Plagoset kryekomunari i Blinishtit në Lezhë
LEZHË- Është plagosur me armë zjarri në orët e paradrekës së sotme kryetari i komunës së Blinishtit në rrethin e Lezhës Jak Zhupa.
Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Lezhë bëjnë të ditur, se kryekomunari i Blinishtit Jak Zhupa është qëlluar me armë zjarri, tip pistoletë nga një person në territorin e komunës Blinisht gjatë kohës që ai ka qenë duke shkuar në godinën e kësaj komune.
Sipas policisë, kryetari i komunës, i cili ka marrë një plagë në këmbë është transportuar urgjentisht për në Spitalin Rajonal të Lezhës ku është duke iu dhënë ndihma e shpejtë. Burimet më të fundit nga spitali bëjnë të ditur se gjendja e tij është jashtë rrezikut për jetën. Policia njoftoi se autori i plagosjes së kryekomunarit është ndaluar.