E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turqia ngrit padi kundër ushtarakëve izraelitë

Gjykata në Turqi ka ngritur edhe zyrtarisht padi kundër oficerëve të ushtrisë së Izraelit për vrasjen e nëntë shtetasve turqë në anijen, e cila në vitin 2010 po barte ndihma për territorin e Gazës.

Për ta kërkohet dënim i përjetshëm me burg, për shkak të “nxitjes së vrasjeve dhe torturës”.

Agjencia turke Anadollu theksoi se gjykata në Stamboll ka miratuar unanimisht padinë kundër ish-shefit të ushtrisë së Izraelit, Gabi Ashkenazit, si dhe ndaj komandantëve të flotës detare dhe asaj ajror, e gjithashtu edhe ndaj udhëheqësit të shërbimit të inteligjencës së ushtrisë.

Ndoshta nuk mund të pritet që oficerët izraelitë të gjykohen në Turqi, por gjykata mund të lëshojë urdhrin për arrestimin e tyre, nëse ata shpallen fajtor në mungesë.

Paditë u ngritën vetëm disa ditë para përvjetorit të dytë të sulmit të komandosëve izraelitë kundër anijes Mavi Marmara, e cila tentoi që të thyej izolimin e Rripit të Gazës. Pas këtij incidenti, marrëdhëniet mes Turqisë dhe Izraelit janë përkeqësuar dukshëm.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›