E Diel, 1 Nëntor 2026

Platforma shoviniste serbe dhe qëndrimet jo të njëjta të Evropës

26-12-2012 / Nga Skënder Mulliqi

Të ashtuquajturat ngjarjet katastrofike mbartin ne vete humbjen e shpresës, ngjallin demoralizimin tek njeriu. E kur jemi në një situatë që bën fjalë për kiametin siç thuhet në popull, atëherë ne e mendojmë frikën, se si do të ndodhë kjo punë, si do të na vjen fundi, e të tjera gjendje shpirtërore të cilat zor se mund të shpjegohen… Çdo individ në një situatë të tillë i ka edhe perceptimet dhe bindjet e veta për fundin e botës. Ky 21 dhjetor për shumëkënd në botë ishte një datë që solli përjetime të këqija edhe pse më parë shumë kush nuk ka besuar se do të ndodhë një kataklizmë e tillë, e paralajmëruar nga Majat. Por nejse, edhe kjo kaloi.
Por, problemet e natyrës ekonomike kanë mbetur të njëjta, ndërsa skena politike e Kosovës gjithnjë e më shumë po ngatërrohet. Kur të gjitha republikat e dala nga ish-Jugosllavia po i afrohen disi Evropës, Kosova ka mbetur deri më tash i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor i izoluar. Evropa nuk ka qëndrime të njëjta, kur bëhet fjalë për vendet e Ballkanit Perëndimor, e veçmas Kosovës si vend neuralgjik. Shumëkush mendon se shtetet e Ballkanit ishte dashur të pranohen në strukturat e Evropës natyrisht duke i përmbushur radhazi edhe kriteriumet kryesore, për shkak të kapricit të ndonjë shteti, i cili kur të pranohet e ka të drejtën e vetos. Kjo do t’i stimulonte shtetet në fjalë për reforma të brendshme. E disa rryma brenda BE-së mendojnë se këto shtete do të ishte e udhës të pranohen në paketë, për faktin se me lehtë do t’i zgjidhnin problemet e ndërsjella. Që të dyja këto vendime duken zgjedhje logjike. Por në të njëjtën kohë këto formula kanë të meta, se ato shtet që më parë i afrohen strukturës së BE, ishte dashur të presë derisa të tjerat shtete t’i plotësojnë kushtet. Dihet se ende Sllovenia dhe Kroacia kanë probleme me kufijtë, Maqedonia ka problem me Greqinë e cila e kushtëzon të parën për ndryshim të emrit. Ndërsa Shqipërisë i kanë mbetur edhe pak kushte të plotësohen për të marrë statusin e kandidatit. Dihet se Shqipëria po të mos ishte destruktiviteti i opozitës socialiste nuk do të kishte pritur për më vonë. Kur është në pyetje Kosova, shtetet e BE-së deri me tash nuk u treguan të gatshme që konkretisht ta ndihmojnë vendin tonë, përpos premtimeve të cilat një Zot e di kur do të realizohen. Duket se struktura e BE-së, me skenarë të posaçëm është duke e ndihmuar Serbinë e cila shumë pak i ka përmbushur kushtet për aderim në BE. Serbia pas bisedimeve të ashtuqujtuara teknike përfitoi në marrjen e statusit kandidat. E yshtur nga ky fakt, Serbia e pareformuar e Tomisllav Nikoliqit, doli me platformë te re – të vjetër - që veriu i Kosovës të fiton ndonjë status special dhe disa kërkesa të tjera të papranueshme për Kosovën dhe shqiptarët. Kjo platformë shoviniste erdhi pikërisht pas koncesioneve të shumta që iu bënë këtij shteti në relacion me Kosovën. Deri me tash kjo platformë e Serbisë u kundërshtua nga Amerika por jo aq shumë edhe nga BE-ja. Shumë zyrtarë të lartë të Evropës zaten fort mirë e kanë ditur këtë skenarë të errët serb për ndarje apo federalizim të Kosovës. Edhe herën e parë dhe tash kur po zhvillohen bisedimet e karakterit krejt politik, politika e Kosovës u tregua diletante. As që u kërkua që Serbia ta njohë së pari pavarësinë e Kosovës, e shumë kushte të tjera. Por, natyrisht se me një pozitë e cila është mbytur në afera korruptive dhe me një opozitë të dobët, ateherë nuk është aspak çudi pse i kemi punët keq. Gjithnjë e më shumë po tregohemi te ngathët në politikë. Po tregohemi së jemi lakmitarë të mëdhenj për pushtet. Po tregohemi se interesat personale janë më të rëndësishme se interesat shtetërore dhe kombëtare. Punët nuk kryhen vetëm me deklarata të cilat nuk na hyjnë në funksion ama bash asgjë. Punë e mirëfilltë bëhet kur në çdo kohë gjendesh i përgatitur për çdo sfidë, edhe kjo sfidë me Serbinë. Pikërisht kur do të duhej të mendojmë mirë se si të veprojmë më tutje, ne merremi më shumë me njëri-tjetrin. Nuk është zgjidhje nëse mendojmë që fajin për gjithçka që ndodhë t’ia hedhim vetëm pozitës. Nuk është zgjidhje për Kosovën të presim duke kërkuar ndihmën e miqve tanë në botë, pa pasur ndonjë qendrim tonin. Veriu nuk është problem vetëm i pozitës, por është problem gjithëkombëtar. Vetëm uniteti mund të na sjellë mirëqenie dhe mund ta ruajmë edhe tërësinë territoriale të Kosovës. Nëse dikush i mëshon thumbit e tjetri patkoit, zor e kemi ti kapërcejmë problemet dhe problemin madhor siç është veriu i Mitrovicës. Pas platformës serbe për Kosovën, do të ishte e udhës që të ndërpriten bisedimet pa marrë parasysh trysninë ndërkombëtare. Emërimi i Blerim Shalës si kryenegociator pas platformës fashiste serbe nuk ka mundësi të funksionojnë në dobi të palës sonë. Kjo platformë siq e thotë edhe Daniel Server i ka vështirësuar shumë bisedimet shqiptaro-serbe. Nëse vazhdohen tash bisedimet me Serbinë, do të thotë se pajtohemi me këtë  platformë, e cila e paragjykon fund e krye statusin politik, kur po bëhen gati 100 shtete të cilat e kanë njohur zyrtarizmin e pavarësisë së Kosovës…

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›