E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sharronte hekurat e burgut, kapet nga policia

Kreshnik Shkurti sapo kishte dalë nga burgu, u kap teksa priste hekurat e dhomës së shoqërimit të të burgosurve


Në polici deklaroi se kishte kishte mësuar se aty ishte depoja e armatimit e donte të merrte armë. Policia dyshon për komplot


TIRANE- Një person që tentoi të sharronte hekurat e burgut të sigurisë së lartë 313, në rrugën "Jordan Misja", në kryeqytet u arrestua mesnatën e të hënës duke u gdhirë dita e djeshme, ndërsa u kap në flagrancë nga shërbimet e policisë së burgut dhe të patrullave të komisariatit të Policisë nr.3.


Kreshnik Shkurti 25 vjeç, nga Mamurrasi, i dënuar më parë për tentativë vrasjeje, u kap në flagrancë nga shërbimet e policisë së burgut 313, pasi po tentonte të priste me një sharrë hekuri dhomën ku qëndrojnë personat e ndaluar apo të arrestuar përpara se të futen në sallat e Gjykatës së Tiranës, për vlerësim të masës së arrestit apo për një seancë gjyqësore normale.


Arrestimi i Shkurtit u bë i ditur për "Shekullin", nga burime të policisë së kryeqytetit sipas të cilëve, menjëherë pas konstatimit të tij nga policët e burgut të sigurisë së lartë, kanë lajmëruar shërbimet e policisë së komisariatit nr.3.


Një patrullë e këtij komisariati ka qenë fare pranë vendit të ngjarjes dhe është afruar me shpejtësi në vendin e lajmëruar nga policët e burgut. Në pak minuta ai është bllokuar nga këta të fundit dhe iu është dorëzuar efektivëve të policisë së kryeqytetit të cilët i kanë vënë prangat në flagrancë me akuzën e shkatërrimit të pronës dhe vjedhjes së mbetur në tentativë. Kjo pistë është ngritur bazuar në deklarimet e dhëna nga vetë i arrestuari.


Sipas deklarimit të dhënë në polici nga 25- vjeçari nga Mamurrasi, ai kishte mësuar më parë nga persona të njohur të tij se në vendin ku po sharronte kishte një depo armatimi të burgut 313. Për këtë shkak, sipas tij, ai kishte dashur të bënte pikërisht këtë gjë, të merrte ndonjë armë në vendin ku e kishin lajmëruar.


Pavarësisht deklarimit të dhënë nga i arrestuari, burimet e policisë pohuan për "Shekullin" se dyushimet e tyre janë se autori i tentativës së sharrimit të hekurave të dhomës së shoqërimti të të burgosurve, mund të kishte qëllim dhënien e ndihës së ndonjë personi të dënuar apo që ishte në proces gjykimi në Gjykatën e Tiranës.


Vetëm pak metra nga vendi ku u bllokua 25 -vjeçari nga Mamurrasi, ndodhet Gjykata e Tiranës, si dhe Gjykata dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda e Shkallës së Parë dhe e Apelit. Ngjitur me vendin ku po sharronte i arrestuari, ndodhet godina e Shërbimit të Provës, insituticion i krijuar rishtazi.


Të gjitha këto institucione ndodhen fare pranë Burgut të sigurisë së lartë "Jordan Misja", apo siç quhej më parë 313. Në këto kushte hetuesit, thuajse nuk i kanë kushtuar vëmëndje versionit të të arrestuarit se ai kishte dashur të merrte armë në depon e armatimit të burgut 313 në kryeqytet.


Dyshimet e policisë janë se ai mund të ketë dashur të ndihmojë në largimin e ndonjë të dënuarit apo të arrestuari. Vetë Shkurti, mësohet se kishte vetëm pak muaj që kishte lënë qelitë e të njëjtit institucion, ku kishte vuajtur dënimin 6 mujor për vrasje të mbetur në tentativë, ngjarje e ndodhur vitin e kaluar në qytetin e Mamurrasit ku ai edhe banon.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›