Bici: “Po më lodhin problemet”

Trajneri i Kastriotit, Vasil Bici është i vetëdijshëm: "Me Dinamon në Elbasan na pret një ndeshje e vështirë". Por zërit të tij nuk i shpëton një nuancë dëshpërimi. "Skuadrën nuk e kam të plotë, për më tepër që po rishfaqen problemet e kaluara", - thotë për "Albania-sport", ish-trajneri i Dinamos, i cili nuk ishte në bankinën krutane kur "Blutë" e Agim Canajt arritën një fitore aspak të mundimshme 4-0 në kryeqytet. Bici, i cili ka mundur ta mbajë Kastriotin në vendin e 9-të (ende në zonën e dytë të ftohtë), nuk e fsheh lodhjen në drejtimin e skuadrës, teksa kërkon edhe më shumë respekt për punën e tij.
TË HUAJT – Mungesa më e rëndësishme e Kastriotit kundër Dinamos në "Ruzhdi Bizhuta" është ajo e kapitenit Shkëlzen Rustami (i pezulluar pas kartonit të kuq të marrë kundër Elbasanit), por shqetësimi më i madh i trajnerit lezhjan mbetet Binogol, i cili jo vetëm nuk do të jetë i gatshëm kundër Dinamos, por ish-lojtari i Besës ka filluar të ankohet edhe për pagesën e vonuar. Në dyshim mbetet edhe sulmuesi i njohur Zhanuari Ziambo (vetëm 1 gol gjatë këtij sezoni).
RIZVANOLLI – Në fitoren befasuese të Kastriotit ndaj Besës (2-1) në javën e parë të fazës së dytë, ishte Renato Kalari ai që shënoi golin e parë. Mesfushori është i gatshëm për Bicin, i cili shpreson se me Erion Rizvanollin (një ish-lojtar i Dinamos) në majë të sulmit do ta shqetësojë jo pak mbrojtjen më të mirë të kampionatit, që në 13 javë ka pësuar vetëm 4 gola. Rizvanolli edhe stërvitet në kushte aspak komode për një skuadër të Kategorisë Superiore ende mbetet një lojtar i rrezikshëm dhe i mësuar me golin.
PEJIC – Sulmuesi kroat i Dinamos, Pero Pejic shënoi tre nga katër golat në fitoren e fundit ndaj Kastriotit në Tiranë, që atëherë drejtohej nga i dorëhequri Ramadan Ndreu. Pejic, i cili është dhe golashënuesi më i mirë i Dinamos (6 gola), nuk dëshiron ta humbasë rastin për të siluruar sërish portën krutane të mbrojtur nga shkodrani Arion Mustafa. Në ndeshjen hapëse të fazës së dytë, atë kundër Besëlidhjes, kroati shënoi golin e dytë në fitoren 2-0, por të shtunën e kaluar dështoi kundër Vllaznisë (0-0) dhe Pejic nuk e fsheh ambicien për të qenë një nga futbollistët vendimtarët për të regjistruar emrin në listën e fituesve dhe Dinamo e tij të shfrytëzojë (ndoshta) hapin fals të Partizanit me Vllazninë në Shkodër për të qenë e vetme në krye.
Kastrioti-Dinamo
8.12.2007, ora 14:00
Stadiumi: "Ruzhdi Bizhuta", Elbasan
Gjyqtarë: Sh.Guce, D.Koreshi-A.Pregja
Bilanci: 13 ndeshje; 4 fitore Kastrioti, 1 barazim, 8 fitore Dinamo. Golat: 8-27
Faza e parë:
Dinamo-Kastrioti 4-0