E Diel, 1 Nëntor 2026

Plas kanali i ujërave të zeza, rrezikon 12 familje në Kombinat

Nuk mjaftojnë banesat e amortizuara për 12 familje në rrugën e “Qelqit” në Kombinat, por edhe bllokimi i një kanali të ujrave të zeza rrezikon prej tre muajsh shëndetin e tyre. Ata shprehen të shqetësuar lidhur me këtë situatë. 

TIRANE- 12 familje në rrugën e “Qelqit” në zonën e Kombinatit prej tre muajsh jetojnë mes fekaleve. Para hyrjes së apartamenteve të tyre është bllokuar kanali i ujërave të zeza dhe askush nuk vë dorë për të rregulluar gjendjen. Banorët shprehen se nuk mund të hapin dritaret pasi kundërmon erë e keqe dhe ndjehen të rrezikuar nga infeksionet që mund të shkaktohen.

Ata shprehen se janë ankuar në ndërmarrjen e ujësjellës kanalizimeve, por nuk është marrë asnjë masë për normalizimin e situatës.

Në ditët me shi situata bëhet edhe më e vështirë, pasi bllokohen hyrjet e apartamenteve, ndaj dhe sipas tyre ndërmarrja e ujësjellës kanalizimeve duhet të marrë masa për zhbllokimin e kanalit. Banorët e këtij blloku ndërtesash ndjehen gjithashtu të rrezikuar edhe nga amortizimi i ndërtesave të vjetra që mund të shemben nga një lëëkundje e lehtë termeti. (a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›