E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha mbledh qeverinë, propozon ligj për tokën e papunuar

TIRANË- Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar sot se do të hartohet një ligj i ri për tokat e papunuara në vend, të cilat do t'i kalojnë komunës, ndërkohë që pronari do të marrë një të dhjetën e fitimit nga shfrytëzimi i saj.
Deklarata është bërë gjatë mbledhjes së qeverisë, ku sipas Berishës, ligji i ri do të përcaktojë qëndrimin e shtetit ndaj tokës së papunuar, e cila është një dëm i rëndë i interesit publik për këtë vend.
Berisha e konsideroi këtë çështje si mjaft të rëndësishme për një vend si Shqipëria e cila realisht ka shumë pak tokë të punueshme. "Shqipëria është një vend malor ku rreth 2/3 e territorit kanë probleme shumë të mëdha në këtë drejtim. Në këto zona mbillet çdo metër katror tokë, madje edhe mikroparcela, ndërsa në zona të tjera të ultësirës bregdetare, dhe jo vetëm, ka mijëra hektarë të cilat nuk punohen", tha Kryeministri Berisha.
Sipas tij, "kjo tokë është ndarë me ligjin 7501, ligj i cili është bazuar me parimin: toka i shkon atij që e punon dhe që jeton aty".
Ai sqaroi se ligji i ri që do të hartohet "nuk synon që t'ia marri pronësinë e tokës pronarit të ligjshëm, por parashikon që kjo tokë të kalojë në fondin e komunës e cila do të jetë e detyruar ta japë atë me taksën e të 10-ës".
"Taksa e të 10-ës, është taksa e librave të shenjta, taksa më e lashtë e të gjitha kohërave, më e drejta dhe më e ndershmja", tha Kryeministri ,duke sqaruar se në këtë rast "toka do të kalojë në fondin e komunës, e cila do të ketë të drejtë t'ia japë dikujt tjetër për ta shfrytëzuar dhe pronarit që ia ka kthyer shpinën tokës t'i paguajë të 10-at".
"Nuk do të lemë as edhe një metër tokë të papunuar në këtë vend. Të gjitha procedurat e dhënies së tokës me taksën e të 10-ave duhet të jenë transparente dhe nuk duhet të jenë me letra xhepi", tha Kryeministri Berisha.
Sipas tij , "në Shqipëri, mbi një gjysmë milioni qytetarë jetojnë me një sipërfaqe toke për frymë, jashtëzakonisht të papërfillshme, në një kohë kur në ultësirën bregdetare ka sipërfaqe të tëra toke të papunuara".
"Kjo qeveri do të bëjë çdo përpjekje për të luftuar varfërinë", tha Kryeministri duke shtuar se "varfëria më ekstreme sot është në zonat malore.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›