Droga, Mali i Zi dorëzon shqiptarin tek italianët
ITALI - Një shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar 9 vjet më parë nga policia italiane, i është dorëzuar karabinierëve në aeroportin e Fiumiçinos në Itali. Leonard Kajtalli, i akuzuar për trafik droge, ishte arrestuar në territorin e Malit të Zi pak ditë më parë. Ndërsa dje ai është ekstraduar drejt shtetit italian për llogari të drejtësisë së këtij vendi. Kajtalli ishte "shenjestuar" prej policisë italiane nga operacioni policor i koduar "Albania" në qershor të vitit 2000. Mësohet se operacioni në fjalë prangosi 33 vetë, si anëtarë të një rrjeti që trafikonte lëndë narkotike nga Shqipëria drejt Italisë, grup ku bënte pjesë edhe Kajtalli. Sipas autoriteteve policore italiane, Kajtalli i kishte shpëtuar arrestimit në atë kohë duke u larguar në drejtim të Shqipërisë, bashkë me disa pjesëmarrës të tjerë të grupit. Që në atë kohe ndaj tij rezultonte një urdhër arresti ndërkombëtar. Grupi ku bënte pjesë Kajtalli, njihej nga policia e vendit fqinj si një grup i përbërë kryesisht nga ballkanas, të cilët kishin arritur të krijonin lidhje me elemente kriminalë në zonën e Mesinës në Itali. Gjatë operacionit policia italiane kishte arritur të bllokonte një sasi prej 200 kilogramësh lëndë narkotike të llojit marijuanë. Gjithashtu, prej nga organizata kriminale trafikoheshin edhe substanca narkotike heroinë dhe kokainë. Evidentimi i emrit të Kajtallit në grupin e trafikantëve kishte dalë nga përgjimet disamujore të kryera nga autoritet italiane në kuadër të hetimeve për veprimtarinë kriminale të grupit. Pas ekstradimit të djeshme në Itali, Kajtallit do t'i duhet me akuzat që drejtësia italiane ka ngritur për të. ar.ba