Platforma e-Albania 2.0, rreth 23 mijë shërbime publike online 24-orëshin e parë pas rilançimit

TIRANË, 19 maj/ATSH/ Platforma e re e-Albania 2.0, e cila është ridizenjuar tërësisht për të garantuar akses më të sigurt dhe më të shpejtë për qytetarët dhe bizneset, ka ofruar 22.936 shërbime publike online vetëm gjatë ditës së parë të punës.
Portali i ri regjistroi 9797 aplikime për shërbime publike online, si dhe gjeneroi 13.139 dokumente me vulë elektronike në kohë reale.
Po ashtu 51.584 dokumente të dërguara në “Hapësira ime/ Dokumentet e mia” për qytetarët dhe bizneset, si pjesë e aplikimeve dhe përgjigjeve për shërbimet publike online.
Vetëm në ditën e parë të funksionimit, mbi 200 përdorues të rinj, qytetarë dhe biznese, u regjistruan direkt në portalin e ri.
Platforma e re shënon një një hap të ri drejt një eksperience digjitale më të shpejtë, më moderne dhe më të aksesueshme për të gjithë.
Platforma e re vjen e ridizenjuar mbi një infrastrukturë tërësisht të modernizuar, për të ofruar një eksperiencë më të shpejtë, më të sigurt dhe më intuitive për qytetarët dhe bizneset.
E ndërtuar me teknologji të avancuara dhe standarde moderne të performancës, e-Albania 2.0 garanton më shumë qëndrueshmëri, efikasitet dhe besueshmëri në çdo shërbim online.
Platforma sjell një nivel të ri aksesueshmërie dhe gjithëpërfshirjeje, duke mundësuar përdorim më të lehtë edhe për personat me aftësi të kufizuara, në funksion të një shërbimi publik digjital pa barriera dhe të barabartë për të gjithë.
/m.m/j.p/r.e/