E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Pjesë e grupit kriminal të trafikut të drogës në Spanjë, arrestohet 50-vjeçari në Vlorë

Një 50-vjeçar është arrestuar në Vlorë, si pjesë e grupit kriminal të trafikut ndërkombëtar të drogës në Spanjë.

Ai u arrestua gjatë operacionit të koduar “Escape” në Rrugën Transballkanike në Vlorë me qëllim ekstradimin e tij në Spanjë ku dhe do të vuaj dënimin.

Më 14 shkurt 2023, Gjykata Qendrore e Instruksionit në Spanjë shpalli në kërkim 50-vjeçarin , ndërsa e kishte dënuar me burg në mungesë, për veprat penale “Pjesëmarrja në grup kriminal me qëllim trafikimin dhe kultivimin e narkotikëve” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.

50-vjeçari është i arrestuari i tretë në Vlorë si pjesë e këtij grupi kriminal që vepronte në Spanjë në kultivimin e plantacioneve të drogës.

Sipas policisë 50-vjeçari “akuzohet si përgjegjës për blerjen, transportimin dhe furnizimin me pajisjet elektrike që përdoreshin për kultivimin e plantacioneve”.

Gjatë operacionit “Escape” u arrestua 50-vjeçari L.B., ndërsa më herët ranë në pranga edhe trafikantët U. S. dhe Xh. H., të cilët akuzohen për kultivimin e marijuanës në Spanjë. 

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›