Pinari: Ndryshojnë rregullat për të marrë patentën

Drejtori i Shërbimit të Transportit Rrugor, Arben Pinari
Reforma për lejet e drejtimit, flet kreu i Drejtorisë së Transportit.
Kreu i Drejtorisë së Transportit, Pinari: Rihartuam testin për kursantët. Gati sistemi i lejeve të drejtimit me pikë.
Shkurtohen pyetjet, do ulim numrin e përgjigjeve gabim
Implementimi i disa ligjeve të përshtatura sipas direktivave të BE-së ka futur në fushën e transportit kërkesa të reja teknike, të cilat duhet të pasqyrohen edhe në testet e marrjes së lejes së drejtimit.
Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor, në shërbim të kësaj kërkese, por edhe të unifikimit të testeve për të aplikuar një standard për secilën autoshkollë, ndërmori së fundi rishikimin dhe përmirësimin e pyetjeve të testit për marrjen e lejes së drejtimit. Më datë 14 qershor ky test i është dorëzuar Shoqatës së Autoshkollave për konsultim dhe më datë 10 korrik kjo e fundit duhet të japë me shkrim opinionin e saj. Përgjithësisht, ndryshimi është fokusuar në aspektin teknik dhe në përshtatjen e terminologjisë së huaj me atë shqipe standarde për të shmangur konfuzionin te kursantët. Nga ana tjetër, rishikimi i testit rezultoi me reduktim të pyetjeve, ku nga 856 që ishin aktualisht, janë 745, pra 11 pyetje më pak. Nga ana tjetër, DPSHTRR është duke punuar edhe në një sërë projektesh paralele shumë të rëndësishme, të cilat në një intervistë për gazetën i sqaron në detaje kreu i saj, Arben Pinari.
Z. Pinari, Shoqata e Autoshkollave ju pati dërguar një peticion, duke parashtruar një sërë kërkesash për ndryshime. Në çfarë faze janë duke u trajtuar këto kërkesa?
Në muajin shkurt ne patëm një peticion nga ana e Shoqatës së Autoshkollave, dega Tiranë, ku ata kërkonin për disa arsye të rishikonin kuadrin ligjor të funksionimit të autoshkollave. Për hir të së vërtetës, në muajin dhjetor u bënë ndryshimet në Kodin Rrugor dhe më datë 27 dhjetor hynë në fuqi, ku ndryshimi më i rëndësishëm ishte ai i futjes së patentës me pikë, pra që çdo qytetar do të aksesojë faqen e tij përmes internetit dhe do të shohë sa është gjendja e pikëve dhe mënyrat e penalizmit për shkeljet e rregullave të qarkullimit u bënë pak më të ashpra. Shoqata e Autoshkollave bëri një peticion ku paraqiste një sërë kërkesash, si: heqja e një tarife prej 20 mijë lekësh që ishte për licencimin, të rishikohej tarifa për rishikimin e komoditetit të mjetit, pra sa i përshtatshëm është komoditeti i mjetit për tu përdorur për autoshkollë, si dhe kërkonin përmirësimin e legjislacionit të aktivitetit autoshkollë në bazë të normave të Komunitetit Europian. Këto ndryshime ishin bërë në dhjetor. Një tjetër kërkesë lidhej me përmirësimin e rregullores numër 9, që është një rregullore për përmirësimin e procedurave të regjistrimit të kursantëve, tarifat dhe mënyrën e procedurës administrative.
Çfarë u kërkua realisht për tarifat?
Tarifa e kursantëve është element i tregut të lirë dhe raportit të konkurrencës që autoshkollat kanë mes tyre. Tarifat shtetërore që detyrohet të paguajë kursanti janë të përcaktuara, ndërsa ato të autoshkollave jo. Këto të fundit tarifohen mbi bazën e aktivitetit që bëjnë, pranë organeve tatimore. Autoshkolla ka pasur vetëm një pagesë të vogël që prej vitit 2002 dhe paguan 20 mijë lekë për licencimin çdo vit. Në momentin që autoshkollat bënë këtë kërkesë, ne që më datë 15 janar përcaktuam që më datë 30 janar, në mbledhjen e Këshillit Drejtues, të kërkonim rishikimin e kësaj tarife ose heqjen e saj, si dhe përmirësimin e testeve të kursantëve. Duke u ndalur te çështja e përmirësimit të testeve, ju si drejtori tashmë e keni përfunduar këtë proces dhe e keni dërguar për konsultim në Ministrinë e Transporteve dhe te Shoqata e Autoshkollave. Pse lindi nevoja për përmirësim dhe rishikim të testit të marrjes së lejes së drejtimit?
Testimi për marrjen e lejes së drejtimit pranë nesh zhvillohet që nga muaji nëntor për të gjitha kategoritë e lejeve dhe gjithçka bëhet përmes testeve në kompjuter. Këto teste i kanë të gjithë autoshkollat të instaluara në kompjuterët e tyre dhe gjatë mësimit, natyrisht që u bëjnë kursantëve teste stimuluese për të parë ku është niveli i përgatitjes. Shoqata e Autoshkollave në kërkesën e saj parashtronte reduktimin e disa pyetjeve që kishin përsëritje nga një kategori në tjetrën. Pra, pyetjet që binin në Kategorinë B, përsëriteshin në Kategorinë C, apo edhe CE dhe DE. Pra, shkurtimi i këtyre përsëritjeve të pyetjeve ishte kërkesa e parë. Në teste gjithashtu kishte pyetje që pretendohej se nuk i përkitnin kategorisë ku po kërkohej leja e drejtimit, pra një pyetje e Kategorisë C binte edhe te Kategoria B. Duhej një ndarje sipas kategorive. Kërkesa e tretë që hasej më shumë lidhej sidomos me terminologjinë e pyetjeve. Duke qenë se janë pyetje specifikisht teknike, gjuha e përdorur duhet të jetë shqipja standarde, pasi krijohet konfuzion te kursantët. Për shembull, në autoshkollë ata hasin fjalën kambio, por te testi ynë kjo fjalë është kutia e shpejtësisë. Me të marrë kontakt me Shoqatën e Autoshkollave ne filluam të ndërtojmë procedurat e punës për ndryshimin e testit.
Produkti final që ju keni çuar për konsultim, pra testi i pyetjeve të përmirësuara, si është pritur nga grupet e interesit?
Në fakt, për këtë çështje puna kaloi në një sërë fazash. Së pari hapëm gjithë praktikën e ndjekur për hartimin e këtyre pyetjeve, që për hir të së vërtetës kishin përfunduar në vitin 2008 dhe janë botuar dhe në libra nga ana e DPSHTRR. Që nga viti 2008 këto pyetje nuk ishin rishikuar. Grupet e punës morën edhe një historik të njerëzve që kanë hartuar këto teste dhe na rezultoi që pyetjet ishin hartuar me grupe të përbashkëta nga DPSHTRR dhe Shoqata e Autoshkollave mbi bazë të udhëzimit të firmosur nga ministri i Transporteve. Rishikimi ishte i nevojshëm pasi ka kaluar kohë dhe, nga ana tjetër, po implementohen standarde dhe direktiva të BE-së, çka kërkojnë një përshtatje teknike të tyre. Ngritëm grupin tonë, njoftuam dhe Shoqatën që të bënim një takim të përbashkët, dhe më 14 qershor të këtij viti, së bashku me një relacion përmbledhës, u kemi dorëzuar përfaqësuesve kopjet e CD-ve të të gjitha testeve të rishikuara. Shkurtimi ishte nga 856 pyetje që ishin, në 745 pyetje, pra gati 111 pyetje të rishikuara. Ne, pasi ia dhamë Shoqatës këto pyetje, i kemi kërkuar që brenda datës 10 korrik ta përfundojë rishikimin e tyre në mënyrë që ne pastaj të fillojmë punën me një grup të përbashkët. Një kopje e këtij dokumentacioni i ka shkuar MPPT-së, sepse dhe aty ka drejtori teknike që mund të japë objeksionet e veta.
Pas përfundimit të të gjitha fazave, përfshirë konsultimin, çfarë hapi do të ndërmerret lidhur me testet e kursantëve që duan të marrin një leje drejtimi?
Lidhur me testin përfundimtar ne mendojmë që çdo autoshkollë do të pajiset me të kundrejt një kostoje. Ne kemi vërejtur një fenomen që shumë autosholla kanë teste të ndryshme, që i kanë bërë persona me licencë mbi bazën e atij libri që kemi ne. Natyrisht, pjesa teknike ndryshon, por kur një kursant ulet në një autoshkollë apo në një tjetër ka ndryshim dhe ne vërejmë që edhe gjatë testit një ndryshim i vogël lë shumë mbresa dhe i krijon çoroditje. Ne do të bëjmë unifikimin e testeve. Me tu miratuar jo vetëm nga ne, por edhe nga Ministria, do të vendosim një tarifë që çdo autoshkollë, me dëshirë, ta ketë këtë test.
Nga ana jonë, kostoja do të jetë minimale, por, mbi të gjitha, do të jetë shumë e sigurt që kursanti do të gjejë të njëjtin standard. Një pjesë tjetër ku ne do të punojmë në të ardhmen është edhe rregullimi i pikëzimit të studentëve. Kjo kërkon reformë. Ne jemi i vetmi ven