E Shtunë, 31 Tetor 2026

Piratët e Somalisë kapin një anije tjetër


Piratët në Gjirin e Adenit kanë marrë peng një anije me flamur italian dhe me ekuipazh italian ndërkohë që një kapiten amerikan vazhdon të mbahet peng nga piratë të tjerë.

Një grup rajonal detar tha se një anije me pronësi amerikane që mban flamurin italian u mor peng nga piratët së bashku me ekuipazhin prej 16 vetësh, mes tyre 10 italianë. Një diplomat në nairobi, i cili merret me çështjet detare, tha se kishte informacione se anija ishte në pronësi italiane dhe jo amerikane.

Ndërkohë, kapiteni amerikan Riçard Filips vazhdon të mbahet nga 4 piratë

në një gomone, e cila po ndiqet nga një anije luftarake amerikane qindra kilometra nga brigjet e Somalisë.

Një këshill i të urtëve somalezë tha se po përpiqet të shkojë në vendngjarje në përpjekje për të mundësuar lirimin e kapitenit amerikan.

Kapiteni Filips mbahet peng që prej ditës së mërkurë kur piratët morën përkohësisht peng një anije që transportonte materiale humanitare.

Katër piratët kanë kërcënuar se do ta vrasin kapitenin amerikan nëse do të sulmohen dhe nëse nuk pagohen paratë për lëshimin e tij.

Zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë thanë se po përpiqen për një zgjidhje paqësore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›