E Shtunë, 31 Tetor 2026

Diagnoza e mozaikut: fraktura

Analizat e mozaikut të famshëm të Muzeut Historik Kombëtar, flasin për çarje të rënda dhe degradim të strukturës mbështetëse. Në proces hartimi i projektit për restaurim


Fati i keq e ka ndjekur vitet e fundit mozaikun e famshëm që mbulon prej 30 vitesh fasadën e Muzeut Historik Kombëtar.


Më 2008-ën, drejtori i MHK atëkohë, Beqir Meta, hodhi idenë për heqjen e një prej veprave simbol të realizmit socialist, ide që i ndau opinionet pro dhe kundër: ata që mendonin se duhej hequr kjo gjurmë ideologjike të së shkuarës si një shenjë e keqe, dhe të tjerë që këmbëngulën të rrijë aty ku është, pikërisht për të mos e fshirë të shkuarën e epokës kur u ngrit një diktaturë.


Ka gati një muaj që mozaiku i shtrirë në 440 m2, është mbuluar. Në hyrjen e qendrore të Muzeu Historik Kombëtar është ngritur skela dhe rrjeta që fsheh mozaikun.
Është njoftuar hulumtimi dhe konservimi i fasadës së MHK-së.


Po si po vijon puna për restaurimin e tij? Pyetje që i bëjnë restauratorëve kuriozët, vizitorë ose njerëz që kalojnë aty para.


Një nga drejtuesit e projektit, restauratori Agron Islami, shpjegon se grupi i punës i përbërë edhe me përfaqësues të Drejtorisë Rajonale të Monumenteve të Kulturës Tiranë, është në fazën e hartimit të projektit për restaurim.


Ka një muaj që Islami bashkë me Klejdi Zguron nga DRMK po analizojnë gjendjen e mozaikut dhe dëmtimet që ka pësuar nga faktorët klimaterikë, duke qenë fare i ekspozuar para diellit dhe shiut.


"Teserat kanë pësuar fraktura dhe çarje. Kjo gjë ka ndodhur gati-gati në mes të mozaikut, aty ku fillojnë figurat.


Diku ka edhe një dëmtim të vetë materialit të tyre. Ka prej tyre që janë dobësuar në atë farë gjendje saqë po të ndërhyjmë, tesera shpërbëhet, thërrmohet. Dallohet edhe një lloj degradimi i strukturave të suportit që mbajnë mozaikun.


Diku suporti është rënduar aq shumë sa të dalin elementët e hekurit që ka në armaturën e vet", Agron Islami, specialist i Institutit të Monumenteve të Kulturës, çdo herë që hipën në skelë, zbulon dëmtime të reja dhe shumë dilema nuk e lejojnë të marrë vendim për ndërhyrjet që duhen bërë në monument.


Ai zë në gojë disa hapësira, që në gjuhën e specialistëve quhen "lakuna" ku teserat mungojnë fare, është shpërbërë krejtësisht suporti i tyre, aq sa është zbuluar zgara metalike e hekurit. Këto farë gropëzash janë hapur në disa pjesë të sipërfaqes.


"Këtu nuk ka asnjë problem sepse materiali është. Për fat të mirë, teserat të këtij tipi janë të ruajtura në magazinat e Muzeut Historik Kombëtar dhe do të përdoret po ai. Por, shqetësues është dëmtimi i teserave", sqaron restauratori.


Për lakunat "totale" mungojnë teserat dhe suporti, për ato "të pjesshme" mungojnë vetëm teserat. Më e madhja e lakunave totale shkon deri në 0.50-0.80 m.


Këto të dhëna jepen në raportin e plotë për gjendjen e mozaikut, që specialisti ka përgatitur, ku shënohet se "problematike dhe shqetësuese paraqitet pjesa fundore e mozaikut, ku u evidentua një frakturë pothuajse totale në thellësi, në gjatësi e gjerësi të konsiderueshme, një shkëputje e kësaj pjese nga pjesa tjetër".


Veç verifikimeve me fotografi dhe dokumentacionit përshkrues të gjendjes aktuale të mozaikut, Islami është konsultuar me një nga autorët, Vilson Kilica, i cili ka pretenduar që të mos ndryshojë asgjë nga imazhi, një parim me rëndësi në punën e specialistit restaurator.


"Detyra ime si specialist restaurator është t'i zgjasë jetën monumentit, jo t'i ndryshoj diçka. Kërkojmë që pas ndërhyrjeve thjesht të riforcohen strukturat mbajtëse dhe të rivendosen teserat, duke i qëndruar shumë strikt origjinalit", thotë Islami.
U deshën dy vjet që mozaiku i fasadës së Muzeut Historik Kombëtar të "ankohet dhe të thërrasë për ndihmë". Islami na informon se teserat kanë filluar të shkëputen nga fasada qysh para dy vitesh.


U bënë përpjekje për hartimin e projektit që as sot nuk është gati. U desh një dëshmi e dytë për dëmtimin e veprës që grupi i punës të mblidhej dhe të bënte një projekt restaurimi. Kjo punë kërkon kohë dhe para. "Nuk është një punë që duhet nxituar. Nuk mund të them që është e vonë sepse kjo ndërhyrje u kërkua në kohën që mozaiku dha shenjat", shton specialisti i IMK-së.


Nuk ka një afat kur projekti mendohet të jetë gati. Ndërkohë po mendohet zgjerimi i grupit të punës me specialistë të tjerë, ndoshta të huaj që njohin teknikën e restaurimit të këtyre lloj mozaikëve modernë. "Nëse nuk jam i sigurt për mënyrën e ndërhyrjes nuk veproj, përndryshe çdo ngut mund të sjellë një negativitet tjetër", përfundon Islami.


Histori


Mozaiku është realizuar në vitin 1981, vit i inaugurimit të Muzeut Historik Kombëtar. Autrorë janë Vilson Kilica, Josif Droboniku, Agim Nebiu, Anastas Kostandini dhe Aleksandër Filipi. Qysh prej fillimit deri më sot mozaiku nuk ka pasur asnjë ndërhyrje restauruese.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›