E Diel, 1 Nëntor 2026

Pjesëmarrja e ulët e të rinjve? Kreu i KQZ: Politika duhet t’i nxisë

Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi komentoi pjesëmarrjen e ulët të të rinjve në procesin zgjedhor. Celibashi tha se ky është trend edhe në vendet e tjera. celibashi u bëri thirrje partive politike që duhet të nxisin pjesëmarrjen e të rinjve në procesin zgjedhor.

“Është trend edhe në vende të tjera që ky grup votuesish nuk kanë interes të madh për të qenë të aktivizuar në procese politike, mesa duket edhe Shqipëria nuk bën përjashtim nga ky trend europian, apo edhe global, për aq sa unë e njoh që është kështu. Ne kemi bërë shumë për të nxitur pjesëmarrjen e të rinjve në procesin zgjedhor, por edhe partitë politike dhe organizata të ndryshme duhet të punojmë në nxitjen e kësaj grupmoshe për të qenë më të interesuar”, tha ndër të tjera Celibashi.

Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi, gjatë komunikimit për mediat, tha gjithashtu se vetëm dy problematika janë evidentuar gjatë procesit zgjedhor deri më tani. Ai shpejgoi dy rastet në Vlorë dhe Cërrik.

“Nuk rezulton të ketë problematika të zhvillimit të procesit. Është raportuar për dy problematika, një në Cërrik, për sjelljen e një vëzhguesi, por jemi duke e verifikuar nëse ky vëzhgues ka qenë duke parë se për kë po votonte votuesi. Në Vlorë, ka patur një diskutim ndërmjet kryetares së QV me operator për procedurat e identifikimit. KQZ po e verifikon se cila ka qenë zgjedhja e secilit prej këtyre dy funksionarëve”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›