E Hënë, 2 Nëntor 2026

Punimet për Qendrën e re Kombëtare të Kulturës për Fëmijë, Gonxhja: Unike në rajon, shtëpia e artit për fëmijët

Vijon puna për Qendrën e re Kombëtare të Kulturës për Fëmijë, e cila do të ngrihet pranë Parkut të Madh të Liqenit në Tiranë.

Ministri i Kulturës Blendi Gonxhja ka shpërndarë në rrjetin social Facebook pamje nga punimet për qendrën e re e cila sipas tij, do të krijojë mundësi të mëdha për zbulimin dhe zhvillimin e talenteve artistike të fëmijëve.

Ky projekt ka nëntë kate dhe do të ofrojë 7 mijë metra katror hapësirë funksionale, ku do të zhvillohen aktivitete artistike dhe edukative për fëmijët e të gjitha grupmoshave.

“Mirëmëngjes nga kantieri i Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë, që po rilind si një hapësirë moderne pranë Parkut të Madh të Liqenit në Tiranë!

Me mbi 7,000 m² hapësira funksionale, fëmijët dhe të rinjtë do të kenë mundësi të pafundme për të zbuluar dhe zhvilluar talentet e tyre artistike.

Një qendër unike në rajon, që do të bëhet shtëpia e artit, edukimit dhe argëtimit për të ardhmen”, shkruan Gonxhja.

Projekti parashikon një skenë të dyfishtë brenda godinës dhe jashtë në formën e një amfiteatri në natyrë, duke i shtuar Tiranës hapësira të reja për artet skenike. Auditore bashkëkohore, klasa aktrimi, baleti, muzike, pikture, dizajni, artizanati dhe inovacioni do ta shndërrojnë këtë qendër në një laborator krijimtarie për brezat e rinj.

Ky projekt është një nga më të mëdhenjtë në Ballkan. Një nga elementët më të rëndësishëm të këtij projekti është krijimi i një skene të dyfishtë, që do të mund të përdoret si brenda godinës dhe jashtë saj, në formën e një amfiteatri të hapur në natyrë.

Për herë të parë skena do të jetë me rotativ, duke ofruar mundësinë që ajo të lëvizë gjatë gjithë kohës, brenda dhe jashtë. Ky dizajn i avancuar teknologjik do të lejojë që Qendra të organizojë aktivitete për fëmijë dhe të rinj, duke ofruar mundësi për një gamë të gjerë shfaqjesh dhe ngjarjesh.

Një element tjetër i ri për këtë projekt do të jetë ndërtimi i një punishteje të madhe, ku do të prodhohen kukulla dhe rekuzita për shfaqje, si dhe do të mund të shfrytëzohet nga të rinjtë dhe studentët e Akademisë së Arteve.

Kjo qendër do të ofrojë mundësi për zhvillimin e kurseve të ndryshme për artet skenike, përfshirë aktrim, balet, muzikë dhe shumë aktivitete të tjera, duke i mundësuar të rinjve të shfaqin dhe zhvillojnë talentet e tyre.

Me këtë projekt, Tirana do të fitojë një hapësirë unike, që do të stimulojë kreativitetin e fëmijëve dhe rinisë së qytetit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›