Platini kundër moviolës, pro gjyqtarëve
"Nëse do të kishte një arbitër më shumë, do ta kishte parë dorën e Adrianos. Në fushë nuk shërben teknologjia, por më shumë gjyqtarët". E ka thënë dje Mishel Platini, presidenti i UEFA-s, në një audicion të Parlamentit të BE-së. "Unë jam kundër përdorimit të teknologjisë në futboll", ka thënë ai. Në vend të moviolës në fushë, për Platininë do të ishte më mirë të kishte më shumë gjyqtarë: "Dy arbitra më shumë do ta kishin parë dorën e Adrianos. Të shtojmë numrin e gjyqtarëve dhe do të evitojmë 80% të gabimeve të sotme. Futbolli duhet të ndryshojë, por në formë humane dhe jo në atë dixhitale". Gjatë këtij audicioni, presidenti i UEFA-s është shprehur edhe kundër "shfrytëzimit të futbollistëve minorenëve" dhe kërkon të rishikohet limiti i moshës për qarkullimin e lirë të punëtorëve, e cila aktualisht është 16 vjeç. "Të gjithë shokohen kur zbulojnë një fëmijë që punon në fabrikë, por askush nuk reagon, nëse një "baby" futbollist blihet nga një klub i huaj, duke e shkëputur atë nga realiteti i tij për ta xhiruar nëpër botë", tha Platini. Sipas presidentit, bëhet fjalë për "shfrytëzim të vërtetë të punës së minorenëve dhe për trafik të fëmijëve". Prandaj, ka nënvizuar ai, "është e nevojshme të ndalohet transferimi ndërkombëtar i lojtarëve më të vegjël se 18 vjeç". Platini hedh edhe idenë e një "fair play" financiar për të garantuar, mes të tjerash, një ekuilibër kompetitiv në kompeticionet evropiane. Ai ka insistuar te fakti se, futbolli nuk duhet trajtuar si çdo aktivitet ekonomik dhe se duhet të njihet natyra specifike e sportit. Ish-ylli francez ka vënë gishtin te paaftësia e futbollit në nivele të larta e përballuar me shifra të jashtëzakonshme të shpenzimeve, në veçanti në lidhje me rrogat e lojtarëve dhe transferimet në merkato. "Modeli evropian i sportit është i bazuar në kampionatet e hapura, klubet e pavarura, promocionet dhe rënien në kategoritë inferiore, tha ai. Një gjë është e qartë, klubet evropiane po thonë se sistemi ynë po rrezikon të rrëzohet nga kriza financiare. Për momentin po mendojmë të limitizojmë, deri në një farë kufiri, shpenzimet e klubeve për stafet e tyre, rrogat dhe kostot e transferimeve". Po ashtu, presidenti i UEFA-s i ka kërkuar BE-së të mos ndërhyjë në reformën e Champions League.