Plani i madh i Stalinit për të filluar Luftën II Botërore
22 Qershor 1941 Mbrojtja nëpërmjet sulmit
Nga Saimir Lolja
Parathënie
Ne foto (Pallati i Sovjetëve, 500 m i lartë, ku do zhvilloheshin ceremonitë sa herë që një shtet i botës i bashkëngjitej BRSS. Ndërtimi i tij u ndërpre më 1941 dhe çeliku iu përdor në ndërtimet mbrojtëse përreth Moskës.)
Më 22 Qershor 2013 mbushen 72 vjet nga dita kur ushtria gjermane sulmoi Bashkimin Sovjetik. Botimeve të deritanishme në Lindje e Perëndim iu mungojnë të dhënat për numrin, llojin, madhësitë e vendndodhjet e armatave sovjetike në vigjilje të sulmit të ushtrisë gjermane kundër Bashkimit Sovjetik. Këto të dhëna janë akoma sekret shtetëror në Rusinë e Madhe. Edhe nëpër dokumentarët e Luftës II Botërore kapërcehen njoftimet për numrin dhe vend-ndodhjen e armatave sovjetike të këmbësorisë, për numrin dhe llojet e armatave të tankeve, për armatat e parashutistëve, për numrin dhe llojet e armatave të aeroplanëve, si dhe për llojin e fortikimeve në kufinjtë perëndimorë të BRSS. Në Lindje e Perëndim, librat dhe enciklopeditë e Luftës II Botërore nuk japin as të dhëna të tilla dhe as harta të vendosjes së trupave sovjetike. Fitimtarët e Luftës II Botërore duket se janë marrë vesh jo vetëm për ndarjen e zonave të ndikimit, por edhe si do shkruhej më pas historia e Luftës II Botërore.
Shkrimi i mëposhtëm është mbështetur kryesisht në librin Krye fajtori: Plani i madh i Stalinit për të filluar Luftën II Botërore të autorit Viktor Suvorov (Viktor Suvorov, The Chief Culprit: Stalin’s Grand Design to Start World War II, Naval Institute Press, 2008). Autori ka qenë analist zgjuarsie në zbulimin ushtarak sovjetik [GRU] dhe ka kaluar nëpër duar dokumenta të arshivave ruse që edhe sot e kësaj ditë janë të mbyllura. Ai u arratis në Perëndim në vitin 1978 dhe deri më tani ai ka botuar një seri librash. Për arsye domosdoshmërie, rrjedha e fakteve dhe ngjarjeve nis që nga Lufta I Botërore.
Lufta dhe paqja
Në fillimvitin e tretë të Luftës I Botërore, ushtria gjermane e kishte të qartë se nuk do mund të vazhdonte të luftonte nëse kishte njëkohësisht edhe Frontin e Lindjes edhe të Perëndimit. Prandaj, zbulimi ushtarak gjerman arriti një marrëveshje me Leninin dhe e nisi bashkë me shokët e tij me tren të blinduar e të mbyllur diplomatikisht nga Zyrihu i Zvicrës nëpër Gjermani, Suedi, Finlandë e deri në Petrograd të Rusisë, ku arriti më 16-04-1917. Paralel dhe i nisur nga Amerika bashkë me 300 shokë, Trocki arriti në Rusi më 04-05-1917. Bolshevikëve iu pëlqyen ndihmat e zbulimit ushtarak gjerman, sepse ato do mund të përfundonin revolucionin bolshevik në Rusi [më 07-11-1917]. Më pas, ato do të riorganizonin perandorinë e kalbur cariste në Perandori të Kuqe duke i vënë fuqitë e mëdha të saja në shërbim të Revolucionit Botëror. Në këmbim të ndihmës gjermane, qeveria bolshevike nënshkroi më 03-03-1918 nëpërmjet Traktatit të Brest-Litovskit daljen e saj nga Lufta. Ky traktat u nënshkrua edhe nga Perandoria Gjermane, Austro-Hungareze, Bullgaria dhe Perandoria Osmane. Si rrjedhojë, trupat gjermane kaluan nga Fronti i Lindjes në atë të Perëndimit, lufta vazhdoi edhe tetë muaj të tjerë, miliona ushtarë e qytetarë humbën jetën apo u plagosën, ekonomitë e vendeve ndërluftuese u rrënuan akoma më shumë, e nga dhimbje të tilla shoqëritë njerëzore atje u trazuan shumë.
Me këtë traktat, Rusia sovjetike lëshoi nga duart përkohësisht 56 milion banorë, 1/4 e industrisë, shumicën e minierave të qymyrit, fusha të pamata, etj. Por përfitimet afatshkurtra (iu dha kohë bolshevikëve të kryenin më mirë punët e brendshme të përgjakshme) dhe afatgjate qenë shumë herë më të mëdha sepse filluan përgatitjet për sulmuar sapo të mbaronte Lufta I Botërore dhe për të ndezur revolucionin botëror në vendet e tjera, në rradhë të parë në Gjermani. Biles që në Janar 1918, me urdhër të Leninit, krijohet në Petrograd organizata komuniste gjermane Spartakus dhe shtypen në miliona kopje e dërgohen në Gjermani gazetat Die Fackel [Pishtari], Die Weltrevolution [Revolucioni Botëror] dhe Die Rote Fahne [Flamuri i Kuq]. Fundi i Luftës I Botërore shoqërohet në Rusi nga një numër i pafundëm takimesh, kongresesh e konferencash politike ku i mëshohej vetëm një gjëje: Revolucionit Botëror dhe vendosjes së komunizmit në Europë. Këtij qëllimi i shërbeu edhe fillimi i përgatitjeve për mbjelljen dhe vaditjen e farërave të një lufte të re botërore, sepse për bolshevikët pas një lufte të tillë të madhe do të vinte një revolucion i madh botëror. Dhe nga ky do të lindnin republikat e bashkuara socialiste sovjetike e shkallë-shkallë do arrihej në një qeveri mbarë-botërore sovjetike me qendër Kremlinin.
Ne foto )Stalini dhe Ministri i Jashtëm gjerman Ribbentrop shtrëngojnë duart të kënaqur për nënshkrimin e paktit të mos-sulmimit, më 23 Gusht 1923. Katër ditë më parë, Stalini kishte urdhëruar mobilizimin e fshehtë ushtarak.)
Më 11-11-1918 nënshkruhet përfundimi i Luftës I Botërore. Më 13-11-1918, qeveria ruse urdhëron Ushtrinë e Kuqe të sulmojë dhe ajo pushton vendet Balltike. Qeveria komuniste e Estonisë formohet më 29-11-1918, e Letonisë më 04-12-1918, e Lituanisë më 08-12-1918. Një dokument i Ushtrisë së Kuqe më 17-12-1918 dallonte Gjermaninë si shënjestra e rradhës, kurse Lenini ngazëllente: Ne jemi në pragun e revolucionit botëror!. Ushtria e Kuqe nisi sulmin në drejtimin Poloni-Gjermani që në Shkurt 1919, por pësoi disfatë përfundimtare nga ushtria polake në Betejën e Varshavës në Gusht 1920 dhe tërhiqet. Për sovjetikët ky qe një mësim, i cili u tregoi se për të shkuar në Gjermani nuk duhej të kishte Poloni ndërmjet tyre; ashtu siç edhe ndodhi pas 20 vjetësh.
Thëngjijtë e luftës
Nga ana tjetër, lufta civile i ndryshoi pak planet bolshevike, sepse Ushtria e Kuqe u tërhoq për të kositur për shumë vjet miliona njerëz në Rusinë sovjetike. Në Mars 1919, nën drejtimin e Leninit dhe Trockit, krijohet në Moskë Kominterni [Organizata Ndërkombëtare Komuniste], i cili e quajti veten Shtab të Revolucionit Botëror me qëllim krijimin me çdo mjet, përfshirë edhe forcën ushtarke, të Republikës Botërore Socialiste Sovjetike. Organizatat komuniste nga çdo ve