Pirdeni: Orar fleksibël pune për administratën, 22 ditë pune leja vjetore

TIRANË, 1 gusht/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot një vendim që parashikon ndryshime dhe shtesa në vendimin nr.568 të tetorit 2021 për miratimin e rregullave për kohëzgjatjen e punës dhe pushimit, orët shtesë dhe kompensimin e tyre në institucionet e administratës shtetërore, institucionet të pavaruara dhe njësitë e qeverisjes vendore.
Ministrja e shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni pas mbledhjes së qeverisë tha se “kjo është një iniciativë që e kemi në kuadër të rienergjizimit të administratës publike, për të injektuar elementë të fleksibiliteteit në punë, mbi të gjitha për të garantuar që Administrata publike të jetë një punëdhënës më tërheqës”.
“Në kuadër të kësaj iniciative për herë të parë parashikohet koncepti i orëve fleksibël të punës, me qëllim optimizmin e procesit të menaxhimit të burimeve njerëzore, por edhe për të garantuar një balancë më të mirë midis punës dhe jetës private të gjithë punonjësve brenda administratës shtetërore, pra të gjitha institucioneve pjesë e aparatit të Këshillit të Ministrave , ministrive dhe institucioneve të tyre të varësisë”, tha Pirdeni.
Pirdeni bëri me dije se “në bazë të këtij vendimi parashikohet shprehimisht që ndërkohë kohëzgjatja ditore e punës mbetet e plotë, nga e hënë në të enjte, 8 orë e 30 minuta, ndërsa ditën e premte 6 orë, punonjësit e administratës publike mund të zgjedhin të nisin ditën e punës me herët dhe ta përfundojnë më herët, ose ta nisin më vonë dhe të përfundojnë më vonë, duke garantuar që të gjithë punonjësit të jenë prezent në zyrë, nga një fashë orare 9:30 deri 15:30, nga e hëna në të enjte dhe 9:30 deri 13:00 ditën e premte”.
Sipas saj, kjo inciativë vjen në përgjigje të një sërë kërkesash që kemi marrë nga të gjithë punonjësit e administratës publike.
“Me këtë ndryshim garantohet më shumë fleksibilitet në lidhje me orarin e fillimit dhe përfundimit të kohëzgjatjes ditore të punës, për tu garantuar atyre që duan të shoqërojnë fëmijët në shkollë, kopshte e çerdhe me qëllimin për të garantuar një mjedis pune shumë më miqësor për të gjithë punonjësit e administratës publike”, theksoi Pirdeni.
Më tej Pirdeni bëri të ditur se “ky vendim përcakton disa rregulla në lidhje me autoritetin përgjegjës për të vendosur në lidhje me akordimin e pushimeve vjetore. Kjo e drejtë mund të delegohet nga drejtuesi i institucionit ose nga Sekretari i Përgjithshëm tek drejtori i Departamentit të burimeve njerëzore për të optimizuar edhe procesin e dhënies së lejeve”.
“Në 26 korrik të këtij viti kuvendi miratoi me shumicë të cilësuar ndryshimet në kodin e punës për të garantuar një element tjetër fleksibël në mënyrën si akordohet i gjithë procesi i pushimeve për të gjithë punonjësit e administratës publike dhe jo vetëm dhe për sektorin privat. Në ndryshimet e kodit te punës është hequr kufizimi sipas të cilit punonjësit e administratës publike nuk mund të merrnin leje vjetore në një kohëzgjatje më pak se një javë kalendarike është përcaktuar shprehimisht që kohëzgjatja vjetore e pushimeve është 22 ditë pune, ku janë shtuar edhe 2 ditë ekstra pushim për të gjithë punonjësit”, tha Pirdeni.
/k.s/