E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pisha "mpreh shpatën" për Kastriotin

Andi Matraxhiu, Sporti Shqiptar
Dinamo po përgatitet intensivisht për ndeshjen me Kastriotin. Kapiteni i bluve, Arian Pisha, mendon se të gjitha ndeshjet janë njësoj. "Dinamo e ka treguar veten jashtë fushe, pasi ka zhvilluar ndeshje më të mira se në "Selman Stërmasi" dhe shpresojmë që një gjë të tillë ta bëjmë edhe ndaj krutanëve," - nënvizon numri 5 i bluve në intervistën për "Sportin shqiptar". * * * Arian si ju duket gjendja në kampin dinamovit përpara një takimi tepër të fortë si ai ndaj Kastriotit? Gjendja e skuadrës është shumë e mirë, pasi vijmë nga disa rezultate pozitive. Në gjirin e skuadrës mbizotëron harmonia dhe të gjithë jemi duke menduar për ndeshjen e radhës me Kastriotin. Në grup nuk ka asnjë dëmtim dhe as pezullime. Ju tremb ndopak ecuria pozitive e skuadrës së Kastriotit në këto javët e fundit, pasi krutanët kanë ditur të fitojnë edhe ndaj Besës? Është e vërtetë që kemi një ndeshje shumë të vështirë nesër përballë Kastriotit. Pavarësisht faktit se barazuam në ndeshjen e fundit ndaj Vllaznisë, nuk mund ta quaj se skuadra ishte në 100% e mundësive të saj. Për mendimin tim, të gjithë ndeshjet janë njësoj. Dinamo e ka treguar veten jashtë fushe, pasi ka zhvilluar ndeshje më të mira se në "Selman Stërmasi" dhe shpresojmë që një gjë të tillë ta bëjmë edhe ndaj krutanëve, duke e fituar takimin për të mos iu shkëputur kreut të klasifikimit. I druheni ndopak repartit sulmues të krutanëve, i cili është i përbërë nga lojtarë me eksperiencë në kampionatin tonë, si Rizvanolli & Co? Të gjithë sulmuesit në superligë kanë pak a shumë të njëjtin nivel. Por ne do të bëjmë detyrën tonë, duke mos i neglizhuar në asnjë moment sulmuesit krutanë. Do të japim më të mirën, duke mos lejuar pësimin e golit dhe duke pasur besim dhe tek portieri ynë Kotorri. Objektivi kryesor i mbrojtjes është që të mos pësojë gol. Në ndeshjet e fundit reparti sulmues i Dinamos është kritikuar shumë për mungesë të golit. Cili do të ishte mesazhi juaj si kapiten i skuadrës ndaj tyre? Personalisht nuk dëshiroj ta komentoj këtë fenomen, pasi dihet se reparti sulmues ka qenë tepër i kritikuar. Gjithsesi, ne jemi një ekip kompakt dhe do të jemi kështu deri në fund të kampionatit. Për ne mbrojtësit ka shumë rëndësi që të shënojë reparti sulmues. Ndonëse një ndeshje futbolli mund të fitohet me gol të një portieri dhe pak rëndësi ka kush e shënon. Shpresoj dhe kam bindjen e plotë se sulmuesit tanë këtë javë do të jenë më të reflektuar dhe do të shënojnë në ndeshjen e radhës që kemi. Vetëm kështu mund t'i fitojmë ndeshjet që kemi përpara, duke mos i neglizhuar rastet që na jepen përballë portave kundërshtare. Ndonjë koment për gjykimet e fundit ndaj Dinamos? Mendoj se arbitrat janë ata që vendosin, pavarësisht se ne mund të protestojmë. Rastin ndaj Vllaznisë nuk mund ta komentoj, sepse nuk i kam parë pamjet filmike, megjithëse kemi pasur edhe raste të tjera që na janë mohuar penallti. Arbitrat kanë qenë pak më të ftohtë ndaj Dinamos, në krahasim me skuadrat e tjera, me të cilat kanë qenë më të ngrohtë. Unë mendoj se arbitrat dhe gjykimet pro apo kundër duhet t'i lëmë vecmas dhe të shohim punën tonë, pasi kështu mendoj se është më e mira për të ecur përpara. Zyrtare, Kastrioti-Dinamo në "Ruzhdi Bizhuta" Ashtu sic ishte e bërë e ditur ditë më parë në gazetën "Sporti shqiptar", ndeshja e vlefshme për javën e 14-të të superiores midis Kastriotit dhe Dinamo do të zhvillohet në fushën asnjanëse të Elbasanit. Sfida e stadiumit "Ruzhdi Bizhuta" do të gjykohet nga një treshe të kolegjiumit të Lushnjes, Sh.Guce, D.Koreshi (Lushnje), A.Pregja (Tiranë)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›