Pinjollja e Vërlacëve dhe Këlcyrëve, Elizabeta Biçaku Toptani: Si na e rrëmbeu Enver Hoxha Vilën 31 në Bllok
Ngado që ta ktheje biografinë e saj, ishte me njollë, nga nëna, nga babai, gjyshërit, e kështu me radhë. Mjaft t’u përmendësh mbiemrat: Vërlaci, Biçaku, Këlcyra, Vrioni. Një nga pinjollet e këtij shartimi të “çuditshëm” tregon jetën e saj nën shënjestrën e diktaturës. Burgu i të atit, mëria gjer në vdekje e këtij të fundit për Nesti Kerenxhin, që ia shtrëngonte prangat deri në kockë.
Ndonjëherë, një fëmijëri e dyzuar mes asaj çfarë do të jesh dhe asaj çfarë duhet të jesh të bën më të fortë. Edhe pse luftërat brenda vetes ngrenë përherë kokë, të paktën nuk të lënë të dorëzohesh, as të qash dhe as të ankohesh. Dukuri që, me të drejtë, prek thuajse të gjithë pjesën e të dërrmuarve të ish-regjimit komunist.
Elisabeta Biçaku Toptani, që me përshëndetjen e parë kishte një pritje ndryshe, një buzëqeshje të madhe, fituar siç hamendet në 22 vitet e fundit, kur nuk i është dashur të mendojë se si do ta rrisë djalin e vetëm, me kë do ta lërë kur të shkojë në punë,a do mundet ta ushqejë përditë… Qysh nga fëmijëria i është dashur të qeshë, për të mos i lënë askujt të kuptojë se brenda vetes gëlltiste lotët. Edhe në situata nga më absurdet, imazhi që duhet të shihnin njerëzit tek Elisabeta, fëmijë, duhet të ishte solar, i pacenuar nga rrokopuja që po merrte familja e saj. Nëse është kështu, nëse buzëqeshja e saj vjen nga koha e sforcimeve të mëdha, atëherë diçka të mirë e ka fituar. Humbi marrëdhënien prindërore me të atin, Qemal Biçakun, ama duke buzëqeshur, ia largon nga kujtesa këtë gjë të ëmës që e ka ende gjallë, bijës së fundit të dy herë kryeministrit shqiptar, Shefqet Vërlacit, Mehtabi (ose siç edhe e thërrisnin të njohurit e saj, Majtapi). Një zonjë në moshë sa të sajën, kur sapo i ka kaluar të 90-tat, mjaftohet të paktën me këtë, për sa kohë që marrëdhëniet me Shqipërinë i ka mbyllur. Jeton prej vitesh në Itali që mezi do të dëgjojë të flitet për të, aq e rëndë ka qenë pesha e mundimit, kur nuk ishte larguar ende.
Elisabeta ka shumë për të treguar, siç është normale të ndodhë kur vjen nga familje aq të mëdha historike sa të sajat, nga të dy prindërit, por ne do të bisedojmë për degëzimet kryesore, prej nga është formuar e ndikuar e gjithë jeta e saj.
Ju keni lindur në kohëra nga më të vështirat, vitin 46, kur kishte nisur një etapë e re, aspak e mirëpritur në familjen tuaj…

Qemal Biçaku
Kur kam lindur unë ishte shuar pothuajse gjithçka. Im atë ishte në burg, gjyshja u arrestua gjithashtu, ndërsa ime më bashkë me ne fëmijët (dy motra) kishte nisur nga ecejaket sa nga njëra shtëpi në tjetrën, pasi në kohën e saj, pra me vendosjen e pushtetit enverist, njerëzit kishin frikë të na lironin apo pranonin ne hapësira banese. Mbaj mend se kemi jetuar në disa vende të pamundura, deri edhe në një haur kuajsh, apo vende të ngjashme. Por, edhe në ato vende, miq e të njohur, me frikë të madhe për familjet e fatin e tyre, kanë arritur në fshehtësi të na jepnin një dore e të na tregonin respektin e miqësinë e tyre, veçanërisht në qytetin tonë, Elbasan. Në lidhje me këtë pjesë, dua të përmend se në vendet ku ne kemi banuar, pra aty ku fati na hidhte, ka ndodhur që njerëzit të ishin edhe më të rrezikshëm se kafshët, për ne!
Këto i keni mësuar më vonë, ashtu siç keni mësuar në moshë të rritur akuzat pse nuk mundët ta njihni babain në vitet më të bukura tuajat. Cilat ishin akuzat ndaj babait tuaj?
Natyrisht që shumë vonë më ka rënë në duar aktakuza e babait që përmbante 5 motivacione. I pari ka qenë pse babai, bashkë me një grup studentësh, bënë peticion drejtuar Enver Hoxhës, ku kërkonin që Kosova të mos i jepej Jugosllavisë.
Arsyeja e dytë përmendte të qenurit apolitik. Edhe kjo duhet të kishte motivin e saj, prandaj përmendej pse ishte i tillë. Së treti, sepse ishte kundër dënimit me vdekje e pastaj sepse i kishte dërguar një urim Ismail Vërlacit dhe Alush Lleshanakut, mik i tij i arratisur dhe një nga heronjtë e rezistencës antikomuniste. E gjithë paketa me 5 fajet e dënonte me 101 vite heqje lirie, që më pas, falë amnistive, u reduktuan në 51, 30, deri sa si përfundim bëri rreth 15, sepse në vitet 60 ra intensiteti i shtypjes së regjimit.

Qemal Biçaku me të shoqen, Mehtab Vërlacin
Ai, periudhën e burgut e vuajti në vende si këneta e Maliqit, në kampin e Kavajës, në burgun e Tiranës etj… Babai na ka pasë thënë se burgu në ato kohë, në një farë mënyrë, mund edhe të konsiderohej si universitet, pasi në atë ferr dantesk ishin brenda njerëzit më të mirë e të nderuar të Shqipërisë. Ishin ajka e vërtetë e vendit tonë, të gjithë ata që kishin studiuar nëpër shkollat më të famshme të Europës, gazetarë e juristë, njerëz si priftërinjtë katolikë, bijtë e familjeve më të mira e të zëshme të atdheut tonë, një pjesë e të cilëve dhanë gjithçka edhe për pavarësinë e vendit, si edhe familjarët e bijtë e tyre. Cilat ishin krimet e mëdha të kësaj plejade njerëzish? Ata donin Shqipërinë e pavarur, ata donin zhvillimin perëndimor të saj e jo kahjen moskovite e beogradase, ata kërkonin që vendi i tyre të mos ishte pre e injorancës e kulturës tradicionale ballkanase (siç e gjejmë mbase edhe sot). Nëse do të bënim një krahasim me kohët e sotme: Çfarë kërkojnë njerëzit sot? Që ne të shohim për çdo gjë, që të marrim shembull përvojat më të mira e të provuara nga vendet perëndimore e aleate, me SHBA-të në krye. Këto gjëra donin edhe baballarët e paraardhësit tanë. Por për ata fati, pra vendimi i kompanisë enveristo/komuniste, i bëri fajtorë, ndërsa sot, këta që e drejtojnë vendin, shpesh bijtë e baballarëve të djeshëm, paraqiten si demokratë të vërtetë!! Kjo është një ironi e madhe e historisë, që të paktën uroj që shkollat e sotme të demokracisë të jenë të afta tia shpjegojnë brezave më të rinj.
Pra ju e keni takuar babain kur keni qenë 14 vjeçe?
E kam takuar edhe më parë, shkoja e vizitoja në burg, por për herë të parë jetuam bashkë në atë moshë, po.
A kishit ndjesi të çuditshme të një pjesëtari të ri në familje, dikujt që e dinit që ishte, por skishte qenë asnjëherë?

Mehtab Vërlaci me të bijën dhe nipin
Ndjesitë e çuditshme më kanë shoqëruar gjithnjë, vazhdimisht kur ai ka qenë në burg, por sidomos kur doli e kur duhet të shkoja ta prisja e vetme te dera e burgut, këtu në Tiranë. Ndjesia e parë e frikës që më shoqëronte në ato minuta, që për dreq shtoheshin sepse ai nuk po dilte, ishte se nuk e kisha parë kurrë nga aq afër, as në dritë aq të plotë. Doja të qaja, por nuk mundesha, më kishin porositur të mos e bëja, nuk duhet të tregoja dobësi. Kur më në fund erdhi, pata një lloj shoku, isha krejt bosh.