Dumani: Po hetojmë grupet kriminale shqiptare në Amerikën Latine

TIRANË, 2 dhjetor /ATSH/ Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani gjatë takimit të zhvilluar në Kuvendin e Shqipërisë të Komisionit të Monitorimit të Këshillit të Evropës (KiE), tha se SPAK ka konsoliduar bashkëpunimin me autoritetet në Ekuador, gjë që ka ndihmuar në hetimin ndaj grupeve kriminale shqiptare.
Sipas Dumanit, SPAK ia ka dalë të ketë kontakte dhe të shkëmbejë informacione edhe me vende të ndryshme të Amerikës Latine, që ndihmojnë në hetimet kundër grupeve të krimit të organizuar shqiptar.
“E kemi konstatuar në hetimet që grupet shqiptare janë prezentë në Ekuador. Kemi ndërtuar një bashkëpunim me autoritetet e Ekuadorit. Në 2024 kemi konsoliduar një marrëdhënie bashkëpunimi, kemi ndihmuar në hetimet që po bëjnë ndaj grupeve kriminale shqiptare, siç po hetojmë bashkërisht në drejtim të grupeve kriminale shqiptare. Edhe për shumë vende të tjera bashkëpunimi me Ekuadorin dhe vende të Amerikës Latine është pak i vështirë. Por ne si SPAK ia kemi dalë të kemi kontakte dhe të shkëmbejmë informacione dhe të ndërtojmë hetime kundër grupeve të krimit të organizuar shqiptar në Ekuador. E kemi bërë me shumë shtete të Amerikës Latine, Brazilin, dhe vende ku ka grupe shqiptarësh”, u shpreh Dumani.
Dumani po ashtu vuri në dukje bashkëpunimin me Mbretërinë e Bashkuar, duke nënvizuar se SPAK ka zhvilluar hetime të përbashkëta dhe ka krijuar ura komunikimi të vazhdueshme.
“Me Mbretërinë e Bashkuar kemi bashkëpunim të shkëlqyer me MCA, me të cilën kemi një marrëveshje bashkëpunimi. Drejtori i MCA ka qenë në zyrën time, por edhe unë e kam vizituar në Londër. Kemi marrëdhënie konstante bashkëpunimi me shkëmbime informacionesh, kemi skuadra të përbashkëta mes SPAK dhe Mbretërisë së Bashkuar. Kemi hetime të përbashkëta.
Me autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar kemi vendosur ura komunikimi të cilat dita-ditës po japin fryte në luftën kundër krimit të organizuar. Një fushë tjetër ajo kur shtetas shqiptarë të dënuar në Mbretërinë e Bashkuar kanë transferuar produkte të veprës penale në Shqipëri dhe në bashkëpunim me Mbretërinë e Bashkuar për këtë kategori, SPAK të regjistrojnë në Shqipëri hetime pasurore për sekuestrimin e produkteve të veprës penale për shtetas shqiptarë të dënuar në Mbretërinë e Bashkuar që i kanë investuar në Shqipëri. Jemi në rrugë të mbarë. Kontaktet i kemi të shumta”, tha Dumani.
/a.f/r.e/