Pinoku si kundërshti
Në këndvështrimin e tij, Pinoku i famshëm është parë si një rast i humbur artistik. Një i jashtëzakonshëm i kthyer në një të zakonshëm... Nëse ai do të kishte qenë njeri i vërtetë dhe historia e tij të kishte qenë reale, me siguri që Pinoku do të kishte qenë një artist me shumë vlera, i cili do të prodhonte vepra me mjaft vlerë. E atëherë, njerëzimit do t’i shërbenin më tepër këto vepra të këtij Pinoku “shpirt i lirë”, se sa Pinoku formal, i zakonshëm, i transformuar në fund si të gjithë të tjerët. Njësoj si historia e tij, po kaq e veçantë dhe jashtë normales është edhe ajo e shkrimtarit dhe gazetarit francez, Jean Genet. Një njeri ndryshe... Nga ata të kundërshtuarit, të papranuarit, të cilët me gjithë ndryshimet rrënjësore nga të vdekshmit e zakonshëm, përcjellin mesazhe të vlefshme për shoqërinë... Për këto arsye, por edhe për të tjera, regjisori Enton Kaca sjell sot në mbrëmje në sallën e vogël të Teatrit Kombëtar në Tiranë premierën e shfaqjes “Ditari i një hajduti ose Pinoku”. Bëhet fjalë për një performancë krejtësisht ndryshe e nga sa jemi mësuar të ndjekim në teatër. Kaca ka zgjedhur (ashtu si edhe në shfaqje të mëparshme) të sjellë një performancë të ndërtuar sipas teksteve të Jean Genet dhe Carlo Collodi-t në veprat përkatëse “Ditari i një hajduti” dhe “Aventurat e Pinokut”.
“Pinoku ishte një pretekst letrar ose edhe filozofik. Jean Genet ishte një arsye për të besuar më shumë te ky pretekst e për të ndërtuar një shfaqje, e cila do të fliste për një marrëdhënie klasike në fund të fundit, apo për një koncept që e shoqëron njeriun prej mijëra vjetësh. Për lidhjen prind-fëmijë, që shoqërohet ngaherë me moralin, çfarë është sjellje e mirë e çfarë është e keqe, si dhe këndvështrimi personal mbi atë që quhet sjellje njerëzore dhe mbi atë që quhet shoqëri në ditët e sotme”, thotë regjisori Enton Kaca, ndërsa ngre disa pyetje që lidhen me shfaqjen: çfarë e përfaqëson më shumë shoqërinë tonë sot? Nga anon më tepër, nga kjo sjellja e moralit të pastër e kaq steril? Ka nevojë më tepër që të ketë njerëz interesantë dhe më të prirur drejt formave pak më rebeluese antikonformiste? A ka nevojë që njerëzit sot të jenë më tepër të sinqertë me njëri-tjetrin dhe të sillen ashtu si ata janë, apo ka nevojë që të bëjnë një lojë të rregullt e të jenë politikisht korrektë me çdo lloj ngjarje e me çdo lloj sjellje tjetër të mundshme e me çdo marrëdhënie? “Të gjitha këto ishin një shtysë e madhe dhe një stimulim i jashtëzakonshëm për të punuar mbi këto dy vepra, sepse ato flasin më së shumti për këto tema. Jemi munduar ta trajtojmë historinë në atë mënyrë, që kundërvënia ndaj rregullave të shoqërisë të jetë një qëllim i cili ndihmon për të zbuluar shtigje të reja në jetë. Dhe kështu ne mund t'i shfaqemi shoqërisë ashtu siç ne mendojmë”, shton më tej Kaca. Personazhet në skenë, të tre “Pinok”, janë aktorët Dorian Ramaliu, Rael Hoxha dhe Orion Halili, të cilët të veshur në bardha, mbajnë në kokë nga një kapele të stilit të Pinokut. Në shkrirjen e dy teksteve, ata interpretojnë secili pjesët e tyre, duke veshur herë petkun e Pinokut e herë të ndonjë personazhi tjetër të veprës së Carlo Collodi-t apo të Jean Genet. Më tej regjisori Enton Kaca tregon se shfaqja është e ndërtuar në një formë narrative, ku veprimet ilustrohen dhe tregohen. “Ndërtohen skena të cilat montohen aty për aty me veprime apo me skena të tjera. Ka një prani të jashtëzakonshme të teksteve të ndërthurura me imazhin e me tingujt. Ka një ndërtim skenik, i cili nuk është i bazuar te drama klasike. Teksti është ndërtuar edhe si tregim, edhe si dialog, edhe si poezi, por edhe si filozofi. Kjo do të thotë që brenda këtij teksti ka edhe shumë elementë të tjerë”, përfundon ai. “Ditri një hajduti ose Pinoku” do të shfaqet në Teatrin Kombëtar në datat 25, 26 dhe 27 qershor, me mbështetjen e kompanisë “DigitAlb”.
#