E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kovaçi: Në Qarkun e Elbasanit futbolli po masivizohet

Nga Elton Karaj

Artim Kovaçi thekson se ka gjetur mbështetjen e duhur nga krerët e pushtetit lokal në Qarkun e Elbasanit

Në Qarkun e Elbasanit është rikrijuar liga amatore. Një bashkëpunim ky i zyrës rajonale të FSHF-së në qytetin e Elbasanit me disa nga kryetarët e bashkive dhe të komunave. Kreu i kësaj zyre në qytetin e Elbasanit, Artim Kovaçi, na shpjegon më qartë në disa pika marrjen e kësaj iniciative dhe ringritjen sërish të këtij kampionati. Ai është një nga nismëtarët e kësaj lige, e cila pritet që në të ardhmen të japë frytet e saj në rritjen e futbollistëve.

Zoti Kovaçi, si ka nisur rikrijimi i ligës amatore dhe çfarë synon të arrijë zyra rajonale?

- Hapjen e zyrës rajonale nga ana e FSHF-së është bërë për zhvillimin dhe rregullimin nga ana profesionale e aktiviteteve të ndryshme sportive në formën e garës, si dhe evidentimin e elementëve për ekipet kombëtare, sipas moshave dhe rregullave të lojës të përcaktuar nga FSHF, për mbarëvajtjen që kërkon ky aktivitet, si dhe për evidentimin e shoqatave, klubeve futbollistike, trajnerëve dhe futbollistëve që marrin pjesë në aktivitet.

- A mund të na thoni se çfarë funksioni kryen zyra rajonale e Elbasanit?

- Qëllimi i kësaj zyre është rihapja e shoqatave të reja për masivitetin e këtij sporti (futbollit) edhe në ato vende ku dëshira ka qenë e madhe, por nuk ka pasur kushtet e nevojshme për të ushtruar futbollin. Rasti konkret është një bashkëpunim i frytshëm me Bashkinë Belsh, ku bëmë të mundur ringritjen e disa ekipeve të moshave, për të cilët flitej prej vitesh, por asgjë nuk konkretizohej.

- A ka raste të tjera bashkëpunimesh?

-Një rast tjetër është edhe vendimi i marrë nga Komuna Bradashesh për ndërtimin e një qendre stërvitore, që do ti shërbejë krijimit të një akademie sportive. Kjo akademi synon ringritjen e disa ekipeve moshash, për të pasur një të ardhme më të sigurt për ngritjen e një klubi me parametra të kohës sipas strukturave të sotme.

Për drejtimin e kësaj pune është caktuar Vigan Guranjaku. Zyra rajonale përshëndet këtë iniciativë, si dhe kërkon një bashkëpunim për problemet që mund të krijohen në të ardhmen. Kjo është një iniciativë që do mbështesë rritjen e masivitetit të këtij sporti dhe talenteve që e luajnë atë.

- Si e kanë pritur kryetarët e bashkive apo komunave këtë propozim të bërë nga zyra që ju drejtoni?

- E kanë pritur mjaft mirë dhe janë treguar të gatshëm për çdo gjë. Gjej rastin ti falënderoj të gjithë kryetarët e bashkive dhe komunave që kanë mirëpritur këtë lloj aktiviteti, duke krijuar terrenet e përshtatshme, si dhe duke garantuar anën financiare dhe bazën materiale. Mund të përmend kryetarin e Bashkisë së Elbasanit, zotin Qazim Sejdini, si dhe kryetarët e bashkive të Librazhdit, Peqinit, Belshit etj.

- A është përpjekur zyra rajonale e FSHF-së për ngritur një kolegjiumi arbitrash edhe në qytetet ku nuk ka?

- Kjo gjë ka qenë problem për ne, por me bashkëpunimin e mirë të arbitrave të kolegjiumit të Elbasanit dhe Peqinit janë aktivizuar mjaft elementë të rinj, të cilët në të ardhmen mund të bëhen arbitra mjaft të aftë.

- Përsa i përket trajnerëve që drejtojnë këto skuadra të ligës amatore, a janë ata të pajisur me licencat përkatëse?

- Ky është një tjetër qëllim i kësaj zyre për trajnerët që marrin pjesë në aktivitet, si dhe për pajisjen e tyre me kategorinë përkatëse nga FSHF, me UEFA B dhe UEFA C. Aktualisht, 90% e trajnerëve të futbollit të moshave janë të pajisur me licencat përkatëse.

- Sa ndihmë ka dhënë FSHF në këtë nismë për ringritjen e kësaj lige?

- Sigurisht që një ndihmë të madhe ka dhënë edhe FSHF me departamentin e ligës amatore, që drejtohet nga Millan Baçi, për ringritjen e kësaj lige pas shumë vitesh. Ky bashkëpunim shpresohet të vazhdojë edhe në të ardhmen, për evidentimin e talenteve dhe për masivizimin e këtyre aktiviteteve.

- A ka Qarku i Elbasanit lojtarë të rinj të talentuar, që mund të bëhen pjesë e përfaqësueseve të moshave?

- Sigurisht që po. Me sektorin teknik pranë FSHF-së ka filluar një bashkëpunim për planifikimin dhe klasifikimin sa më profesional të ekipit kombëtar të qarkut. Kontaktet kanë qenë të vazhdueshme dhe do të vazhdojnë, që të jenë sa më konkrete.

Strakosha në Tiranë, puna nis me seleksionimet

Trajneri i përfaqësueses së Shqipërisë U-19, Foto Strakosha, prej disa ditësh ndodhet në Tiranë, ku është takuar me drejtuesit më të lartë të FSHF-së për detyrën e re. Ish-gardani i portës së kuqe, në bashkëpunim të ngushtë me drejtorinë e ekipeve kombëtare, pritet të nisë një tur të gjerë seleksionimesh në të gjitha minifederatat e vendit, për të gjetur sa më shumë elementë për U-19-n.

Kjo periudhë seleksionuese do të zgjasë për shumë muaj, derisa të afrohen datat e eliminatoreve të ardhshme. Të hënën e ka radhën minifederata e Elbasanit, ku do të këqyren me shumë kujdes të gjithë elementët më të spikatur të kësaj zone. Siç dihet, në bazë të shortit, i hedhur më 29 nëntor në Nion të Zvicrës, Shqipëria U-19 bën pjesë në Grupin 7 së bashku me Belgjikën, Italinë dhe Bjellorusinë. Ndeshjet e këtij grupi do të luhen në periudhën 12-17 tetor në Shqipëri.

FSHF u siguron akomodimin të gjithë trajnerëve

Foto Strakosha është trajneri i fundit i përfaqësueseve të moshave, i cili do të akomodohet në një shtëpi me qira në kryeqytet. FSHF i ka siguruar shtëpi fillimisht Xhemal Mustedanagiçit (trajner i U-17), më pas Skënder Gegës (trajner i U-21), i cili aktualisht e ka familjen në Amerikë. Duke qenë se edhe Strakosha jeton në Greqi me familjen e tij, FSHF është e detyruar ti gjejë edhe atij një shtëpi me qira. Edhe pse dy nga trajnerët e moshave janë shqiptarë (Gega dhe Strakosha), FSHF, sipas kontratës, duhet tu përgjigjet për akomodimin.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›