Ambasada e SHBA i rikthehet punës normalisht, ndan takimet e Fleming në Tiranë

TIRANË, 17 nëntor /ATSH/ Ambasada e Shteteve të bashkuara të Amerikës në Tiranë njoftoi sot se tashmë ka rifilluar nga puna normalisht, pas përfundimit të mbylljes së qeverisë amerikane për shkak të fondeve buxhetore.
Në këtë kuadër ambasada ndau sot takimet që zhvilloi drejtori për Çështjet e Europës Perëndimore Qendrore, Mark Fleming gjatë vizitës që zhvilloi muajin e kaluar në Shqipëri.
Drejtori Fleming u takua me udhëheqës nga i gjithë spektri politik, si dhe me institucione të drejtësisë dhe të zbatimit të ligjit, për të theksuar partneritetin e fortë SHBA-Shqipëri, për të përforcuar gatishmërinë e NATO-s dhe për të goditur organizatat kriminale ndërkombëtare, bën të ditur Ambasada.
Fleming zhvilloi takime me Kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi, ministren e Brendshme, Albana Koçiu, drejtuesin e Prokurorisë Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani dhe prokurorë të tjerë të SPAK, si dhe anëtarë të grupit parlamentar të Partisë Demokratike.
/gj.m/a.f/r.e/