E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pipero: Me largimin e ujit mund të ketë rrezik epidemish

Drejtori i Politikave Shëndetësore në MSH, Pipero, theksoi se kanë dhënë të gjitha rekomandimet për të shmangur ndonjë epidemi


Situata pas përmbytjeve duket se do të jetë më problematike në zonat në veri të vendit. Përzierja e ujërave të bardha me ato të zeza, si në fshat nga gropat septike, apo edhe në qytet ku u bllokuan të gjithë kolektorët mund të jenë burim epidemie në këto zona.


Gjithashtu, edhe kafshët e ngordhura, të cilat priten të dalin mbi sipërfaqen e ujërave mund të sjellin probleme. Pikërisht, për të mbajtur nën kontroll këtë situatë, specialistët e shëndetit publik po punojnë në mënyrë që të shmanget ndonjë epidemi e mundshme. Kështu u shpreh drejtori i Politikave Shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero, i cili pohon për gazetën se për momentin nuk ka ndonjë rrezik epidemie.


"Në këto momente që po flas nga zonat e përmbytura në Shkodër dhe, në fakt, për momentin nuk mund të themi se ka ndonjë rrezik për epidemi. Ky rrezik mund të jetë kur të tërhiqen plotësisht ujërat dhe mbi sipërfaqe të mbeten mbeturina, apo kafshë të ngordhura, por duhet të dini se edhe atë fazë po përpiqemi që ta evitojmë", - thekson Pipero.


Ndërkohë, ai pohon se luftën më të madhe e kanë pasur për të mbajtur nën monitorim dhe kontroll ujin e pijshëm, në mënyrë që të mos ketë përzierje me ujërat e zeza. Specialistët thonë se do të përpiqen që të parandalojnë epideminë, e cila, pasi të largohet uji, ka terren të përshtatshëm.


Ata kërkojnë të dezinfektohen, në mënyrë të vazhdueshme pusetat e ujërave të zeza në lagjet që u përmbyten brenda në qytetin e Shkodrës, duke vendosur thasë me lëndë dezinfektuese mbi to. Po kështu, rekomandohet pastrimi dhe lirimin e pusetave të ujërave zeza dhe gropave septike, me qëllim rritjen e kapaciteteve thithëse.


"Në planin e masave janë përfshirë edhe këshilla për banorët për të respektuar mirë rregullat higjieno-sanitare. Para dyerve të shtëpive kërkohet vendosja e fshirëseve me dezinfektantë për këpucët, në mënyrë që bakteret e ndryshme të mos depërtojnë brenda në banesë", - pohojnë specialistët.


 

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›