Koshtunica na manipuloi

Vendimi i Beogradit për të mbajtur zgjedhjet në Kosovë ishte një manipulim i serbëve atje. Ishte kjo deklarata e Rada Trajkoviç, zëvendëspresidente e Këshillit Kombëtar Serb, sipas së cilës i gjithë procesi ishte një manipulim. Ajo tha dje për radion “B92” të Beogradit, se puna e kuvendeve lokalë nuk do të ketë asnjë efekt, pasi autoritetet e Prishtinës gëzojnë mbështetjen e të gjithë komunitetit ndërkombëtar. Beogradi i mbajti zgjedhjet lokale serbe edhe në Kosovë, pavarësisht paralajmërimeve të UNMIK-ut se këto zgjedhje nuk do të kenë vlefshmëri ligjore. “Mendoj se ajo çka Koshtunica dhe blloku i tij populist kanë bërë, ishte një manipulim total i serbëve të Kosovës”, - tha Trajkoviç. Sipas saj, as vetë ish-kryeministri serb nuk beson se Serbia mund të ruajë sovranitetin në Kosovë. “Tashmë edhe ai e ka kuptuar këtë realitet”, - u shpreh Trajkoviç, sipas së cilës, e vetmja arsye pse partitë lokale serbe në Kosovë që ranë dakord të marrin pjesë në këto zgjedhje, ishte që të mos konsideroheshin si tradhtarë. “Serbët atje nuk do të kenë mekanizma institucional, që sidoqoftë do të funksionojë në dobi të bashkësisë e cila i ka zgjedhur, për shkak se janë plotësisht jolegjitimë. Nuk kanë infrastrukturë institucionale, madje nuk kemi as ndërtesë në të cilën do të vendoseshin 41 këshilltarë”, shtoi Trajkoviç. 55-vjeçarja, dikur pjesë e Partisë Radikale serbe dhe një kritike ekstremiste e ish-presidentit Sllobodan Millosheviç, të cilin e kritikonte se ishte tepër i butë me kombësitë e tjera, veçanërisht shqiptarët, i ka moderuar pikëpamjet e saj vitet e fundit, duke u shndërruar në një përfaqësuese e moderuar e serbëve në administratën ndërkombëtare për Kosovën. Trajkoviç refuzoi të votojë në zgjedhjet lokale të së dielës, duke thënë se ato janë të jashtëligjshme.
UNMIK: “Nuk i njohim fituesit”
Nuk do të ketë asnjë lloj bashkëpunimi me liderët serbë që kanë fituar në zgjedhjet lokale të Serbisë, të cilat janë mbajtur edhe në Kosovë. Ky është qëndrimi i prerë i UNMIK-ut. Zëdhënësi Aleksandër Ivanko tha se UNMIK-u i trajton si ilegale ato zgjedhje dhe nuk do të ketë kurrfarë bashkëpunimi me ata liderë serbë që kanë marrë pjesë në këtë proces zgjedhor. “Ne nuk do të bashkëpunojmë me askënd që është fitues i zgjedhjeve lokale, pasi ato ishin të jashtëligjshme dhe jo të vlefshme, kështu që ne nuk do të merremi me njerëz të tillë”, pohoi Ivanko. Sipas tij, UNMIK-u do të vazhdojë të bashkëpunojë vetëm me ata serbë që janë emëruar nga shefi i UNMIK-ut, Joakim Ryker. Ai sqaroi se këta përfaqësues të emëruar kanë mandat deri më 18 qershor. Ndërkohë që Ryker u shpreh se mund t’i emërojë përfaqësuesit e tjerë për një periudhë tjetër kohore, deri në mbajtjen e zgjedhjeve nën organizimin e UNMIK-ut. Sidoqoftë, administrata e OKB-së, tha ai, e ka vlerësuar pozitivisht faktin që pjesëmarrja e serbëve të Kosovës në zgjedhjet e Serbisë ishte rreth 50 për qind. “Shumica e serbëve të Kosovës e kanë kuptuar se nuk ia vlen të marrësh pjesë në një proces ilegal”, tha Ivanko.