OSBE: Me Berishën, me 28 qershor, shqiptarët mbajtën zgjedhjet më të mira

Zv/presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së ka publikuar paraprakisht vlerësimet finale të Evropës për zgjedhjet e 28 qershorit, duke i cilësuar ato, si më të mirat që kanë mbajtur shqiptarët, gjatë gjithë periudhës së pluralizmit
TIRANE – Wolfgang Grossruk, Zëvendëspresidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, vlerësoi dje se “zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit ishin më të mirat të realizuara në Shqipëri”. Vizita dhe deklarata e Grossruk i paraprin raportit përmbledhës të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 28 qershorit në Shqipëri, i cili konsiderohet si shumë i rëndësishëm për integrimin e Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Zyrtari i larët evropian, duke bërë të ditur se zgjedhjet nuk i shpëtuan disa problemeve teknike, duke shprehu edhe kënaqësinë e institucionit që përfaqëson, këmbënguli që ato gjithsesi ishin më të mirat e zhvilluara ndonjë herë në vendin tonë. Ai shtoi se OSBE-ja inkurajon forcat politike që së bashku të punojnë për të ardhmen e vendit. “Jemi të kënaqur nga zgjedhjet pasi ka pasur përmirësime dhe në përgjithësi ne mund të themi se këto janë zgjedhjet më të mira të zhvilluara në vend. Megjithatë, ka ende nevojë për të punuar dhe akoma edhe më tepër për të bërë. Unë ftoj politikën shqiptare që të bashkëpunojë në të mirë të vendit”. Ndërkohë Zëvendëspresidenti i asamblesë së OSBE, Wolfgang Grossruck u shpreh raporti i OSBE-së për zgjedhjet do të dalë në mes ose në fund të shtatorit. “Për sa i përket zgjedhjeve në fund të shtatorit do të publikohet edhe raporti ynë për këtë proces”, u shpreh saktësisht Grossruk. Wolfgang Grossruk, Zëvendëspresidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, i cili zhvilloi një vizitë në Tiranë, u takua dje me drejtuesit e lartë të shtetit shqiptar dhe të politikës në vend, si kryeministrin Berisha, kryeparlamentaren Topalli dhe kryetarin e LSI-së Meta. Zëvendëspresidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, austriaku, Wolfgang Grosruk u caktua nga kryesia e OSBE si koordinator special i ekipit të përkohshëm të vëzhguesve të OSBE në Shqipëri. Kryeministri Sali Berisha priti delegacionin e kryesuar nga Wolfgang Grossruck
“Zgjedhje e 28 qershorit, të parat që eliminuan, fenomenet negative që trashëgoheshin nga zgjedhjet e kaluara” TIRANE – Kryeministri Sali Berisha, bëri të ditur dje se në zgjedhjet e 28 qershorit, u eliminuan përfundimisht, për herë të parë, fenomenet negative që kanë nxirë zgjedhjet e mëparshme. Këtë vlerësim Kryeministri Berisha e bëri gjatë pritjes së një delegacion, të kryesuar nga Zëvendëspresidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Wolfgang Grossruck. Në këtë takim merrte pjesë dhe Kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Robert Bosch. Qëllimi i takimit i shërbente njohjes së anëtarëve të këtij delegacioni, me përshtypjet e Kryeministrit Berisha në lidhje me zgjedhjet e 28 qershorit 2009. Nga ana e tij, Kryeministri Berisha theksoi se, “në këto zgjedhje u eliminuan përfundimisht, për herë të parë, fenomenet negative që kanë nxirë zgjedhjet e mëparshme në vend, fenomeni i ‘Dushkut’, problemet në listat e zgjedhësve dhe identifikimi i tyre, falë edhe kontributit të OSBE-së”. Kryeministri gjithashtu theksoi se dita e votimit dhe procesi i numërimit në 4750 qendra votimi dhe 66 qendra numërimi të votave ishin plotësisht të qeta si dhe se, si kurrë më parë, të gjithë komisionerët, përfshirë edhe ata të opozitës, kanë firmosur procesverbalet dhe tabelat e rezultateve në të gjitha qendrat e votimit, përveç 15 prej tyre, dëshmi kjo e transparencës së procesit dhe e maturisë demokratike të komisionerëve. “Të gjitha forcat politike, vijoi Kryeministri, të cilat kanë pasur çdo lloj dyshimi për procesin e numërimit të votave, kanë pasur mundësinë që të marrin videot me pamjet filmike të numërimit, siç veproi Partia Socialiste, e cila mori videon e Qarkut të Beratit”. Kryeministri theksoi se për shkak të këtyre përmirësimeve, numri i ankesave nga rreth 400 që ishin në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2005, u ul në mënyrë drastike në vetëm 34 ankesa. Kryeministri nënvizoi se për herë të parë në historinë e zgjedhjeve, edhe pas kundërshtive dhe debateve mes anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të propozuar nga forcat politike, KQZ-ja miratoi çdo mandat dhe rezultatin e përgjithshëm me votim unanim 7-0. Kryeministri Berisha e vlerësoi këtë si një arritje shumë të rëndësishme dhe si një dëshmi të shkallës së lartë të përgjegjësisë të komisionerëve të opozitës dhe të mbarë spektrit politik shqiptar. Nga an e tij, Wolfgang Grossruck, Zëvendëspresidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, shprehu kënaqësinë që zgjedhjet ishin të mira dhe pa tensione dhe se u konstatuan vetëm disa problem teknike. Ai u shpreh se raporti i OSBE/ODIHR, i cili do të dalë më vonë, do të përmbajë natyrisht rekomandime për përmirësimin e këtyre problemeve dhe ftoi autoritetet shqiptare t’i merrnin ato në shqyrtim. Kryeministri Berisha shprehu vlerësimet e tij për Misionin e vëzhguesve të OSBE-ODIHR dhe të gjithë ata që dhanë kontributin e tyre në këtë proces dhe u shpreh i gatshëm për përmirësimet e nevojshme të kuadrit ligjor dhe procesit zgjedhor në tërësi. Topalli: “Fushata pozitive elektorale, infrastruktura moderne dhe vullneti maksimal i bënë që këto zgjedhje më të mirat” TIRANE – “Fushata shumë pozitive, infrastruktura moderne zgjedhore e aplikuar për herë të parë, vullneti maksimal në arritjen e standardeve bënë që këto zgjedhje të ishin më të mirat”. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, i shprehu dje këtë vlerësim, Zëvendëspresidentit të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Wolfgang Grossruck, gjatë një takimi që pati me atë,ku ai shoqërohej edhe nga ambasadori i OSBE Robert Bosch, ambasadori i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së Andrea Nothelle dhe kryetarin e delegacionit të OSBE-së në parlamentin zviceran, Christian Niesch. Midis të tjerave, Kryetarja e Kuvendit falënderoi përfaqësuesit e OSBE-së për misionin e tyre vëzhgues duke vlerësuar prezencën dhe punën e tyre gjatë zgjedhjeve në Shqipëri. Si tregues të ecurisë së një procesi normal zgjedhor, Topalli përmendi edhe numrin shumë të pakët të apelimeve, 20 herë më i vogël se në zgjedhjet e kaluara, si dhe vota për herë të parë unanime e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për rezultatin përfundimtar. “Këto janë dëshmi e një procesi shumë të mirë zgjedhor dhe e maturisë së shoqërisë dhe politikës shqiptare”, u shpreh Topalli. Kryetarja e Kuvendit vlerësoi si një hap shumë pozitiv dhe shenjë të përgjegjshmërisë së lartë, faktin që të gjithë komisionerët e majtë e të djathtë firmosën procesverbalet dhe tabelat e rezultateve, pa shënuar asnjë vërejtje. Nga ana e tyre, përfaqësuesit e OSBE-së thanë se në këto zgjedhje pati përmirësime të mëdha dhe ishin më të mira se pritshmëritë. Ata vlerësuan transparencën në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit dhe vullnetin që këto zgjedhje të ishin më të mirat e zhvilluara në Shqipëri. Kreu i LSI-së Ilir Meta takon Wolfgang Grossruk: “E rëndësishme, një reformë e re zgjedhore” TIRANE – Kryetari i LSI, Ilir Meta zhvilloi dje në selinë e LSI, një takim me Zëvendëspresidentin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Wolfgang Grossruk, i shoqëruar edhe nga Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Robert Bosch. “Në takimin e zhvilluar me delegacionin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, kemi shkëmbyer mendime lidhur me zgjedhjet e 28 Qershorit, dhe në këtë drejtim ne kemi theksuar mundësinë e rishikimit të Kodit në disa drejtime, ku u vunë re disa nga mangësitë e këtyre zgjedhjeve, sidomos në drejtim të administrimit dhe në drejtim të formulave të ndryshme për llogaritjen e mandateve të deputetëve. Por njëkohësisht dhe për fat të keq edhe për problemet që u vunë re me mediat gjatë periudhës së zgjedhjeve”, u shpreh Meta në përfundim të këtij takimi. Duke ju bërë thirrje faktorit politik, Meta ripërsëriti domosdoshmërinë e një reforme zgjedhore. “Ne jemi tërësisht të disponueshëm për të zhvilluar në kohën e duhur një Reformë Zgjedhore, që i arrin ato standarde, të cilat rezultuan si të mangëta edhe në këto zgjedhje, për shkak të mungesës së vullnetit politik në momentin e bërjes së kodit. Shpresojmë që të gjithë të reflektojnë dhe që vendi të ketë gjithnjë dhe më shumë zgjedhje me standarde evropiane, të cilat respektojnë dhe vlerësojnë si të barabartë votën e qytetarëve shqiptarëve”, u shpreh më tej Meta.
...