Romina dhe Markoledi, dy të rinjtë e çmendur pas futbollit gjerman
Intervistë me Markoledin dhe Rominën, dy tifozë të çmendur gjermanë
Quhen Romina Kostani dhe Markoled Pashuku. Janë dy personazhe shumë të veçantë në botën virtuale të rrjetit social Facebook. Ata administrojnë sëbashku një faqe tifozësh dhe kjo u mjafton për të bashkëpunuar për projekte nga më të ndryshmet. Romina është 22 vjeç. Ka lindur në Korçë, por jeton në Tiranë. Para katër vitesh ajo krijoi faqen shumë të njohur tashmë në trevat shqiptare, me emrin Tifozët Gjermanë dhe sot ka 122 mijë fansa. Markoledi sapo ka mbushur 19 vjeç dhe vjen nga Shkodra, por jeton në Tiranë gjithashtu. Sëbashku, para një viti ata shkruajtën 100 faqe revistë dedikuar vetëm sportit gjerman. Projekti më i fundit i tyre është një libër prej 400 faqesh me temë historinë e futbollit gjerman. Është gjë e zakonshme të bësh gishtat me ngjyrat gjermane apo të mbulohesh me flamurin gjerman. Gjermania meriton më tepër se kaq, – mundohet të shpjegojë maninë e saj bukuroshja Romina në intervistën që Tirana Observer zhvilloi me të dhe Markoledin.
Çju ka tërhequr juve nga Gjermania, që jeni kaq të çmendur pas futbollit të saj?
Romina: – Janë shumë arsye, por kryesorja është shpirti i sakrificës dhe lufta deri në minutën e fundit për të shënuar golin e fitores. Unë admiroj jo vetëm futbollin gjerman, por gjithçka që Gjermania ka dhe prodhon. Është standardi i shumëçkaje në këtë botë. Çdo natë më ndodh që lexoj kuriozitete rreth saj.
Markoledi: – Gjithçka filloi kur isha 5 vjeç. Pashë të madhin Oliver Kahn në finalen e Champions League 2001 dhe u dashurova pas imazhit të tij jo vetëm si lojtar, por edhe si njeri. Ka ndikuar shumë edhe babi im, sepse tifozllëku gjerman është vlerë për gjithë fisin tim, historikisht, siç është vlerë dhe traditë transmetimi brez pas brezi tani e tutje i këtij pasioni për futbollin gjerman.
Kush janë futbollistët tuaj të preferuar dhe pse?
Romina: – Lojtari im i preferuar për momentin është Bastian Shvajnshtaiger, për rolin kyç që ka në skuadër, mënyrën se si e organizon lojën dhe ndryshimin që sjell prezenca e tij në fushë. Ai është lojtar tipik gjerman, ka shpirtin e skuadrës dhe është padyshim lojtari që ndryshon ritmin e lojës sipas rastit.
Markoledi: – Kam vetëm një emër për tju thënë. Ai është Mario Gëtce, talenti më i madh i shekullit në Gjermani. Më mahnit ledhatimi që ai i bën topit me këmbë. Ka diçka më të veçantë se të tjerët. Gjithnjë surprizon dhe kurrë nuk lodhem duke parë video të tij.
Po për ndonjë emër nga e kaluara keni simpati?
Romina – Ndër legjendat e tjera ndër vite do të veçoja sigurisht Oliver Kahnin, për personalitetin dhe karakterin e tij të fuqishëm që edhe sot i mungojnë Gjermanisë si dhe të madhin Franc Bekenbauer për gjithçka ka sjellë në futbollin gjerman.
Markoledi Mbiemri im në Facebook është Kaiser, ashtu siç thirret Franc Bekenbauer, mbret i futbollit. Natyrisht nuk e kam parë duke luajtur, por kush nuk flet për të? Ai është ambasadori i futbollit gjerman kudo nëpër botë. Është sinonimi i mirësisë dhe urtësisë. Kur flet ai, të tjerët heshtin. Kontributi i tij në sferën e futbollit është i pashtershëm, edhe si lojtar edhe si njeri i sportit.
Romina, ti je krijuesja e faqes Tifozët Gjermanë, apo jo? Si lindi ideja?
Romina – Faqja Tifozët Gjermanë ka qenë ndër faqet e para shqiptare për futbollin në Facebook. E kam krijuar në 6 qershor 2009 me arsyen e vetme: të mblidhja sa më shumë tifozë gjermanë për të ndarë mendimet tona mbi skuadrën, preferencat mbi lojtarët, foto, poezi etj. Dalëngadalë faqja filloi të rritej dhe atëherë ishte momenti të shtoja administratorë meshkuj, të cilët mund të postonin më mirë nga ana teknike. Prej këtu, gjithçka eci vetë. Sot jemi rreth 122 mijë tifozë gjermanë dhe faqja është shndërruar në një vatër për të gjithë panzerat shqiptarë.
Cili është projekti juaj i radhës?
Markoledi – Një libër që të flasë në shqip mbi historinë e skuadrës gjermane në Kampionatet Botërore dhe ato Europiane, Për të po punojmë prej tashmë tre vjetësh, duke qenë se koha e lirë që kemi në dispozicion për shkak të shkollës dhe punës është e kufizuar dhe nuk na ka lejuar ta përfundojmë ende. Megjithatë, jemi drejt fundit.
Kur do të botohet?
Romina – Kemi planifikuar që librin ta botojmë vitin tjetër, disa muaj para fillimit të Kampionatit Botëror në Brazil. Kështu vjen në një kontekst ideal. Libri do të përmbajë mbi 400 faqe me historinë e plotë të skuadrës gjermane që prej paraqitjes së parë në Botëror, në vitin 1934 e deri në kualifikimet e 2014-s, duke përfshirë të gjithë trofetë dhe debutimet në Kampionatet Botërore dhe Europiane gjatë kësaj periudhe. Do të ketë gjithashtu informacione interesante të padëgjuara më parë, statistika, albume me foto, profilet e lojtarëve më të njohur ndër vite, citime të tyre, përjetime dhe kujtime nga vetë tifozët etj. Pra, do të jetë një libër që çdo tifoz i vërtetë do të ëndërronte ta kishte në bibliotekën e tij.
Keni arritur ndonjë bashkëpunim apo komunikim me gjermanë?
Markoledi – Në fakt kemi kontakte të shpeshta me Dirk Shroër, shef i agjenturës sportive për shit-blerje lojtarësh SBM GmbH, që konsiston edhe në vëzhgimin e talenteve. Kam folur personalisht me këtë personazh shumë të njohur në Gjermani, i cili ka qenë menaxher në klube si Arminia e Bielefeldit dhe Dinamoja e Bukureshtit. Gjëja më fantastike është se kjo kompani ka një shqiptar, që punon aty dhe ai më ka mundësuar lidhjet. Quhet Andi Tanku. Në verë do të promovojmë sa të kemi mundësi një projekt akoma në letër që z. Tanku dëshiron të zhvillojë në Shqipëri. Përmes videove nga fansat, unë mund ta ndihmoj atë të zbulojë ndonjë talent shqiptar dhe të provohet zyrtarisht në Gjermani. Gjithashtu, Norbert Dikel, legjendari i Dortmundit, më ka shprehur mirënjohje për aktivitetin e faqes sime dhe për organizimet tona, sa herë luan Gjermania në kampionate ndërkombëtare.
Keni qenë ndonjëherë në Gjermani?
Markoledi Vazhdoni me Rominën, sepse unë kam dashuri platonike me Gjermaninë, kurse Romina e ka prekur live.
Romina – Vitin e kaluar isha në Mynih për të ndjekur një kurs veror gjermanishteje. Ka qenë eksperienca më e bukur që kam kaluar deri tani në jetën time. Së pari sepse vizitoja një vend të cilin e kam adhuruar për mënyrën e organizimit dhe qeverisjes, së dyti sepse isha në Mynih në një kohë kur mund të shkoja në stadium e të ndiqja Bajern Mynihun dhe së treti, sepse kisha mundësi të perfeksionoja gjermanishten.
Pra, ti ke shkuar atje vetëm prej pasionit për futbollin gjerman?
Romina – Po, natyrisht. Edhe gjuhën gjermane prandaj e kam studiuar. Që të jem sa më afër mendësisë dhe mentalitetit gjerman, duke komunikuar me ta.
Dhe natyrisht që udhëtimin e shfrytëzove për ndeshjet e Bajernit…
Romina – Kursin e kisha zgjedhur qëllimisht në shtator, në periudhën më të mirë të mundshme, kur mund të realizoja të gjitha ato që kisha dëshirë të shihja në Gjermani. Ndoqa Bajernin në Alianc Arena në ndeshjen kundër Mainxit, të cilën bavarezët e fituan 3-1 dhe Shvajnshtaiger shënoi gol për herë të parë në sezon. Vizitova Qendrën Stërvitore në Shabwner Shtras, ku bleva edhe disa aksesorë tifozllëku pranë dyqanit zyrtar. Më pas ishte radha për të ndjekur kombëtare