E Shtunë, 31 Tetor 2026

Remzi Hoxha, dëgjohet dëshmia e Gazidedes

Tiranë-Eshtë zhvilluar sot seanca gjyqësore në ngarkim të tre ish-shikasve për zhdukjen e Remzi Hoxhës, Avdyl Loshës dhe Zylo Kristopullit. Prokurori i çëshjtes Xhevat Hana ka lexuar dëshminë e dhënë nga ish-drejtori i SHIK-ut, Bashkim Gazidede, para vdekjes. Në këtë deklaratë vihet re qartë inati i Gazidedes ndaj familjarëve të Remzi Hoxhës, që sipas tij e kishin akuzuar publikisht si përgjegjës për zhdukjen e vëllait të tyre.

Gazidede pasi ka shpjeguar mënyrën se si funksiononte SHIK-u në atë kohë (v.1995, kur ndodhi ngjarja) ka deklaruar se kishte dijeni për zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedomas, Remzi Hoxha. Sipas Gazidedes kanë qenë vellezërit e Remzi Hoxhës që i kanë kërkuar takim, por ai nuk ka pranuar pasi ata e kanë bërë përgjegjës për zhdukjen e bzinesmenit. “Ata më thanë se muret e SHIK-ut janë të përlyera me gjakun e vëllait tonë dhe unë iu përgjigja se këto fakte bëni prezent në Prokurori”. Kështu shkruhet në dëshminë e Gazidedes lexuar nga prokurori Hana, pasi Gazidede ndërroi jetë dy muaj më parë nga një sëmundje e pashërueshme. Dëshmia e tij duket se nuk do ta ndihmojë zbardhjen e çështjes në ngarkim të tre ish-shikasve, pasi nuk sjell asgjë të re mbi ngjarjen.

Por dëshmia e tij nuk ka qenë e vetmja. Sot foli para gjykatësve edhe ish-ministri i Brendshëm i asaj kohe, Halit Shamata, sot zv/ministër Arsimi. Shamata ka mohuar të ketë patur dijeni për këtë çështje dhe pyetjes së Prokurorit se pse nuk i jeni përgjigjur kërkesës së Prokurorisë dhe Presidencës kur jeni pyetur në atë kohë për zhdukjen e tyre, Shamata tha se “gjithçka që kam bërë në postin e ministrit është e dokumentuar me shkresa zyrtare, unë nuk mbaj mend detaje”.

Po sot ka dhënë dëshminë e tij para trupit gjykues edhe ish-shoferi i SHIK-ut të Tiranës në vitet 94-97, Shtëpim Pasholli. Pasholli ka qenë shofer i Arben Sefgjinit. Në dëshminë e tij u shpreh se “kam marrë një person me makinë tek një punishte afër Dispancerisë në Tiranë e kam çuar tek Kthesa e Kamzës, aty e ka marrë një makinë tjetër”. Pasholli ka mohuar të ketë dijeni për personin që kishte si pasagjer dhe për destinacionin e tij. Dëshminë e tij e kundërshtoi Prokurori Hana i cili tha se Remzi Hoxha është marrë me dhunë nga vendi i tij i punës dhe madje i janë vënë syze të errta gjatë rrugës. Fakte këto që shoferi nuk i pranoi në sallën e gjyqit.

Në bankën e të akuzuarve gjenden Arben Sefgjini, aktualisht drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Kumbaro, Avni Koldashi dhe Budjon Meçe (ky i fundit nuk gjykohet më pasi është në gjendje të rëndë shëndetësore). Të pandehurit akuzohen për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës, si dhe për rrëmbimin dhe torturimin e Ziso Kristopullit dhe Abdyl Loshajt. Ngjarja ka ndodhur në muaj muajin shtator-tetor 1995.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›