E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Pirdeni: Drejtoria e Antikorrupsionit administroi 1200 ankesa, 46 u dërguan në prokurori

TIRANË, 2 dhjetor /ATSH/ Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, në mbledhjen e sotme të Komisionit të Monitorimit të Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Evropës (KiE) me temë “Veprimet gjithëpërfshirëse, luftën ndaj korrupsionit: Politika dhe Instrumente”, mbajtur në sallën e Kuvendit, deklaroi se Drejtoria e Antikorrupsionit në një periudhë 2-vjeçare ka administruar rreth 1200 ankesa, teksa vetëm vitin e fundit janë dërguar në prokurori 46 raste.

Duke iu përgjigjur pyetjes së deputetes ukrainase Yelyzaveta Yasko, se çfarë bëhet aktualisht për monitorimin e zyrtarëve publikë për deklarimin e aseteve, ministrja Pirdeni tha se, “referuar të gjitha masave që janë në kuadër të garantimit të procesit të deklarimit të pasurive, sikurse përmenda pak më parë, Inspektorati i Lartë i Deklarimit, Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit është në Shqipëri institucioni përgjegjës për disa nga kompetencat kryesore që kanë të bëjnë me këtë fushë, posaçërisht dhe me garantimin që të gjitha deklaratat e pasurive të mundet të dorëzohen online dhe të upload-ohen online.

Gjithashtu, shtoi Pirdeni, “t’i nënshtrohen këtij procesi të kontrollit online”,

“Gjithashtu çdo individ ka të drejtë që në bazë të legjislacionit “Për të drejtën e informimit” të kërkojnë një deklaratë të dorëzuar nga çdo zyrtar publik, përputhje me legjislacionin, natyrisht dhe institucioni përkatës, që është në rastin konkret ILDKPKI, do t’i vërë në dispozicion këtë informacion”, tha ministrja.

Prideni shtoi se, “është pikërisht ky institucion gjithashtu që në bazë të analizës, nëse verifikon raste të fshehjes së pasurisë, ose nëse verifikon raste të deklarimit të rremë, të bëjë një referim në prokurori dhe nëse ka gjithashtu baza për ta paraqitur pranë strukturës përkatëse, sikurse është Prokuroria e Posaçme, ose prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm”.

“Në raste të tilla është pikërisht institucioni, i cili vlerëson nivelin dhe shkallën e shkeljes së kryer dhe nëse sigurisht shkelja ngrihet në nivelin e një vepre penale, e referon këtë çështje”, tha ajo.

Pirdeni tha se, “ka dhe raste gjithashtu të deklarimit të pasaktë. Këto janë raste të cilat me kalimin e kohës, sikurse raporton dhe institucioni, janë të minimizuara për shkak se që prej viti 2004 zyrtarët publikë në Shqipëri i nënshtrohen këtij procesi të deklarimit. Do të thotë që këto kanë qenë raste gjithnjë duke u reduktuar me kalimin e viteve dhe natyrisht që ky ka qenë një proces, i cili është dhe vazhdon të zhvillohet në mënyrë periodike vjetore me të gjitha deklaratat e pasurive që dorëzojnë të gjithë zyrtarët publikë”.

E pyetur në lidhje me mekanizmat e luftën kundër korrupsionit, Pirdeni tha se, “që prej vitit 2015, Shqipëria ka një Strategji Kundër Korrupsionit, ka një Komitet Koordinativ në Luftën Kundër Korrupsionit, i cili mblidhet në mënyrë periodike, mbi baza 3-mujore, 6-mujore dhe vjetore, ku analizohen të gjitha gjetjet, të gjitha informacionit që janë mbledhur nga të gjitha institucionet përgjegjëse në luftën kundër korrupsionit, si në drejtim të parandalimit, si në drejtim të ndëshkimit në luftën kundër korrupsionit, si në drejtim të ndërgjegjësimit”.

Kjo, u shpreh Pirdeni, “do të thotë që në bazë të strategjisë të gjitha institucionet kanë disa detyra që i kanë marrë vetë përsipër, për të cilat raportojnë në mënyrë periodike dhe është detyrë e Sekretariatit Teknik, pikërisht që të analizojë nëse këto detyrime që janë ndërmarrë janë përmbushur në përputhje me indikatorët që ne kemi vendosur”.

Pra shtoi ministrja, “eficienca e të gjitha masave të ndërmarra bëhet përkundrejt indikatorëve të vendosur në të gjitha fushat”.

Ministrja u shpreh se, qeveria ka nisur procesin dhe është drejt finalizimit të Strategjisë së re Antikorrupsion, një dokument, i cili u konsultua publikisht për gati 3 muaj.

“Përgjatë kësaj periudhe 3-mujore, pjesë e analizës ishte pikërisht edhe mënyra se si është zbatuar strategjia deri në atë moment, pra, zbatuar në raportet e evidentuara”, tha ajo.

“Ne e kemi të qartë që vitet e fundit ka pasur një rritje të ndjeshme të të gjitha masave në drejtim të parandalimit të korrupsionit. Ka pasur një rritje të ndjeshme dhe proaktive të institucioneve ligjzbatuese për të rritur historikun e hetimeve, të ndëshkimeve penale dhe të sekuestrimit të produkteve të veprave penale të korrupsionit”, tha Pirdeni.

Por, natyrisht, shtoi ministrja, ka dhe masa që nga strategjia kanë ngelur pa zbatuar.

“E gjitha kjo është një punë në progres. Ne nuk mund të pretendojmë që i kemi fituar të gjitha betejat kundër korrupsionit. Besoj asnjë shtet në botë nuk e pretendon këtë, sidomos duke pasur parasysh faktin që të gjitha dimensionet që merr korrupsioni sot janë më komplekse, natyrisht dhe përgjigjja është po aq komplekse dhe kërkon gjithashtu përpjekje të të gjitha institucioneve të cilat mbartin përgjegjësi në këtë fushë”, tha Pirdeni.

“Ne kemi mekanizma periodike se si masim monitorimin. Raportet e e strategjisë janë gjithashtu të gjitha online, të publikuara, ato konsultohen me të gjitha grupet e interesit, përfshirë këtu dhe shoqërinë civile”, tha Pirdeni.

Sa i përket raportimit të rasteve të korrupsionit, ministrja tha se, janë një sërë institucionesh të cilat kanë funksione monitoruese.

“Drejtoria e Antikorrupsionit në një periudhë 2-vjeçare ka administruar rreth 1200 ankesa. Nga këto 1200 ankesa është vlerësuar nëse do të merren masa të natyrës institucionale, do të thotë që nëse ne do të rekomandojmë që institucioni do të duhet të ndërmarrë masa disiplinore ndaj personave përgjegjës, apo nëse në varësi të gravitetit të situatës, çështja do të duhet të referohet në prokurori”.

“Ne kemi, vetëm në vitin e fundit, pra duke referuar nga 2023-2024, diku tek 46 raste të dorëzuara në prokurori pikërisht për çështje që kanë të bëjnë me shpërdorimin e detyrës, ose raste të dyshuara korruptive”, tha Pirdeni.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›