E Diel, 1 Nëntor 2026

Plani për investim në Zvërnec, Ibrahimaj: Ende s’ka projekt të finalizuar. Pritet të jetë një nga investimet më të mëdha në turizëm dhe punësim

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj ka deklaruar se nuk ka ende asnjë plan të finalizuar në lidhje me Zvërnecin , por shtoi se arkitektët dhe ekspertët po punojnë për dorëzimin e një projekti që do të përmbushë të gjitha standardet e Bashkimit Evropian për mjedisin.

Ibrahimaj e konsideroi si një prej investimeve më madhore që do mund të ketë vendi ynë në sektorin e turizmit dhe punësimit.

“Ne siç e kemi bërë publike, ende nuk kemi projekt të finalizuar për zonë e Zvërnecit. Është duke u punuar nga arkitektë, ekspertë mjedisorë dhe arkitektë të peisazhit që të dorëzohet një projekt që do përmbushë standardet e BE për mjedisin dhe do jetë një nga investimet më madhore që ne kemi pasur në sektorin e turizmit i cili përafërsisht, nëse do i referohemi projektit të parë të dorëzuar i cili nuk është miratuar për mospërmbushje të standardeve ka qenë nën nivelin e 4 mld eurosh.

Një ekonomi që ka prodhim të përgjithshëm të ekonomisë në nivelin e 27 mld eurove, sigurisht 4 mld përbën një peshë shumë të madhe dhe nxitje të madhe në ekonominë vendase. Projekti, në fushën e turizmit dhe zhvillimit të turizmit ka disa faza, në fazën e parë do ketë angazhim të madh të të punësuarve në vend në sektorin e ndërtimit dhe më pas, efektet e një projekti të këtyre përmasave në shifrat e eksporteve të shërbimeve turistike do jetë shumë i madh. Në një analizë të bërë për ekonominë shqiptare, multiplikatori i parave të shpenzuara nga çdo turist në vend amplifikohet nga 1 lekë i harxhuar në turizëm. Ka 1.8 lekë të gjeneruara ekstra nga sektorë të tjerë që janë të lidhur me shërbimet e tjera të turizmit”, deklaroi Ibrahimaj.

Ministrja sqaroi se bëhet fjalë për një projekt i cili do të sjellë në Shqipëri firma ndërkombëtare të mirënjohura në sektorin e turizmit.

Ajo theksoi se përmes projekteve të tilla, nxitet rritja e investimeve të huaja në Shqipëri. Ibrahimaj shtoi gjithashtu se, plani për investimin në Zvërnec do të vendosë një tjetër standard për ofrimin e shërbimeve të turizmit dhe bizneset ekzistuese.

“Ndikimi do jetë shumë i madh në shifrat e punësimit. Por jo vetëm shifrat ekonomike lidhen drejtpërdrejtë me projektin, por se çfarë ndikimi do ketë në investime të tjera të huaja që mund të tërhiqen në Shqipëri në të ardhmen, nga fluksi i lartë i turistëve, ne kemi pasur rritje të investimeve të huaja direkte. Vit pas viti janë rritur me 10%. Do vendosë tjetër standard për ofrimin e shërbimeve të turizmit dhe për bizneset ekzistuese.

Bëhet fjalë për një projekt që do sjellë disa brande ndërkombëtare shumë të mirënjohura në sektorin e turizmit”, deklaroi Ibrahimaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›