E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetuesi rrëfen vrasjen e parë të merimangës

Vrasësja seriale “Trupin ia copëtoi me sëpatë dhe gjysmën ia dogji në sobë, ndërsa gjysmën jashtë shtëpisë”

Zbulohen detaje të reja për historinë e vrasëses seriale, Evangjeli Zhanga. Një ish-punonjës i hetuesisë në vitet ‘80, kujton skenat tronditëse të krimit të parë të “gruas merimangë”, atë të vrasjes së bashkëshortit të saj drenovar në vitin 1982. Për shkak të detyrës që mbante në atë kohë, ai ka marrë pjesë në ekipin që hetoi vrasjen e Vasil Shëngjergjit, bashkëshortit të Evangjeli Zhangës. Ai ka njohur edhe burrin e parë të saj, Thoma Kumbulin nga Delvina dhe rrethanat e ndarjes, pas lindjes së dy fëmijëve.

Martesa me drenovarin

Rrëfimi i tij ndalet në krimin më monstruoz që ajo ka kryer në qytetin e Korçës. Personi që thirrej me nofkën “Katani” në Korçën e viteve 1980, banon sot në Sarandë. Ai u tregua i gatshëm të rrëfejë për “Shqip” ngjarjen e rrallë, me marrëveshjen që të mos i përmendet emri i vërtetë. Hetuesi kujton saktësisht se në fshatin Zvirinë, Evangjelia kishte të martuar motrën e saj më të vogël dhe pas ndarjes nga delvinjoti, i përgjigjet krushqisë së “pleksur” nga e motra me kushëririn e parë të burrit të saj. Ai kishte tentuar të arratisej jashtë vendit bashkë me një grup të rinjsh para kësaj martese dhe ishte dënuar për këtë. Dy vjet pas kësaj martese, e motra divorcohet dhe shkon të banojë në një shtëpi me Evangjelinë dhe Vasilin, me të cilin kishte lindur një fëmijë. Por ardhja e motrës së saj u shoqërua me kontradikta. Madje tensionet arritën deri aty, sa gruaja bujtëse në familjen Shëngjergji, që banonte afër me godinën e ish-degës së brendshme, i thotë në konfidencë të kunatit “ruhu nga Evangjelia, se do të të fusë prapë në burg”, pasi kish mësuar se po bëhej gati të provonte të arratisej edhe një herë tjetër. Ndërkaq, Evangjelia, tregon më tej hetuesi, kishte nuhatur se e motra dhe bashkëshorti e ruanin dhe druheshin prej saj. Atëherë, asaj i shkrep mendimi se duhet të eliminoheshin të dy. Dhe këtu nis skenari monstruoz i saj.

Skenari i vrasjes

Hetuesi kujton saktësisht se ka qenë 23 janari i vitit 1982 kur Evangjelia doli nga shtëpia e saj me mendimin se do të shkonte në polici të denonconte burrin e saj, Vasilin, për përgatitjen e arratisjes së dytë. Por kur kuptoi se e motra dhe Vasili po e ndiqnin nga pas, në çast vendos të kthehet me lezet, duke huajtur diçka te fqinja e vet.

Pas kësaj skene, ajo vendos që t’i vrasë të dy, duke nisur të vërë në zbatim skenarin e krimit të dyfishtë. Siç ka rrëfyer vetë pas arrestimit, rreth orës 21:00 të datës 23 janar, e motra del nga njëra dhomë e banesës për t’u futur në tjetrën, ku do të flinte me vajzën e Evangjelisë, Lilianën e vogël, dhe u shtri për gjumë. Eva priti sa e zuri gjumi Vasilin, dhe me një sëpatë e vrau. Më pas doli nga dhoma e krimit dhe shkoi te dera e dhomës ku flinte e motra, Fotinia. Me thikë preu litarin me të cilin mbyllej porta nga brenda dhe u fut në dhomë, por krimin e dytë e la për një herë tjetër, pasi nuk donte të tronditej edhe e bija, që flinte bashkë me tezen.

Pas krimit nisi punën për fshehjen e çdo gjurme të tij. Me këtë skenar të thurur si në një film horror, Evangjelia do të bëhej “unikale” dhe do të hynte në librin e kriminalistikës botërore.

Vrasja

Evangjelia u kthye në dhomën e saj, ndezi sobën dhe filloi të presë copa-copa me sëpatë trupin e të shoqit, që e kishte lënë mbi krevatin bashkëshortor. Pjesët nisi t’i hedhë për t’i djegur një e nga një në sobë, por era e rëndë e mishit të djegur, bashkuar me tronditjen psikologjike, bënë që t’i binte të fikët. Kur u përmend, pjesët e mbetura pa djegur të trupit të burrit i futi në një thes dhe pas mesnate i çoi rreth 50 metra larg banesës, në kodrën pas shkollës “Stavri Themeli”. E lëshoi thesin aty, u kthye në banesë dhe mori një tjetër thes, të mbushur me lecka, si dhe një bidon vajguri. Në vendin ku kishte lënë thesin e parë, zbrazi edhe të dytin, i spërkati copat e mishit dhe leckat me vajguri dhe u vuri flakën. Por fshehja e krimit nuk mbaron me kaq, pasi gjurmët brenda shtëpisë ishin të paasgjësuara. Evangjelia u kthye në shtëpi, hoqi dyshekun dopjo të mbuluar në gjak dhe bashkë me sëpatën i fshehu poshtë stivës me dru në oborrin e shtëpisë. Pas kësaj hodhi në një kazan me ujë çarçafët e përgjakur, për t’i larë. Pas një nate krimi, me të zbardhur mëngjesi e dërgoi të motrën në fshatin Dëshnicë, rreth 3 km larg qytetit të Korçës, për të marrë pluhur larës për rrobat. “Bashkë me çarçafët e bardhë, vura padashje edhe një bluzë të kuqe, prandaj shko na merr nga ai pluhuri larës”, i thotë motrës. Ndërkohë që Fotinia iku në Dëshnicë, Evangjelia vazhdoi të pastrojë gjurmët e krimit, madje vuri edhe dy dyshekë tekë në vend të dyshekut dopjo të krevatit bashkëshortor.

“Iu desh vetëm një orë kohë që të mendonte se nuk kish burrë nëne të merrte vesh çfarë kishte punuar me burrin e dërguar në ‘botën tjetër’, madje përmes zjarrit në sobë dhe në natyrë. E shkundi veten edhe psikologjikisht dhe e përgatiti trurin dhe fjalën për t’ua hedhur edhe atyre të degës së brendshme”, tregon ish-hetuesi. Në minutat e para të ditës së re të punës, pak pas orës 07:00 të datës 23 janar të vitit 1982, u paraqit tek oficeri i rojës në Degën e Brendshme të Korçës dhe deklaroi: “Mbrëmë, rreth orës 21:00, erdhën në shtëpi dy burra të panjohur dhe ma thirrën burrin për në punë (Vasili punonte atëherë në një repart të thurjes me zhukë e kashtë). Vajta tani në mëngjes për t’i çuar mëngjesin, më thanë se nuk është. Dëgjova rastësisht se është gjetur një njeri i djegur dhe kam frikë se mos është burri im”.

Ndërkohë, në Degën e Brendshme të asaj kohe, Evangjelisë i kërkuan të lërë edhe karakteristikat fiziologjike dhe shenjat e veçanta të burrit dhe ajo nuk la pa përmendur se Vasili i kishte një mbi një dy dhëmbët e parë. Ngjarja e djegies së një kufome ishte e vërtetë dhe për këtë kishte shkuar në vend grupi hetimor. Konstatimi i parë ishte se ishin djegur pjesë trupi të një njeriu të paidentifikuar. Nga kafka u shkua te dhëmbët dhe e konsultuar me kartelën dentare, u sqarua se trupi i gjetur i përkiste Vasilit, burrit të gruas që kishte bërë deponimin. U thellua hetimi dhe pas 14 orësh u vendos të bëhej kontrolli në shtëpinë e Evangjelisë. U duk se vetëm atje nuk ishte e mundur të kishte ndodhur gjë e keqe.

Zbulimi

Një detaj në dukje i parëndësishëm, do shërbente si filli i arritjes tek e vërteta. Njërit prej ekspertëve i shkoi në mend që të ngrinte dyshekët dhe të dyshojë në ndërrimin e tyre. Duke qenë se në anën e poshtme të tyre dyshekët tekë nuk kishin gjurmë të telave të sustës, u mendua se në ata dyshekë nuk kish fjetur njeri. Pas kësaj, çdo gjë u përmbys dhe nuk kishte më asnjë dyshim se vrasja kishte ndodhur në mjedisin familjar. Edhe pas kësaj, Evangjelia rezistonte. U desh të lëvizej edhe turra e druve në oborr, që ajo të dorëzohej, pasi nën të u gjet sëpata dhe dysheku me gjak. Pas kësaj, Evangjelia u çua në këmbë dhe tha: “Po, unë e vrava Vasilin, donte të arratisej e të më linte të vetëm”.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›