Pjesëmarrje rekord e sporteve shqiptare në Lojërat Mesdhetare
Një numër rekord i sporteve shqiptare pritet të përfaqësojë vendin tonë në Lojërat Mesdhetare të Peskarës, që do të zhvillohen nga data 26 qershor deri më 4 korrik në vendin fqinj përtej Adriatikut. Kalimi i ditëve po na afron gjithnjë edhe më shumë këtë eveniment ndërkombëtar, ndërkohë që Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar po bën përgatitjet e fundit në lidhje me përfaqësimin e sporteve tona. Pikërisht dje KOKSH ka konfirmuar një pjesëmarrje shumë të madhe të federatave sportive, pasi deri tani, si asnjëherë më parë, janë regjistruar 17 federata. Ndërkohë, edhe për federatat që kanë pasur probleme me zgjedhjet dhe që nuk njihen si ajo e atletikës, gjimnastikës dhe e mundjes, presidenti Domi ka konfirmuar se vazhdojnë bisedimet për të bërë të mundur pjesëmarrjen e tyre në këto lojëra. Një tjetër problem akoma më i madh është dyshimi i pjesëmarrjes së Peshëngritjes. Në përfundim të deklaratës së tij, presidenti i KOKSH-it ka deklaruar se do të kërkojnë edhe bashkëpunimin me Ministrinë e Sporteve, pavarësisht problemeve të fundit mes tyre.