E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plagoset me mjete të forta polici i pyjores

Shkodër- Një punonjës i policisë pyjore është goditur me mjete të forta nga një komshi i tij dhe ka përfunduar me plagë të rënda në spital. Ngjarja ndodhi sot në Shkodër, kur efektivi i policisë, Zef Guri u godit befasisht nga një shtetas, të cilin ai e identifikoi me emrin Gjin Lazri.

Sipas burimeve të policisë lokale, bëhet e ditur se 54-vjeçari ka qenë në një merkatë në lagjen “Partizani”, kur u përball me fqinjin e tij. Pa shkëmbyer asnjë fjalë mes tyre, ai ka nisur ta godasë me mjete të forta në pjesën e kokës dhe pas veshit. I gjendur përballë një situate të tillë, 54-vjeçari ka nxjerrë armën e punës dhe ka qëlluar në ajër për ta trembur. Ka mjaftuar kaq që agresori të largohet, ndërkohë që i dëmtuari është transportuar nga persona të tjerë në spital.

Pas mjekimit, ai ndodhet në gjendje më të stabilizuar, edhe pse plagët e marra kanë qenë të thella. Sipas rrëfimit të tij për policinë, autor ka qenë komshiu i tij, me të cilin kanë pasur konflikte. Ende nuk thuhet asgjë rreth konfliktit që kanë pasur dy shtetasit, ndërkohë që policia mësohet se ka shoqëruar të dyshuarin në komisariat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›