Plaku për “USA Today”: AIDA synon të shtojë interesin e sipërmarrjeve në SHBA për investime në Shqipëri

TIRANË, 14 shkurt /ATSH/ Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) po intensifikon përpjekjet e saj për të arritur investitorët amerikanë dhe për të krijuar partneritete të reja me kompani amerikane.
Në intervistën publikuar për herë të parë në “USA Today”, Laura Saro Plaku, drejtore Ekzekutive e Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve, (AIDA), tha se roli i agjencisë që drejton kyç, pozicionuar si ndërmjetës ndërmjet investitorëve dhe qeverisë.
Plaku shpjegoi angazhimin e AIDA-s, që në fazën fillestare të eksplorimit të ideve të investimit, realizimit të analizave të tregut, deri te finalizimi i suksesshëm i projekteve të tyre.
“Qasja jonë “outreach” synon të shtojë interesin e sipërmarrjeve në SHBA, duke u fokusuar te sektorët kryesorë që duam të zhvillojmë në Shqipëri”, u shpreh ajo, teksa informoi në intervistën e saj, për një sërë sektorësh si, turizmi, teknologjia, energjia e rinovueshme, hidrokarburet etj, potencial për investimeve aktive.
“Shqipëria ofron lehtësi fiskale për nxitjen e investimeve të huaja dhe ne synojmë të maksimizojmë mundësitë në tregun amerikan”, tha Laura Saro Plaku, Drejtor Ekzekutiv, e Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve, për median amerkane “USA Today”.
Intervista e plotë:
Cili është misioni i AIDA-s?
Qëllimi ynë është të kontribuojmë drejtpërdrejt në diversifikimin e sektorëve dhe lehtësimin e investimeve të synuara në Shqipëri. Nga faza fillestare e eksplorimit të ideve të investimit dhe realizimit të analizave të tregut, deri te finalizimi i suksesshëm i projekteve të tyre, ne mbetemi të angazhuar. Edhe pas zbatimit të projekteve, vijojmë të mbështesim investitorët në adresimin e çdo sfide që hasin në përmbushjen e objektivave të tyre në Shqipëri. Nga konceptimi deri në përfundim, jemi të përkushtuar t’i udhëzojmë dhe t’i shoqërojmë në çdo hap të rrugëtimit të tyre.
Si i arrin AIDA investitorët e huaj, veçanërisht në SHBA?
Fushatat “outreach” kanë qenë ndër përpjekjet tona më efektive. Për shembull, vitin e kaluar realizuam një fushatë në Spanjë të fokusuar në sektorin e turizmit. Kjo nismë dha rezultate konkrete, duke përfshirë takime të mëvonshme dhe vizita në Shqipëri nga palët e interesuara. Planifikojmë të ndjekim një qasje të ngjashme edhe në SHBA, duke u fokusuar te sektorët kryesorë që duam të zhvillojmë.
Cilët sektorë janë prioritarë?
Ne po punojmë në mënyrë aktive për të siguruar një zhvillim të balancuar në disa sektorë. Synimi ynë nuk është vetëm mbështetja e turizmit, por edhe tërheqja e investimeve në një gamë të gjerë industrish. Teknologjia është një fushë kryesore në fokusin tonë, veçanërisht në shërbimet digjitale, startup-et, ICT dhe prodhim. Bujqësia mbetet një sektor tradicional me potencial të rëndësishëm. Energjia është një tjetër sektor premtues, duke pasur parasysh burimet e pasura natyrore të Shqipërisë në hidro, erë dhe energji diellore. Ne jemi duke kërkuar në mënyrë aktive investime në këto fusha, duke shfrytëzuar ekspertizën nga tregje si SHBA.
Çfarë mundësish shihni në sektorët e teknologjisë së lartë?
Ne synojmë të organizojmë fushata “outreach” në SHBA, të fokusuara posaçërisht në teknologji dhe bashkëpunime me parqe teknologjike. Kemi identifikuar disa marka të njohura ndërkombëtare që operojnë në SHBA dhe do të përqendrohemi në angazhimin me to. Plani ynë përfshin identifikimin e partnerëve potencialë, vlerësimin e interesave të tyre dhe prezantimin e mundësive që ofron Shqipëria. Kjo do të përfshijë organizimin e takimeve fizike në SHBA për të ofruar informacion të detajuar mbi iniciativat tona, mjedisin e biznesit në Shqipëri dhe mundësitë specifike që ofrojmë. Objektivi ynë është të ftojmë këto kompani të vizitojnë Shqipërinë dhe të eksplorojnë nga afër këto mundësi. Synojmë të maksimizojmë mundësitë në tregun amerikan.
/j.p/