E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plagosjet te fusha e aviacionit, identifikohet autori

Ngjarja dodhi dy netë më parë, kur Roland Doku, u qëllua nga një person. krimi dyshohet për borxhet


TIRANË- Plagosja e të riut nga Tirana të hënën në mbrëmje, dyshohet të ketë ndodhur për një borxh që i detyrohej i plagosuri autorit të ngjarjes. Policia e Tiranës identifikoi dhe shpalli në kërkim autorin e dyshuar të plagosjes së dy ditëve më parë, të ndodhur pranë fushës së Aviacionit në kryeqytet dhe një tjetër personi do të hetohet në gjendje të lirë.


Ruzhdi Zoka, 25 vjeç, nga Peshkopia, dyshohet të jetë autori i plagosjes me armë zjarri i 24 vjeçarit nga Tirana Roland Doku. Kjo u konfirmua dje nga burimet zyrtare të Policisë së Tiranës, të cilat bënë të ditur se i kërkuari është me precedentë penale.

Ndërkohë, përveç emrit të autorit të ngjarjes, policia ka mundur të zbardhë dhe shkaqet e konfliktit që dyshohet të ketë ndodhur për një borxh që i detyrohet i plagosuri autorit të dyshuar të ngjarjes.


Mësohet se pasi i plagosuri nuk i ka shlyer borxhin në lekë, Zoka e ka ndjekur të hënën në mbrëmje duke e qëlluar me armë zjarri. Sipas burimeve të policisë, personi i shpallur në kërkim ka tentuar ta vrasë Roland Dokun, duke e ndjekur në momentet që po qëndronte në një nga lokalet që ndodhet në rrugën "Artan Lenja", në Tiranë.


Por gjatë hetimeve për ngjarjen e të hënës ku u plagos Roland Doku, policia e kryeqytetit ka zbuluar se autori i dyshuar i ngjarjes ishte person në kërkim. Sipas burimeve zyrtare të Policisë, Zoka është dënuar në mungesë nga Gjykata e Durrësit, në nëntor të vitit 2009, për veprën penale të "vrasjes me paramendim e mbetur në tentativë".


Ndërkohë policia nuk ka dhënë informacione rreth dënimit të Zokës, nga Gjykata e Durrësit, rreth tetë muaj më parë. Për ngjarjen ku mbeti i plagosur, Roland Doku, nga Tirana, policia ka vënë nën hetim edhe një person tjetër, i cili akuzohet për veprën penale të "përkrahjes së autorit të krimit". Hajredin Laci, 36 vjeç, do të hetohet në gjendje të lirë, si person i dyshuar që ka ndihmuar autorin e plagosjes.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›