E Diel, 1 Nëntor 2026

Plani i dialogut për veriun publikohet më 10 shtator

PRISHTINE - Qeveria e Kosovës do të shfrytëzojë prezencën e përfaqësuesve të 25 shteteve anëtare të Grupit Ndërkombëtar Drejtues për të prezantuar planin e dialogut për veriun e Kosovës. Disa ditë më vonë, pritet që të nisë dialogu, kanë bërë të ditura burime të gazetës “Koha Ditore”.

Si rezultat i prezantimit të planit, shtetet që mbështesin pavarësinë e Kosovës dhe që janë pjesë e GND-së do të marrin vendim për përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë. Në këtë mënyrë, Qeveria e Kosovës do të plotësojë edhe një kriter të kërkuar në Raportin e Progresit nga Bashkimi Evropian, e që është prezantimi i një strategjie integrimi për veriun.

Plani parashikon konsultime me përfaqësuesit e tri komunave veriore dhe asaj të Mitrovicës së veriut, në mënyrë që të fillojë zbatimi i planit të Ahtisaarit, pa iu përmendur emri.

Burimet e gazetës kanë shpjeguar se deri në shtator, pritet që presidenti i ri i Serbisë, nëse do të jetë Boris Tadic, të marrë vendim që në bazë të Kushtetutës së Serbisë të emërojë përfaqësuesit e komunave veriore.

Dialogu fillimisht do të jetë vetëm mes Qeverisë së Kosovës dhe përfaqësuesve të veriut, por siç i ka thënë gazetës një zyrtar ndërkombëtar i akredituar në Kosovë, “në një fazë të mëvonshme, Serbia duhet të jetë palë e dialogut, në mënyrë që të garantojë zbatimin e marrëveshjeve të mundshme”.

(er.nu/koha/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›