. Vetëm në një moment të caktuar, kur grumbulluan forca të shumta, vendosën të ndërhyjnë për të shpërndarë demonstratën. Kjo ndodhi në çastin kur demonstruesit hynë në sheshin “Skënderbej”.
Pikërisht në këtë moment delikat, të gjithë ne të rinjtë pamë një njeri të madh nga trupi, i cili doli në krye të demonstruesve dhe u përlesh me policët e karabinierët fashistë. Ai, pa një pa dy, iu vërsul një Koloneli fashist që udhëhiqte goditjen kundër demonstruesve, e kapi fort në fyt atë dhe e qëlloi me një grusht të fuqishëm, sa koloneli-fashist ra përdhe. Të gjithë ne të rinjtë, pjesëmarrës në demonstratë, u mahnitëm nga veprimi i tij. Vetëm më pas unë e mësova emrin e tij: Enver Hoxha.
Takimet gjatë Luftës
Në fillim të vitit 1943, unë me vendim të Partisë u dërgova në Berat, për të punuar atje si Sekretar i Komitetit të Rinisë së atij qarku. Më pas, gjithnjë si kuadër i Rinisë, kalova në Brigadën e 7-të, si anëtar i Seksionit Politik të saj. Ndërsa në gusht të vitit 1944 u caktova anëtar i Seksionit Politik të Divizionit të II-të të Ushtrisë NÇL. Gjatë kësaj periudhe të luftës e kam takuar E.Hoxhën dy herë: Në mars të vitit 1944 në fshatin Panarit të Korçës, ku ishte organizuar një kurs për kuadrot politike të qarqeve të jugut dhe të brigadave partizane. Herën e dytë jam takuar në Helmës të Skraparit, në Kongresin e Parë të BRASH-it (Bashkimi i Rinisë Antifashiste Shqiptare). Në të dy këto takime, Komandanti i Përgjithshëm u interesua të dinte për gjendjen politike të popullit e të rinisë ngado që kishim kaluar. Ai interesohej sidomos se si i kishin kaluar njerëzit dy operacionet, atë të dimrit 1943-1944 dhe atë të qershorit 1944, që ndërmorën pushtuesit gjermanë, të ndihmuar edhe nga ballistët. Por unë dua të ndalem më shumë në takimin që kam pasur me E.Hoxhën menjëherë sapo u çlirua Shqipëria.
Pas Kongresit të BRASH-it, gusht 1944, kalova në Seksionin Politik të Divizionit II, i cili kishte kaluar në veri të vendit dhe vepronte në rrethet e Dibrës, të Mirditës e të Shkodrës. Forcat e këtij Divizioni, bashkë me partizanët e qarkut të Shkodrës, çliruan qytetin e fundit të Shqipërisë, Shkodrën, më 29 Nëntor 1944. Në ditët e para të dhjetorit 1944, nga ana e Shtabit të Korparmatës, që ishte vendosur në Shkodër, më njoftojnë se duhet të nisesha urgjent për në Tiranë. Atje duhet të paraqitesha në Komandën e Përgjithshme. “Urgjent” ishte fjala, sepse për të shkuar nga Shkodra në Tiranë në atë kohë nuk ishte fort e lehtë. Sidoqoftë pas tri ditësh u paraqita në Komandën e Përgjithshme, ku më njoftuan se një ditë më pas do të takoja personalisht E.Hoxhën.
Të nesërmen në kohën e caktuar u paraqita në zyrat e Kryeministrisë, ku do të takohesha me E.Hoxhën. U përshëndetëm, tashmë si të njohur “të vjetër”, dhe pasi më pyeti për gjendjen në Shkodër, më foli për punën e madhe që na priste lidhur me rindërtimin e vendit të shkatërruar nga lufta.
- Por, - m’u drejtua pa pritur, - ti do të vazhdosh luftën!
Dhe pa më lënë kohë as të imagjinoja se si do ta vazhdoja këtë luftë që mbaroi, shtoi:
- Kemi vendosur që të emërohesh Komisar Politik i Divizionit të V-të, i cili tani gjendet në Kosovë. Pastaj vazhdoi: Vendimi për dërgimin e dy divizioneve të Ushtrisë NÇL në Jugosllavi ka rëndësi të madhe politike. Kështu ne ndihmojmë popujt e Jugosllavisë e luftën e tyre për çlirimin kombëtar. Por nga ana tjetër, ky akt ka edhe rëndësi të madhe politike, sepse populli ynë tregon në këtë mënyrë se është konsekuent në luftën e vet antifashiste, si pjesëtar i Koalicionit të Madh Antifashist Botëror që udhëhiqet nga SHBA-BRSS dhe Anglia.
Pastaj ai u përqendrua në kujdesin që duhet të tregonte Divizioni ynë për Kosovën.
- Divizioni i V-të aktualisht gjendet në Kosovë. Atje duhet të mbani lidhje me Shtabin e Kosmetit (Kosovës e Metohisë) dhe u kushtoni kujdes marrëdhënieve me popullin, me vëllezërit tanë të një gjaku. Ju duhet t’i ndihmoni dhe t’i nxitni që ata të marrin pjesë sa më aktive në luftën kundër nazistëve gjermanë. Këtë gjë, pjesëmarrjen e tyre në luftën antifashiste, E.Hoxha e quante si kartën e garancisë së Kosovës për të fituar të drejtat që u përkasin, mbi të gjitha lirinë e pavarësinë.
- “Nuk mund t’u imponohemi serbëve, -theksoi Enveri- nëse kosovarët rrinë mënjanë dhe nuk marrin pjesë në luftë”.
Prandaj ai më porositi që partizanët e Divizionit tonë gjatë kalimit nëpër Kosovë duhet të përpiqen të tërheqin me vete sa më shumë të rinj kosovarë.
E.Hoxha vazhdimisht ka menduar për Kosovën, për të ardhmen e saj. Qysh më 1946, ai, në takimin që pati me J.B.Titon, e shtroi çështjen e Kosovës, fatin e saj, duke theksuar se tashmë kishte ardhur koha që Kosova të fitojë lirinë dhe të zgjedhë rrugën e vet të zhvillimit. Edhe Tito ishte dakord se tanimë Kosova duhet të ishte e lirë dhe të bashkohej me Shqipërinë, por “këtë gjë e pengonte Serbia, dhe kundërshtimi i saj përbënte një rrezik si për socializmin në Jugosllavi, ashtu edhe për atë në Shqipëri. Prandaj ta lëmë për më vonë”. Por “vonë” ishte baras “kurrë”.
Kujdesin për Kosovën e kam parë tek E.Hoxha gjatë gjithë kohës që kam punuar në aparatin e KQ të Partisë. Këtë e vërtetojnë dhjetëra e dhjetëra artikuj që janë shkruar në shtypin shqiptar në mbrojtje të Kosovës. Të gjithë këta artikuj janë shkruar sipas porosive që jepte Enveri, bile një pjesë e tyre para se t’i jepeshin shtypit janë lexuar prej tij dhe janë korrigjuar sipas vërejtjeve të Enverit.
E.Hoxha ndiqte ditë për ditë zhvillimet politike në Kosovë. Më kujtohet marsi i vitit 1981, kur rinia kosovare organizoi demonstratat e njohura me të cilat kërkohej që Kosova të shpallej republikë dhe të gëzonte të drejtat dhe liritë si të gjithë popujt e tjerë të ish-Federatës Jugosllave. Enveri i ndoqi me shumë kujdes e shqetësim ato ngjarje, sepse reaksioni millosheviçian mund të shpërthente me egërsi kundër të gjithë popullit të Kosovës.
Në këto kushte, E. Hoxha, pasi mori edhe mendimet e shokëve, duke përfshirë edhe atë të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, vendosi që ushtria shqiptare të vihej në gatishmëri në kufirin verior, si për të ndërhyrë e për t’i vajtur në ndihmë popullit të Kosovës nëse Millosheviçi do të fillonte masakrën kundër tij, ashtu edhe për të përballuar çdo sulm të serbëve në drejtim të kufirit tonë shtetëror.
Ndeshjet e para me sovjetikët
Në prill të vitit 1957, kam qenë dëshmitar “okular”, siç thuhet, i qëndrimit të E.Hoxhës në mbrojtje të interesave të vendit tonë nga synimet e mbrapshta të Hrushovit e shokëve të tij. Ai, pa iu dridhur zëri, i shfaqi mendimet e veta para udhëheqësve të lartë sovjetikë, duke i akuzuar për pengesat që po i sillnin zhvillimit të vendit tonë, vetëm për faktin se PPSH për disa çështje të veçanta kishte shprehur pikëpamje të kundërta me ato të sovjetikëve.
PK e BS dhe Qeveria Sovjetike, atëherë më 1957, ftuan për një vizitë dhe për bisedime zyrtare një delegacion të Partisë e të Qeverisë shqiptare. Delegacionin tonë e kryesonte E.Hoxha. Në të bënin pjesë M.Shehu, S.Koleka, G.Nushi, R.Marko, R.Alia e Ministri i Jashtëm, B.Shtylla.
Gjatë qëndrimit në Bashkimin Sovjetik, delegacioni ynë përveç Moskës vizitoi edhe Leningradin dhe Tashkentin. Në Leningrad vajti E.Hoxha. E shoqëruam atje G.Nushi dhe unë. Ndërsa pjesa tjetër e delegacionit, me Kryeministrin M.Shehu udhëtoi për në Tashkent.
Qysh të nesërmen e vizitës në Leningrad u duk qartë se bisedimet me sovjetikët nuk do të ishin të lehta. E konstatuam këtë pas një vizite që bëmë në një nga kantieret detare të Leningradit, ku E.Hoxha mbajti një fjalim, i cili u prit me shumë entuziazëm nga pjesëmarrësit, punëtorë të këtij kantieri. Midis të tjerave në fjalimin e vet E.Hoxha kritikoi revizionizmin jugosllav dhe Titon, të cilët kishin ndihmuar forcat reaksionare gjatë kundërrevolucionit në Hungari, në tetor të vitit 1956.
N.Hrushovi kërkoi bashkëpunimin e Titos pa u këshilluar aspak me pjesëtarët e Traktatit të Varshavës, megjithëse kundërrevolucioni po kërcënonte një vend anëtar të këtij Traktati. Kështu, praktikisht, kritika që Enveri bëri kundër Titos, përbënte në të njëjtën kohë edhe kritikë ndaj Hrushovit dhe vijës sovjetike të pajtimit me Titon. Sapo u kthyem në rezidencën që na ishte caktuar në Leningrad, vjen për takim F.Kozllovi, anëtar i udhëheqjes sovjetike dhe Sekretar i PK të BS për Leningradin, si dhe P.Pospjellov, Sekretar i KQ të PK të BS, që e shoqëronte delegacionin tonë.
Këta, pasi bënë elozhet për fjalimin e Enverit, thanë:
-Shoku Enver, fjalimi ishte shumë i mirë dhe ne do të donim ta botojmë të plotë. Por redaksitë e gazetave na kanë kërkuar që ta shkurtojmë pak. Prandaj kërkojmë autorizimin tuaj.
E.Hoxha iu përgjigj:
-Unë ç’kisha për të thënë e thashë. Sa do të botoni është puna juaj, por dëshiroj që të mos ndryshojë asgjë nga thelbi i tij. Megjithatë për çdo hollësi bisedoni e vendosni me sh.Ramiz.
Pas kësaj unë u takova me Pospjellovin, i cili i kishte gati pjesët që do të hiqte. Takimi ynë u bë në Pallatin e Operës, ndërsa shfaqej “Evgeni Onjegin”. Natyrisht unë nuk rashë dakord për ndonjë nga çështjet kryesore. Prandaj i thashë Pospjellovit, se për ndonjë çështje më duhet ta pyes E.Hoxhën. Hymë në lozhën ku ishte Enveri e Kosllovi dhe, në një moment të përshtatshëm i them Enverit: “Kërkesa kryesore është që të hiqen kritikat ndaj revizionizmit e Titos. Të tjerat nuk janë me rëndësi. Si të bëjmë?
M’u përgjigj:
-Të bëjnë si të duan. Për ne ka rëndësi që u bë e qartë e ardhmja e bisedimeve. Do të ketë përplasje të forta.
U ktheva tek Pospjellovi, i thashë mendimin që të veprojnë ashtu si mendojnë, Por shtova: “Mua më çudit fakti që të censurohet edhe Sekretari i Përgjithshëm i një partie motër!?”.
Të nesërmen u kthyem në Moskë. Ndërkohë arriti edhe pjesa tjetër e delegacionit nga Tashkenti.
Atë ditë sovjetikët njoftuan se bisedimet do të fillonin menjëherë pasdreke. Për delegacionin tonë, pas asaj që ndodhi në Leningrad, ku u censurua fjalimi i E.Hoxhës, ishte e qartë se bashkëbisedimi nuk do të ishte i lehtë. Prandaj u vendos që në takim të shkonin vetëm anëtarët e Byrosë Politike që bënin pjesë në delegacion. Edhe përkthyesin zyrtar nuk e morëm. Këtë punë e bëra unë.
Bisedimet u zhvilluan në Kremlin. Nga pala sovjetike merrnin pjesë Hrushovi, Bulganini, Mikojani, Suslovi, Andropovi e Pospjelovi. Nga pala jonë E.Hoxha, M.Shehu, S.Koleka, G.Nushi, R.Marko e R.Alia.
N.Hrushovi duke hapur mbledhjen, pasi përshëndeti vizitën e delegacionit shqiptar në Bashkimin Sovjetik, propozoi që i pari të fliste E.Hoxha. Dhe kështu u bë.
Enveri, pasi foli për gjendjen e brendshme në vendin tonë, paraqiti pikëpamjet e Partisë së Punës për gjendjen ndërkombëtare. Kjo pjesë e fjalës së Hoxhës shkonte në drejtim të kundërt me vijën që ndiqte PK e BS pas Kongresit 20-të. Veçanërisht ajo godiste pasojat e kësaj vije, që në mënyrë të shëmtuar ishin shfaqur veçanërisht në ngjarjet e Hungarisë në vitin 1956. Analiza që Enveri u bëri zhvillimeve politike të kohës, natyrisht nuk u pëlqeu udhëheqësve sovjetikë, veçanërisht Hrushovit.
Kjo u duk që në fillim, pasi Enveri mbaroi fjalën e tij, kur N.Hrushovi filloi të fliste. Ishte tepër nervoz dhe dukej qartë se e përmbante veten me mjaft vështirësi. U përpoq të shpjegojë politikën e vet, duke kërkuar, frazë pas fraze, nëse e kishte drejtë apo jo, nëse ishim dakord me idetë e tij apo jo. Dhe kur e pa se delegacioni ynë e ndiqte për ato që thoshte, por nuk shprehej me “po” ose “dakord” apo “ashtu është”, por vetëm dëgjonte, e humbi durimin dhe shpërtheu:
-Ju keni pikëpamje krejt të kundërta me tonat. Ju nuk jeni dakord me vijën tonë. Prandaj ne nuk kemi ç’të bisedojmë më tej!
Tha këto fjalë dhe u ul në karrigen e tij. U vendos një heshtje e rëndë. Siç duket, Hrushovi, me qëndrimin e tij arrogant e provokues, llogariti ta trembte delegacionin tonë, ta detyronte atë të rishikonte qëndrimin e vet, pra të shkonte pas vijës së Hrushovit. Por shumë shpejt ai dhe shokët e tij e panë se u gabuan keq. E.Hoxha shumë i qetë, e theu heshtjen e rëndë dhe, në mënyrë të vendosur, tha:
-Ju, shoku Hrushov, propozuat të flisnim ne të parët dhe të shprehnim pikëpamjet tona. Dhe ne thamë ato që mendonte Partia jonë. Tani e keni radhën ju të flisni e të thoni pikëpamjen tuaj. Pra, kemi ç’të bisedojmë!
Hrushovi që e pa se i ngeci sharra në gozhdë, e ndryshoi menjëherë qëndrimin. Filloi të flasë për ngjarje të ndryshme, duke kaluar nga një ekstrem në tjetrin, herë duke u përpjekur të na bindte se “në Hungari ishin bërë gabime të mëdha nga Rakoshi me shokë” (ish-udhëheqësit e mëparshëm hungarez), ose se “jugosllavët nuk ishin përzier në ngjarjet hungareze”, herë duke u sulur kundër Imre Nagit që “i kishte hapur dyert reaksionit hortist” apo kundër Titos që “është duke bërë punën e imperializmit” etj., etj.
Për të provuar se ishte i “çiltër” në ato që thoshte dhe se mosmarrëveshjet me Partinë tonë ishin një ”incident” që nuk influenconte marrëdhëniet midis dy vendeve, Hrushovi në fund përshëndeti sukseset e arritura në vendin tonë, bile vuri në dukje se është detyrë e Bashkimit Sovjetik dhe e vendeve të tjera socialiste që ta ndihmojnë më shumë Shqipërinë. Dhe u tregua “zemërgjerë”: Qeveria Sovjetike, tha, ka vendosur t’i fali Shqipërisë kreditë që kishin mbetur pa u shlyer deri në atë kohë.
Duhet thënë se as “lajkat”, as “zemërgjerësia”, që treguan udhëheqësit sovjetikë gjatë takimit, por as presionet ekonomike e politike që erdhën më pas, nuk bënë që PPSH e E.Hoxha të ndryshonin mendimin e tyre. Në fakt, kontradiktat me Hrushovin u thelluan vit pas viti, derisa në vitin 1960 plasën edhe publikisht.
Për bazën e Vlorës
Përmenda më sipër shqetësimin e Enverit për bazën e Vlorës, për rrezikun që mund të paraqiste prezenca e forcave sovjetike aty, tashmë që marrëdhëniet midis vendit tonë e sovjetikëve kishin filluar të prisheshin. Për interesat e tyre ekspansioniste, rusët mund ta përdornin Shqipërinë edhe si bazë për të sulmuar fqinjët tanë, Greqinë apo edhe Italinë. Enveri mendimin e vet për rrezikun që mund të paraqiste prezenca ruse në Vlorë, e ka shprehur edhe në librin e tij të njohur “Hrushovianët”.
Në maj të vitit 1959 ishte për një vizitë zyrtare në Shqipëri N.Hrushovi, i shoqëruar nga Ministri i Mbrojtjes së BS, Malinovski. Gjatë një vizite që u organizua për ta në Vlorë e Sarandë, sovjetikët u mahnitën, jo aq nga bukuria e bregdetit shqiptar, por më shumë nga rëndësia e pozitës strategjike që paraqiste Butrinti e Vlora për arritjen e synimeve të tyre të mbrapshta.
-”Që këtej me një flotë të fuqishme, -i thanë njëri-tjetrit- ne kemi në dorë Mesdheun ... dhe mund të bëjmë zap këdo”. Kështu i thanë njëri-tjetrit dy rusët – Hrushovi e Malinovski. Por krejt ndryshe mendonte E.Hoxha, i cili në librin e cituar shkruan:
-”Jo, N.Hrushov, kurrë s’do të lejojmë që nga toka jonë të nisi robëria dhe gjakderdhja e vendeve dhe e popujve të tjerë. Kurrë ti s’do t’i kesh të tuat për ato qëllime të zeza as Butrintin, as Vlorën, as edhe një gisht të tokës shqiptare”.
Dhe nuk kaloj shumë kohë që nga ajo vizitë, kur qeveria shqiptare do të merrte vendimin për ta përzënë flotën sovjetike e për të likuiduar bazën që kishin ata në Vlorë. Ky ka qenë një vendim i guximshëm, një vendim i drejtë që i shërbente jo vetëm mbrojtjes së lirisë e sovranitetit të popullit tonë, por edhe sigurimit të paqes në pellgun e Mesdheut e pavarësisë së fqinjëve.
Dalja nga Traktati i Varshavës
Në muajin gusht të vitit 1968, Enveri ishte për pushime në Vlorë. Edhe unë bashkë me familjen time gjendesha atje. Një ditë, sipas “ritualit” që më ishte bërë zakon, në ora 7 të mëngjesit hapa radion dhe po dëgjoja lajmet dhe pasqyrën e shtypit italian. Lajmi bombë ishte:
“Tanket sovjetike në rrugët e Pragës”!!
Pra, Bashkimi Sovjetik dhe aleatët e tij të Traktatit të Varshavës kishin përdorur forcat ushtarake për të “mbytur” lëvizjen e Dubçekut të njohur si “Pranvera e Pragës”.
Menjëherë më shkoi mendja tek Enveri. Dola nga shtëpia ku gjendesha dhe vajta tek vila ku pushonte E.Hoxha. I thashë atë që kisha dëgjuar nga radioja italiane.
Filloi të arsyetojë për atë ngjarje. Që në fillim e karakterizoi “një hap me pasoja të rrezikshme”.
-Pra, Traktati i Varshavës filloi të përdoret edhe kundër vendeve anëtare të tij?!
Dhe pa pritur asnjë mendim nga unë, vazhdoi:
-Sot sovjetikët e shfrytëzuan Traktatin e Varshavës për të goditur një shtet-anëtar të këtij Traktati, sepse qëndrimi dhe veprimet e tij nuk i pëlqyen udhëheqjes sovjetike. Po nesër a nuk mund ta bëjnë këtë gjë edhe kundër një vendi tjetër? A nuk mund ta shfrytëzojnë këtë Traktat kundër Shqipërisë? Kjo është shqetësuese dhe e rrezikshme për ne.
Enveri e thelloi më tej arsyetimin e tij: -Eshtë e vërtetë që vendi ynë nuk bën pjesë në këtë Traktat qysh nga viti 1962, kur prishëm bazën e Vlorës. Që atëherë nuk kemi marrë pjesë në asnjë mbledhje të Traktatit të Varshavës dhe nuk kemi pasur lidhje me asnjë nga strukturat e atij Traktati.
Pas këtij arsyetimi Enveri theksoi:
-Më duket se është koha kur ne duhet të veprojmë: Shqipëria edhe “de jure” duhet të këpus çdo lidhje me Traktatin e Varshavës. Ne duhet t’ua heqim edhe këtë argument sovjetikëve e kujtdo tjetër. Këtë gjë e kërkon liria e pavarësia e vendit, që përbën detyrën tonë më të shenjtë.
Natyrisht për këtë akt të rëndësishëm lypsej vendimi zyrtar i organeve kryesore të Partisë e të Shtetit shqiptar. Prandaj në fund të atij takimi më tha:
-Duhet të nisemi menjëherë për në Tiranë dhe atje të takojmë edhe shokët tjerë të udhëheqjes. Të këshillohemi edhe me ta lidhur me këtë vendim të rëndësishëm dhe të vendosim për më tej.
Kështu pas disa ditësh, Kuvendi Popullor i Shqipërisë pasi dënoi aktin e pushtimit të Çekosllovakisë, denoncoi Traktatin e Varshavës dhe deklaroi se Shqipëria, as “de facto”, as “de jure” nuk ka më asnjë lidhje e asnjë detyrim ndaj këtij Traktati. Ramiz Alia , Tiranë, Tetor 2008
Berisha në Gjirokastër: Enveri, figura më gjakësore e Evropës
Pikërisht kur opinioni publik është përfshirë në debate në prag të 100-vjetorit të lindjes së diktatorit, Enver Hoxha, kryeministri aktual shqiptar sulmon atë nga qyteti i tij, Gjirokastra. Në një vizitë të bërë së bashku me deputetin e zonës, ministrin Genc Ruli, ministrin e Transportit, Sokol Olldashi, ministrin e Kulturës, Ylli Pango, Berisha ka zhvlerësuar Hoxhën, duke ngritur lart figurat e tjera Ismail Kadare, Kapo Distrian dhe Eqerem Çabej. “Natyrisht nuk ka qytet, nuk ka familje, nuk ka komb, nuk ka vend që të ketë gjithçka të mirë. Në këtë kontekst edhe Gjirokastra ka pasur një nga figurat më gjakësore të Evropës së pasluftës, por atë po ua lëmë të tjerëve”, deklaroi Berisha. Për Kadarenë, Çabejn dhe Distrian, kryeministri kërkoi që shtëpitë e tyre të kthehen në muze. “Çdo evropian, çdo qytetar i huaj që do të vijë në Gjirokastër kërkon para së gjithash të vizitojë shtëpinë e Kadaresë. Jam i gëzuar që puna për rikonstruksion e shtëpisë së tij ka ecur. Gjirokastra i ka dhënë botës Kapo Distrian, njërin prej statistëve më të mëdhenj të kohërave, njeriu që me gjeninë e tij politike udhëhoqi dhe drejtoi për një kohë të caktuar vendin mik, por edhe njeriu që i ka dhënë Zvicrës kushtetutën. Ka një shtëpi, kryetar i bashkisë dhe mendoj që edhe ajo shtëpi duhet të nderohet dhe të kthehet në muze”, theksoi Berisha. p.n
“Mjeshtër i intrigës, bisht’ i dreqit”, botohet libri që sulmon Enverin
TIRANE- Vigjilja e 100-vjetorit të datëlindjes së Enver Hoxhës, ish-diktatorit komunist shqiptar, silurohet para kohe nga kundërshtarët e tij. I njohur për botimet me të njëjtën temë, autori Agim Musta, ka hedhur në treg librin “Mjeshtër i intrigës, bisht’ i dreqit”, që është një përmbledhje biografike e jetës së Enver Hoxhës. Libri prej 187 faqesh është hedhur në treg nga shtëpia botuese “Marin Barleti” dhe kushton 500 lekë të rinj.
Libri nis me të dhëna biografike të Enver Hoxhës që nga fëmijëria deri në vdekjen e tij. Shumica e të dhënave janë qëmtuar nga organe të ndryshme të shtypit të shkruar, por në punim janë paraqitur edhe dëshmi të ndryshme të bashkëkohësve, miqve, bashkëpunëtorëve e të tjerë, të Enver Hoxhës. Kuptohet që nga titulli që përmbajtja e librit është akuzuese, përbuzëse dhe denigruese. Më poshtë po paraqesim disa pasazhe.
“Foshnja që më vonë do të bëhej diktator lindi në ‘Sokakun e të marrëve’ më 16 shtator 1908. Dhe sokak të marrësh, të kërkoje gjithë Shqipërinë, nuk gjeje veçse në lagjen ‘Palorto’ të qytetit të Gjirokastrës së asaj kohe. Po cila është Gjirokastra ku ndodhi ky reformacion gjenetik që lindi një përbindësh?” Faqe 9.
Nëna e përbindëshit, Gjylo Çuçi, nga lagjja ‘Hazmurat’ e këtij qyteti ishte grua e zgjuar, por tepër ambicioze. Babai i tij, Halili, ishte i biri i Nexhip Hoxhës, i cili zotëronte disa toka buke në krahinën e Dropullit, prej të cilave merrte aq pak të ardhura sa me vështirësi siguronte mbijetesën e familjes. Halili bënte punë të rëndomta, ftues gjyqi, kandarxhi bashkie...” Faqe 11.
“Por denigrimin më të madh publik Enver Hoxha e pësoi në Konferencën e Paqes në Paris, në vitin 1946, kur... e mori fjalën përfaqësuesi i Greqisë në atë konferëncë, Z. Kaldaris... Pastaj z. Caldaris nxori disa kopje të denoncimeve të pronarëve të pensioneve, të bëra në rajonet e policisë së Parisit, gjatë vitit 1934-’35, për largimin e Enver Hoxhës nga pensionet e tyre, pa bërë pagesat që detyrohej...”
Faqe 14.
“Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu nuk ishin duke i ndërtuar formacionet e tyre ushtarake për të luftuar italianët dhe gjermanët, por për të marrë drejtimin e Shqipërisë për hesap të tyre, me anë të forcës...” (Peter Kemp “No Colours on Crest...) Faqe 29.
“Spiru Moisiu nuk është më pak përgjegjës se Enver Hoxha për krimet që janë kryer gjatë luftës nga P.K.SH. Kam qenë disa herë i pranishëm gjatë viteve 1943-‘44 kur Spiru Moisiu grindej dhe shahej me Enver Hoxhën me fjalët më të ndyra. Në darkë pajtoheshin, hanin së bashku dhe flinin në një dyshek...” Faqe 31.
“Sot herët në mëngjes, një turmë e madhe prej disa mijëra shqiptarësh të Kosovës, pasi u grumbulluan në mes të dy kodrave në një luginë, i pushkatuam dhe i likuiduam të gjithë.
Pasi e deshifrova telegramin, ia çova Koçi Xoxes në zyrë. Atje ishte edhe Enver Hoxha. I tronditur për së tepërmi për masakrën... nuk e përmbajta dot veten dhe shpreha urrejtje ndaj vrasësve. Enver Hoxha mu drejtua me ton brutal dhe më kërkoi të mbyllja gojën, se përndryshe më fluturonte koka”. Faqe 52.