E Diel, 1 Nëntor 2026

Plani Urbanistik, Basha: Zbatimi i një premtimi, e realizuam në 10 muaj

TIRANË- Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha gjatë prezantimit të draftit të planit urbanistik të Tiranës vlerësoi se ky është zbatimi i një premtimi të realizuar në kohën rekord prej 10 muajsh. Gjatë fjalës së tij, Basha nënvizoi se prioriteti numër 1 i Bashkisë Tiranë është zhvillimi ekonomik, mirëqënia dhe krijimi i vendeve të reja të punës.

“Takimi për planin urbanistik të Tiranës është përmbyllja për një premtim të përfunduar. Premtuam se do e mbaronim prej një kohë rekord prej 10 muajsh. Shumë kanë qënë skeptik dhe mosbesues me pretendimin se Tirana e kishte një plan. Shumica na mbështetën, ja ku jemi 10 muaj më pas me një premtim të mbajtur. Ajo që ka më rëndësi, është fakti se plani ka rëndësi për zhvillimin ekonomik. Prej kohësh Tirana ka dhënë shenja lodhjeje si rezultat i një politike konfrontimi me bizneset. Ne jemi të vendosur ta kalojmë këtë ngërc. Zhvillimi ekonomik, mirëqënia dhe krijimi i vendeve të punës është prioriteti ynë numër 1”,- deklaroi Basha. 

Kryebashkiaku Basha vlerësoi se dy risitë e projektit të urbanizimit të kryeqytetit janë klima e bashkëpunimit me administratat kufitare, e munguar në qeverisjen e shkuar dhe puna voluminoze. Ndërkohë, sipas Bashës, plani synon që të adresojë qytetarët përkundrejt kaosit që Tirana la pas.
“Plani synon që të adresojë qytetarët përkundrejt kaosit që lamë pas. Të zgjidhë problemin e interesit privat dhe publik. Qytetarët akohen për cdo metër që zihet nga betoni, për shkollat dhe shumë probleme. Kjo ka ndodhur se nuk ka pasur plan që të vëjë në vijë të drejtë nevojën për ndërtim dhe hapësirë të gjelbërt”,- vuri në dukje Basha. 

Kryebashkiaku Basha në përfundim të fjalës së tij theksoi se Tiranës nuk i duhen plane në letër, por investime reale për ti hapur rrugë investitorëve të huaj dhe vendas, për mundësi të reja punësimi për të gjithë.
(el.me/BalkanWeb) Lidhje te tjera VIDEO: Plani Urbanistik, Basha: Zbatimi i një premtimi, e realizuam në 10 muaj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›