E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plani amerikan-grek, Ballkani më 2014 në BE

SHBA-ja ka përgatitur një plan, bashkë me Greqinë, që të mundësojë hyrjen në Bashkimin Evropian (BE) të Ballkanit Perëndimor, më 2014, në 100-vjetorin e Luftës së Parë Botërore.

Pas agjendës së Selanikut në vitin 2003, kur u hodhën themelet e zgjerimit me Ballkanin, në këto vitet e fundit rajoni ka humbur orientimin dhe ne duam t'i japim një dinamikë të re, pa ulur standardet që duhen plotësuar, por duke reduktuar burokracitë, me qëllimin përfundimtar përfshirjen e Ballkanit në BE, 100 vjet pas Luftës së Parë Botërore", ka deklaruar kryeministri i Greqisë, George Papandreou.

Papandreou, i cili ka folur për gazetarët, pas punimeve të tryezës së krerëve të shteteve dhe qeverive evropiane në Bruksel, ka deklaruar se qeveria që ai drejton është pro zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit.

Në këtë samit, Greqia paraqiti si prioritet të qeverisë helene, zgjerimin e BE-së me Ballkanin, madje duke synuar vitin 2014 për integrimin e vendeve të këtij rajoni.

SHBA-ja ka në plan që ta mbyllë përfundimisht çështjen e Ballkanit dhe po punon fuqimisht në këtë drejtim, shkruan sot e përditshmja serbe Danas, duke thirrur në burime nga qarqe ndërkombëtare dhe nga qeveria serbe.

Sipas gazetës, SHBA-ja ka një plan të quajtur Hartë Rruge, që është paraqitur nga Athina, ku thuhet se gjithë Ballkani perëndimor duhet të hyjë në BE në vitin 2014, edhe pse kjo datë duket shumë e pamundur nga këndvështrimi i liderëve aktualë të 27 vendeve anëtare të BE-së.

Por Danas thekson se SHBA ka gjetur në Greqinë një aleat të fortë për ta mbyllur kapitullin e dhunshëm të Ballkanit dhe për ta integruar përfundimisht.

Vitin 2014 e kanë përmendur më herët edhe ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiq, pas një takimi me kryeministrin grek, Jorgos Papandreu. Një datë të tillë e ka përmendur edhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, në Tiranë pak ditë më parë.

Arsyeja pse SHBA është përfshirë në përgatitjen e një plani të tillë është se Uashingtoni e sheh hyrjen e Ballkanit në BE si zgjidhjen më të mirë për gjithë problemet rajonale.

Sipas ish-ministres së Jashtme të Serbisë, Aleksandra Joksimoviq, kjo ide fillimisht ka ardhur nga vetë vendet e vogla të BE, ndaj shihet mundësia e një përplasjeje me vendet e mëdha të BE për të pranuar Ballkanin kaq shpejt.

Ka zëra në BE se zgjerimi i afërt do të vazhdojë me Islandën dhe Kroacinë në 2012 dhe më pas të ngrijë për një farë kohe. Sidoqoftë, SHBA do të ushtrojë presionin e vet që Ballkani Perëndimor të hyjë si i tërë në BE në vitin 2014, përfundon gazeta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›