Përleshje me armë në Tiranë, plagoset kalimtarja e rastit
Përleshje me armë mes të rinjve, plagoset një kalimtare rasti. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së premtes, ndërsa të rinjtë protagonistë kanë përfunduar në qeli brenda pak minutash. Me anë të një njoftimi zyrtar policia e kryeqytetit pohon se rreth orës 22:00 të së premtes, në rrugën "Vasil Shanto" në Tiranë, pranë hyrjes së një pallati, Armand Kashari dhe Dario Baruti, përkatësisht 20 dhe 22 vjeç, pas një zënke banale mes tyre kanë goditur me grushte 23-vjeçarin Arjan Doçi, lindur dhe banues në Tiranë. Pas kësaj, viktima Doçi, ka njoftuar për konfliktin vëllain e tij, Elvis Doçi, 31-vjeç. Ndërkohë në anën e Kasharit dhe Doçit, kishin mbërritur në vendngjarje dy vëllezërit Ergys dhe Bojken Kaso, 27 dhe 23 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, si dhe Eglind Bejko, 22 vjeç me origjinë nga Fieri dhe banues në Tiranë. Sapo mbërrijnë në vendngjarje dy vëllezërit Arjan dhe Elvis Doçi, në bashkëpunim me njëri-tjetrin qëllojnë me pistoletë, drejt pesë të rinjve, por pa arritur të godasin askënd. Për pasojë të humbjes së kontrollit të qitjes është plagosur në këmbë 23-vjeçarja Denada Stafa, e cila ndodhej rastësisht në vendin ku po konfliktoheshin fqinjët e saj. Brenda pak çastesh, Armand Kashari, ka shkuar në banesën e tij dhe ka marrë një automatik, duke qëlluar disa herë në drejtim të dy vëllezërve Arjan dhe Elvis Doçi, të cilët janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, duke u shpëtuar në këtë mënyrë plumbave. Pas kësaj policia e mbërritur në vendngjarje ka vënë në pranga pesë të rinjtë. Armand Kasharit, me origjinë nga Shkodra dhe banues në Tiranë, i janë komunikuar akuzat "kanosje", "prishje e qetësisë publike" dhe "armëmbajtje pa leje". Ndërsa katër personat e tjerë që ndodheshin në vendngjarje: Ergys e Bojken Kaso, Eglind Bejko dhe Dario Baruti, janë vënë në pranga nën akuzën "moskallëzim krimi". Po kështu, policia ka shpallur në kërkim dy vëllezërit Arjan dhe Elvis Doçi, materialet hetimore në ngarkim të së cilëve pritet t'i kalojnë Prokurorisë së Tiranës, si të dyshuar për konsumimin e veprave penale: "vrasje në rrethana të tjera cilësuese e mbetur në tentativë" dhe "armëmbajtje pa leje", të dyja të kryera në bashkëpunim. Po kështu, policia pohon se nga të gjitha strukturat e Hetimit të Krimit të Policisë së kryeqytetit po punohet intensivisht për kapjen e tyre. f.m.