Spiropali: Anëtarësimi në BE brenda dekadës, objektiv i arritshëm

TIRANË, 17 nëntor /ATSH/ Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali deklaroi sot se, objektivi kombëtar i Shqipërisë mbyllja e negociatave brenda vitit 2027 dhe anëtarësimi brenda kësaj dekade, është plotësisht i arritshëm.
Në një konferencë të përbashkët në Tiranë, me ministrin e Jashtëm të Republikës Federale të Gjermanisë, Johann Wadephul, Spiropali pasi bëri një historik të shkrutër të marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, theksoi se, “rënia e murit të Berlinit do të rrëzonte edhe gardhin e izolimit shqiptar”.
Teksa theksoi se, “Shqipëria dhe Gjermania arritën të rigjenin njëra-tjetrën këtë herë nën dritën e lirisë njerëzore që rezonon po aq fort sa dhe ëndrra europiane e shqiptarëve”, Spiropali u shpreh se vizita e Wadephul mbart një tjetër simbolikë të veçantë. “Ajo përkon me një moment historik për Shqipërinë. Në Bruksel në kuadër të Konferencës së 7-të Ndërqeveritare, pikërisht sot u hap grup-kapitulli i V, Burime, Bujqësi dhe kohezion”, tha Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme.
Spiropali nënvizoi se, “ky ishte grup-kapitulli i fundit i mbetur dhe një gur kilometrik në rrugën tonë përpara”.
“Pas 14 muajsh sprint me një ritëm të paprecedentë negociatash, siç i quajti Komisionerja për Zgjerim dhe siç i vlerësoi progres-raporti i fundit i Komisionit Evropian, kemi shënuar mbylljen e procesit teknik të hapjes të negociatave të përqendruara tek reformat, zbatimi, kriteret dhe standardet në të gjithë sektorët”, theksoi Spiropali.
Ministrja u shpreh se, objektivi ynë kombëtar është ambicioz, por nga sot plotësisht i arritshëm.
“Me mbështetjen e KE dhe vendeve anëtare, të mbyllim negociatat brenda vitit 2027 dhe të jemi gati për anëtarësim brenda kësaj dekade”, tha Spiropali, teksa shtoi se, në Shqipëri mbështetja për integrimin nga qytetarët tanë është rekord në Europë, 92% dhe është më e larta se kudo tjetër në rajon.
Spiropali gjithashtu i shprehu mirënjohje Gjermanisë për mbështetjen e palëkundur politike dhe teknike që i ka dhënë Shqipërisë në rrugëtimin e saj europian.
“Gjermania, lokomotiva e Be-së, motori i saj politiko-ekonomik, ka mbajtur kurdoherë qasje të drejtë ndaj procesit të zgjerimit, një qasje meritore, parimore dhe të përkushtuar”, tha Spiropali
Wadephul po zhvillon një tur në gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor: Bosnjë dhe Hercegovinë, Mal i Zi, Shqipëri, Serbi, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.
Ministrja e MEPJ, Elisa Spiropali dhe ministri gjerman, Johann Wadephul në deklarate të përbash... 1 nga 7/gj.m/a.f/