Krizë totale e Ramës nga plani urbanistik i Bashës
Edi Rama dështoi për 11 vjet t’i jepte kryeqytetit një perspektivë. Tani ka angazhuar gjithë llurbën e vet pseudointelektuale kundër Planit urbanistik të Lulzim Bashës, i cili mori konsensusin e qytetarëve. Dokumenti e ka futur kreun e PS-së totalisht në krizë, pasi ai nxjerr lakuriq paaftësinë e tij për qeverisje lokale, por edhe pamundësinë që shqiptarët t’i besojnë atij një qeverisje të një niveli më të gjerë
Kriza totale e Ramës ka marrë kuptim në ditën e miratimit të Planit të ri Urbanistik të Tiranës policentrike, Tiranës së gjelbër me shumë parqe e qendra, të cilat ofrojnë një shumëllojshmëri shërbimesh, cilësi jetese me standarde europiane. Plani urbanistik i miratuar në Këshillin Bashkiak të Tiranës me 28 vota pro 11 kundër dhe 1 abstenim nxori në pah një vizion modern të zhvillimit të kryeqytetit të shqiptarëve që sigurisht bie ndesh me vizion kaotik e piktoresk të Edi Ramës, që në sajë të planit të vjetër Urbanistik nguli qindra pallate, shkatërroi hapësira të gjelbra dhe asfiksoi qytetin në çdo lëvizje. Kjo periudhë e errët, plot korrupsion e grabitje të pronës publike ka marrë fund një herë e mirë. Në një kohë rekord, pas një pune 18 mujore, Bashkia Tiranë në bashkëpunim me ekspertë vendas e ndërkombëtarë kanë debatuar në lidhje me zhvillimin modern të kryeqytetit, ku konsultimet me banorët qytetit kanë qenë parësore, të cilët me mendimet e tyre dhanë ide për përmirësimin e hapësirave dhe infrastrukturës së qytetit të tyre. Që këtej e tutje, me miratimin e këtij plani nuk ka më marzhe për të ndryshuar parametrat dhe normat dhe gjithçka rrjedh nga Kushtetuta urbane që është plani urbanistik. Plani në këtë kuptim jo vetëm që nuk nxit, por është vdekja e sigurt e industrisë së sekserëve dhe logjikës së Shkrelave, e cila për fat të keq në këtë qytet lulëzoi me parametra të jashtëzakonshëm, pikërisht për mungesën e transparencës, për mungesën e instrumenteve të tillë që garantojnë transparencën. Lulzim Basha deklaroi në sallën e Këshillit se, plani urbanistik ka si qëllim parësor të udhëheqë zhvillimin territorial vendor mbi bazën e një modeli të ri planifikimi hapësinor, gjithëpërfshirës dhe të integruar, i cili do të garantojë menaxhimin dhe kontrollin mbi territorin, në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm dhe nxitjes së turizmit. Kreu i Bashkisë Tiranë, Basha, hodhi poshtë tymnajën e përhapur në media nga eksponentë të Partisë Socialiste se, rreth Liqenit Artificial dhe poshtë digës së tij do të ketë ndërtime shumëkatëshe, duke theksuar se asnjë centimetër katror nuk do të preket në Parkun e Liqenit dhe në zonën poshtë digës. Kuptohet vetiu akuzat e opozitës së majtë për Planin Urbanistik janë dashakeqe, pasi socialistët me në krye ish-Kryebashkiakun Edi Rama dështoi për 11 vjet t’i jepte kryeqytetit një perspektivë. Dy Artanën e Edi Ramës s’kanë gojë të flasin për urbanistikë pasi janë ata arkitektët kryesorë të babëzisë të betonarmesë pa kriter e pa ide. Reagimi i Këshilltarëve të Ramës për planin e ri Urbanistik është dalja e llurbës pseudointelektuale që për motive të dobëta elektorale shfryjnë frustrimin e paaftësisë së tyre për të ndryshuar realitetit. Plani urbanistik i paraqitur nga Lulzim Basha qytetarëve të Tiranës, i cili mori konsensusin e qytetarëve, afërmendsh nxjerr lakuriq paaftësinë e tyre për qeverisje lokale, por edhe pamundësinë që shqiptarët t’i besojnë Ramës një qeverisje të një niveli më të gjerë. Plani urbanistik i kryeqytetit parashikon shtimin e hapësirave të gjelbra Liqeni artificial i Tiranës nuk do të cenohet nga ndërtimet. Plani urbanistik i kryeqytetit parashikon shtimin e hapësirave të gjelbra, jo reduktimin e tyre. Është kjo përgjigja që kryebashkiaku Basha i ka dhënë pretendimeve të opozitës. “Përmendët çështjen e Parkut të Liqenit. Një nga parimet kryesore të Planit është mos cenimi i hapësirave të gjelbra të mbetura në këtë qytet dhe në këtë kuadër, Parku i Liqenit ruan vijën e përcaktuar nga vendimi i fundit i Këshillit Kombëtar të Rregullimit të Territorit. Synimi ynë, siç e kam shprehur, siç e keni parë ndoshta edhe në buxhetin e këtij viti është që pjesa perëndimore e këtij parku, që sot karakterizohet nga shpate të zhveshura, të pyllëzohet me qëllim që të shtohen 80 për qind pjesët e pyllëzuara të parkut të Liqenit”. Të njëjtën përgjigje kanë marrë dhe deklaratat akuzuese për digën e liqenit, i cili sipas këshilltarëve të majtë, rrezikohet nga projektet shkatërruese. “Folët për Digën. Në planin e detajuar vendor të kësaj zone është përcaktuar si zonë me prioritet zhvillimi në qytetin e Tiranës. Nuk mund dhe nuk do të zhvillohet as hapësira aktuale e pishinave dhe as hapësira aktuale e klubit ‘Dinamo’. Zhvillimi i projektit të mëparshëm parashikonte zhvillim intensiv të zonës poshtë digës, ndërkohë nga parashikimet e këtij plani që natyrisht do të detajohet me PDV, ¾ e kësaj zone do të kalojnë në ruajtje”. Plani urbanistik i Tiranës parashikon që norma e hapësirave të gjelbra të kalojë kuotat 0.8 m2 për banor që jemi sot në 3 m2 për person.
...