E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plagoset Ardit Kaja

Dy persona të maskuar dhe që udhëtonin me një motor kanë qëlluar me armë zjarri me silenciator kreun e Inspektoriatit të Ndërtimit në Bashkinë e Tiranës, Ardit Kaja. (UPDATE)

Ngjarja ndodhi rreth orës 9:30 para Bashkisë së Tiranës, ndërsa Kaja po dilte nga godina për të marrë automjetin e tij.

Ndaj tij është qëlluar disa herë me armë zjarri dhe për pasojë një plumb e ka kapur në këmbën e majtë.

Në automjet ndodhej edhe shoferi i kreut të Inspektoriatit Ndërtimor që ka shpëtuar fatmirësisht nga plumbat.

Atentatoret janë larguar me motor nga vendi i ngjarjes, ndërsa Kaja i plagosur është nisur për në Spitalin Ushtarak të Tiranës.

Mjekët thonë se Kaja është jashtë rrezikut për jetën pasi plumbi e ka prekur vetëm në këmbën e majtë.

Policia në vendin e ngjarjes ka nisur hetimet dhe nga të dhënat e para duket se ndaj kreut të Inspektoriatit Ndërtimor të Tiranës, është përdorur një pistoletë me silenciator.

Ardit Kaja një ditë më parë u vendos në qendër të vëmendjes për shkak të një konflikti me simpatizantë të LSI-së.

Inspektoriati Ndërtimor mbështetur edhe nga Policia Bashkiake nisi të hiqte flamujt e partive të vendosura në shtyllat e ndriçimit nëpër qytet.

Pasditen e djeshme me anë të një deklarate, Kaja i kërkoi të gjitha forcave politike që të respektonin ligjin për të mos vendosur simbole partiake nëpër rrugë, por vetëm në vendet e caktuara.

Aksioni i Inspektoriatit është kundërshtuar nga militantët e LSI-së. Ndërkohë mbrëmjen e djeshme një konflikt i ngjashëm ka ndodhur mes Inspektoriatit Ndërtimor dhe militantëve të PD-së.

Këta të fundit kanë penguar Inspektoriatin të hiqte simbolet partiake të vendosura nëpër qytet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›