Pjesë e grupit të strukturuar kriminal, arrestohet në Malin e Tomorrit 46-vjeçari në kërkim

Ka marrë fund arratia e 46-vjeçarit nga Durrësi, i kërkuar për disa vepra penale. Policia ka vënë në pranga 46-vjeçarin e akuzuar nga Gjykata e Shkallës së parë për “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave kriminale nga grupi i strukturuar kriminal”. 46-vjeçari ndodhej në Malin e Tomorrit në momentin e arrestimit.
“Bazuar në informacionet e siguruara se në Malin e Tomorrit po qarkullonte me automjet, një shtetas i kërkuar për vepra penale në fushën e narkotikëve, të kryera në formën e organizatës kriminale, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale lokalizuan, kapën dhe ndaluan shtetasin D. B., 46 vjeç, lindur dhe banues në Durrës.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë, në vitin 2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave kriminale nga grupi i strukturuar kriminal””, thuhet në njoftim.
/rtsh.al/