Plani “Ahtisari”, alfa dhe omega për të drejtat e komuniteteve

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me këtë rast ka thënë se veprimet e Qeverisë së Kosovës në veri të vendit, po bëhen me arsyetimin që t’u ofrohen shërbime sa më të mira edhe qytetarëve që jetojnë në atë pjesë të vendit. Ai tha se qytetarët e atjeshëm, do ta kenë mundësinë që t’i zgjedhin udhëheqësit e tyre dhe këtë mund ta bëjnë lirshëm dhe pa presion.
“Qeveria e Kosovës në kuadër të veprimeve të saj në veri, ka për qëllim ofrimin e shërbimeve të nevojshme për të gjithë qytetarët e saj dhe të ofrojë përkrahjen e nevojshme për projekte konkrete, të cilat do të shërbejnë në krijimin e kushteve në zhvillimin edhe më të mirë ekonomik. Qytetarët në veri do të kenë mundësinë që të zgjedhin përfaqësuesit e tyre në mënyrë demokratike dhe pa asnjë presion. Vizioni ynë për veri, është për një vend ku do të ketë institucione publike kompetente dhe efektive, vetëqeverisje efektive dhe të paanshme, me mekanizma gjithëpërfshirës për mbrojtjen e të drejtave humane”, ka thënë Thaçi.
Ai ka shtuar se Kosova është shtëpi e të gjithëve, ku të gjithë duhet ta ndjejnë veten të sigurt dhe të lirë, duke përfshirë edhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore për të gjitha komunitetet. Në këtë frymë, kryeministri Thaçi, ka thënë se Qeveria e Kosovës ka ndarë vazhdimisht mjete dhe do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Sipas tij, kthimi i të zhvendosurve mbi të gjitha, ka edhe karakter human.
Kur është fjala te liritë, të drejtat dhe integrimin e të kthyerve dhe komuniteteve, kryeministri Thaçi, tha se plani i Ahtisarit mbetet alfa dhe omega në këtë drejtim.
Ky plan është udhërrëfyesi nëpër mes së cilit ne kemi themeluar komunat e reja dhe kemi vepruar në krijimin e kushteve të favorshme për integrimin e komuniteteve”, ka thënë ai.
Ndërkaq, mbështetje për veprimet e Qeverisë në pjesën veriore të Kosovës dhe krijimin e zyrës administrative për atë pjesë të Kosovës, i ka dhënë edhe Cristopher Rouan nga ICO-ja.
Ai ka thënë se paralajmërimi i javës së kaluar për hapjen e zyrës administrative në pjesën veriore është një hap shumë i rëndësishëm i decentralizimit, të cilin ne të gjithë e presim dhe në të cilin bëhet thirrje edhe në planin e Ahtisarit.
Ai shtoi se janë shumë të interesuar që ta shohin Qeverinë e Kosovës duke e shtrirë dorën e saj edhe në atë pjesë të vendit, për t’u ofruar shërbime më të mira atyre, pasi që, sipas tij, edhe ata janë qytetarë të këtij vendi.
“Jemi shumë të interesuar të dëgjojmë se ata do ta shtrijnë dorën në veri, në mënyrë që të gjithë qytetarët e Kosovës t’i ndjejnë shërbimet që duhet t’i presin nga qeveria e vetë, pasi që të gjithë janë qytetarë dhe shtetas të Republikës së Kosovës. Kryeministri i preku dy shtylla të planit të Ahtisarit, si ajo e decentralizimit dhe për të drejtat e komuniteteve, të cila janë pjesë shumë interesante e planit gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit”, ka thënë ai.
Ai i ka cilësuar si shumë të domosdoshme krijimin e zyrave për qytetarët, të cilët kthehen, apo riatdhesohen, pasi që sipas tij, ata kanë shumë nevojë të dinë për jetën e tyre të mëtejshme dhe për integrimin e tyre. Thaçi po ashtu ka falënderuar Qeverinë e Kosovës, e cila sipas tij, po tregon përkushtim në këtë drejtim.
Ndërsa, Ministrja për Integrime Evropiane, Vlora Çitaku, ka thënë me këtë rast se Qeveria e Kosovës është shumë e përkushtuar që të krijojë kushte dhe siguri sa më të mirë për të gjithë të riatdhesuarit dhe komunitetet.
“Republika e Kosovës në themelet e saj është përkushtuar që t’u sigurojë kushte që të gjithë personave që kthehen dhe të qëndrojnë të sigurt në shtëpitë e tyre. Në këtë aspekt, ne si qeveri kemi punuar shumë për strategjinë për komunitete dhe kthim dhe kjo strategji demonstron përkushtimin e madh të institucioneve karshi kësaj çështjeje të ndjeshme. Rikthimi lidhet ngushtë me procesin e decentralizimit sipas planit të Ahtisarit, i cili mbetet fundament në ndërtimin e shtetit të Kosovës dhe se vetëm realizimi i tij do ta bëjë shoqërinë në Kosovë të suksesshme”, ka thënë ajo.
Çitaku shtoi se Qeveria e Kosovës është duke plotësuar vazhdimisht standarde evropiane, madje, sipas saj, është bërë lider në fushën e të drejtave të njeriut. Kjo nuk është duke u bërë për hir të dikujt, apo nga frika dhe kushtëzimet karshi Bashkësisë Ndërkombëtare tha ajo, por për shkak të qytetarëve tanë, për të ngritur nivelin e shërbimeve ndaj tyre dhe për ta bërë Kosovën më atraktive për të gjithë.
Kurse Zëvendëskryeministri dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Slobodan Petroviç, ka thënë se krijimi i komunave të reja, ua mundëson qytetarëve që vendimet për vete t’i marrin vet.
“Formimi i komunave të reja tregon se është mundësia e mirë që komunitetet të japin vendimin e tyre në aspektin lokal. Komuna veriore është në proces e sipër të formimit. Sa për fillim, kemi formuar zyrën administrative e cila tregon fillimin e një komune, e cila në të ardhmen duhet të jetë operative, ka thënë ai.
Ai tha se Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka dëshmuar se komunikimi me komunitete ka arritur që të përmbush planin e Kosovës për decentralizim. Ky plan sipas Petroviqit, ka për qëllim që qytetarët e Kosovës dhe të gjitha komunitetet të jetojnë në Kosovë.
Ndërkaq, ministri për Kthim dhe Komunitete, RadojicaTomiç, ka thënë se kthimi nuk do të thotë t’ia ndërtojmë dikujt një shtëpi, por të kthyerit duhet t’i sigurohen edhe kushtet e tjera.
“Unë shumë herë kam thënë se kthimi nuk do të thotë vetëm të bëjmë një shtëpi. I kthyeri apo i riatdhesuari do të thotë një njeri i cili jeton dhe i cili bënë një jetë të zakonshme, siç është për shembull një fëmij, i cili shkon në shkollë së bashku me moshatarët e tij. Integrimi është një shoqëri të cilën Kosova vetëm se po vazhdon dhe mund të them se në implementimin e politikës së Qeverisë së Kosovës kur është fjala për zyrën e kthimit, mund të themi se Ministria për Komunitete dhe Kthim i përmbahet në mënyrë strikte kësaj strategjie”, ka thënë ai./Kosovapress/