E Shtunë, 31 Tetor 2026

Atentat me armë 35-vjeçarit para Prokurorisë së Tiranës

 

Dashamir Biçaku

Atentat me armë për motive të dobëta, plagoset armë 35-vjeçari përpara Prokurorisë së Tiranës. Leonard Qafa 35 vjeç, banues në Tiranë, ka mbetur i plagosur të shtunën në mbrëmje vonë, ndërsa policia tha se ka identifikuar autorët e dyshuar të krimit, të cilët janë shpallur në kërkim. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e të shtunës rreth orës 23:30, në rrugën "Haxhi Dalliu", ku Leonard Qafa, ka qenë duke udhëtuar me automjetin e tij, kur është qëlluar me armë zjarri nga krahu i kundërt i shoferit. I dëmtuari ka mbetur i plagosur lehtë në krah, ndërsa autorët e krimit janë larguar me shpejtësi duke përdorur një automjet të paidentifikuar. I plagosuri është nisur menjëherë në drejtim të Spitalit Ushtarak, ku edhe i është dhënë ndihma e nevojshme. Policia dhe hetues të Prokurorisë së Tiranës, mbërritën në vendin e ngjarjes dhe menjëherë kanë nisur kryerjen e veprimeve hetimore. Gjatë këqyrjes së vendit ku ndodhi atentati, ekspertët kriminalistë kanë regjistruar në vendin e ngjarjes, një gëzhojë të kalibrit 7.62 mm, që sipas tyre mendohet të jetë e një pistolete "TT". Nga hetimi i kryer, policia ka identifikuar si autor të krimit një person, i cili sipas tyre ka pasur një konflikt me të plagosurin rreth dy orë përpara se të ndodhte ngjarja. Policia ka marrë në pyetje të plagosurin në ambientet e spitalit, i cili ka pohuar se nuk ka njohur autorin e krimit, për shkak të errësirës që ishte në zonë, pasi edhe rruga nuk ishte shumë e ndriçuar. Policia më pas ka pyetur si dëshmitarë, disa persona të cilët kanë qenë rastësisht në një lokal aty pranë si dhe disa kalimtarë. Dëshmitë e dhëna prej tyre, tregojnë se i plagosuri ka pasur një konflikt për motive të dobëta me një person gjatë ditës së shtunë. Për këtë shkak, policia mësohet se ka kryer një kontroll të befasishëm në banesën e të dyshuarit për autorësinë e ngjarjes. Ai nuk është gjendur në banesë, ndërsa policia ka marrë deklarime nga pjesëtarët e familjes së tij. Pas kryerjes së këtyre veprimeve, hetuesit janë bindur mbi autorësinë e mundshme të krimit. Policia nuk ka bërë të ditur identitetin e të dyshuarit, por krerë të policisë së Tiranës kanë pohuar dje në mbrëmje se i dyshuari është shpallur në kërkim prej tyre, me akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë, duke plagosur një person si dhe atë të armëmbajtjes paleje. Sipas burimeve të policisë, i plagosuri pas mjekimit të marrë ka kaluar rrezikun për jetën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›