Pjetri: Ada sështë surprizë por një realitet I futbollit shqiptar
Deri para pak javësh, konsiderohej skuadra më e rrezikuar pas Naftëtarit për të rënë nga kategoria. Por nuk kanë menduar kështu drejtuesit, trajnerët dhe futbollistët e Adës. Në javën e 20-të të kampionatit ata kanë qenë të parafundit në renditje ndërsa sot janë të gjashtët, madje në rast fitoreje edhe ndaj Kamzës, mbërrijnë në tre- katër vendet e para të renditjes.
Një ecuri e shkëlqyer e skuadrës në këto javët e fundit dhe jo më kot kanë ardhur edhe rezultatet. Madje, për shumëkund mund të jetë dukur çudi që Ada fitoi edhe kupën Dodë Tahiri dy ditë më parë duke mundur Partizanin dhe Vllazninë por në fakt ky sukses nuk është rastësi.
E thotë këtë edhe njëri nga dy bashkëpresidentët e skuadrës velipojake Alfred Pjetri teksa për Gazetën e Sportit do të shprehej: Mbase drejtuesit e Partizanit u zhgënjyen nga humbja me ne por në fakt ata duhet ta kenë kuptuar se me kë kanë luajtur kur do të kenë marrë vesh se Ada ka fituar edhe me Vllazninë në finale.
Pastaj, Partizani ndonëse këtë sezon fitoi të drejtën për tu ngjitur në Superligë, ndaj skuadrës sonë fitoi me hile dhe me gjyqtarë në fazën e parë në Velipojë dhe barazuam në ndeshjen e kthimit në Tiranë. Në këtë kontekst, Ada nuk ka pse të nënvlerësohet, përkundrazi ka treguar se mbetet skuadra e suprizave çdo sezon. Kaq ka thënë për suksesin e fundit në një aktivitet të zhvilluar në Shkodër.
Por duke e lidhur këtë aktivitet me ndryshimin e situatës në skuadër javët e fundit, presidenti Pjetri bazohet tek puna që ka bërë skuadra dhe stafi I saj. Shumëkush mund të çuditet me këtë ecuri të Adës në këto javët e fundit por kemi treguar se nuk meritojmë të jemi në fund të renditjes me përbërjen që kishim.
Madje, nëse do ta kishim filluar mirë sezonin dhe nuk do kishim patur kundër gjyqtarët në shumë ndeshje, nuk do kishte qenë çudi që të kishim qenë pretendentë edhe për ngjitjen në Superligë sepse skuadra nuk është shfaqur inferiore ndaj asnjërit kundërshtar. Sidomos skuadra që krijuam në fazën e dytë ka qenë shumë bindëse.
U deshën pak javë që lojtarët të harmonizoheshin me njëri- tjetrin dhe pasi kjo ndodhi, nuk pati më humbje. Jo më kot, Ada ka 10 ndeshje kampionati që nuk njeh humbje. Shto edhe 2 ndeshjet që zhvilluam për kupën Dodë Tahiri dhe ky numër shkon në 12.
Në përbërje të ekipit tonë kemi lojtarë shumë të mirë të cilët I treguan aftësitë e tyre nga ndeshja në ndeshje dhe tashmë jo vetëm që nuk jemi të rrezikuar për rënien nga kategoria por edhe jemi në një pozicion komod në renditje. Ky sigurisht që është një sukses dhe meritën për këtë e kanë të gjithë futbollistët me në krye trajnerin Kulli për punën që kanë bërë.
I pyetur ndërkohë për ndeshjen e së shtunës me Kamzën që do të luhet në Velipojë, presidenti Pjetri në fund do të thoshte: Të jeni të bindur se do kërkojmë fitoren edhe në këtë ndeshje sepse do tentojmë të ngjitemi sa më lart në renditje për tI bërë një mbyllje të mirë kampionatit.
