Dalja në tregjet e kapitaleve, Rama: Më i suksesshmi ndonjëherë

TIRANË, 14 shkurt/ATSH/ Kryeministri Edi Rama e cilësoi si sukses emetimin e eurobondit 10-vjeçar në tregjet ndërkombëtare, teksa informoi se numri i investitorëve të interesuar shkoi në 195.
Rama tha se mbyllja me sukses e këtij procesi tregon besimin te Shqipëria, ekonomia dhe financat.
“Sapo u mbyll me sukses procesi i eurobondit 10-vjeçar. Sapo morëm edhe dritën jeshile që mund të ndajmë këtë me opinionin publik. Ky ishte emetimi më i suksesshëm ndonjëherë për sa i përket tre gjërave. Së pari, interesit të investitorëve të huaj. Ofruan 4,3 herë më shumë se sa nevoja jonë dhe madje gjatë ditës oferta vajti në 5,7 herë më shumë sesa nevoja jonë. Gjë që bëri që të ulim normën e interesit për të larguar një pjesë të investitorëve. Ky mbulim është më i larti i regjistruar ndër vendet e Evropës Qendrore e Lindore që nga tetori i 2024-ës. Së dyti, numri më i lartë i investitorëve. Me 195 të tillë të interesuar. Së treti, normë interesi më të ulët për Shqipërinë sesa për vende si Serbia dhe Rumania për obligacionet 10-vjeçare, që ato në fakt kanë vlerësimin më të lartë se ne për momentin”, deklaroi kryeministri Rama gjatë një deklarate në rrjetet sociale.
Sipas kryeministrit Rama, kjo nuk është vetëm sigurim likuiditeti me kushte të mira financiare, por tregon pozicionimin e ri të Shqipërisë.
“Çdo të thotë kjo? Nuk është vetëm sigurim likuiditeti me kushte shumë të mira financiare, por tregon pozicionimin e ri të Shqipërisë, respektin në tregjet ndërkombëtare. Dhe në thelb ka vetëm një fjalë që i thotë të gjitha: besim. Besim tek ekonomia Shqipëria dhe te financat e Shqipërisë”, theksoi Rama.
Sipas tij, Shqipërisë po i besojnë të gjithë, përditë e më shumë, në të gjitha drejtimet: politike, ekonomike, financiare.
Kryeministri po ashtu drejtoi edhe një mesazh te qytetarët në lidhje me opozitën.
“E di që këneta politiko-mediatike, mbase nuk do t’i japë fare hapësirën që të përcillni këtë lajm, se po ju mban lidhur pas iluzioneve të “bufit të kënetës”. Më 11 maj do të mbetet bashkë me zvarranikët dhe amfibët e tij në një vaki shembullore elektorale”, tha ai.
Por unë, shtoi Rama, s’mund të mos e ndaja këtu me ju këtë lajm të një dite shumë të mirë për Shqipërinë.
Shqipëria doli më 11 shkurt 2025, për herë të 7-të në tregjet e kapitalit, duke emetuar me sukses një eurobond me vlerë 650 milionë euro.
Përmes një njoftimi për shtyp, Ministria e Financave bëri të ditur se, ky Eurobond u emetua me një kupon 4,75% dhe me një normë interesi (yield) 5%. Instrumenti ka një jetëgjatësi 10-vjeçare dhe do të maturohet në shkurt 2035.
/r.e/