Plazhi i Durrësit shndërrohet në varreza anijesh në prag të sezonit
Një nga problemet kryesore në këtë prag sezoni turistik në qytetin e Durrësit janë mbeturinat e anijeve tregtare, të cilat janë lënë gërmadha në det. Mesa duket kohët e fundit pak nga pak plazhi i Durrësit po shndërrohet në varreza anijesh. Këto gërmadha
anijesh në shumë raste janë të hershme dhe thjesht janë mbuluar nga rëra apo mbeturinat e shumta. Përshtypja e parë të shkon se në fakt duhen vite që mjeti lundrues viktimë të kthehej në një kërmë metalike duke mbjellë rërën dhe plazhin tonë turistik me shumëllojshmëri coprash hekura e llamarina e duke bërë një katrahure të vërtetë në det e në tokë. Duket sikur mjedisi në plazhin e Durrësit ka marrë fund. Sepse e vërteta është se ka mjaft anije që mezi mbahen mbi ujë. Madje nuk janë të pakta vitet që këto gërmadha qëndrojnë të lidhura larg bregut, pa punë, sepse nuk duan të paguajnë tarifat portuale të ankorimit vetëm për parkim. Por edhe pse ky problem është tejet evident as Ministria orkatëse por as agjenci rajonale, pra struktura te posaçme që kujdesen për të nuk kanë marrë asnjë masë. Madje as policia së bashku me pushtetin lokal nuk janë përpjekur për të ndërrmarrë këtë nismë. Por nuk është për tu habitur, sepse nuk është hera e parë që ndodh kështu. Problemi është i dukshëm në të gjitha qytetet bregdetare shqiptare. Por një tjetër problem që i bashkëngjitet gërmadhave të anijeve fantazmë është edhe ndotja në bregdetin e Durrësit e cila edhe në këtë fillim sezoni është tepër e dukshme dhe paraqet një problem e rrezik për të gjithë pushuesit. Por jo vetëm Durrësi, edhe një sërë plazhesh në të gjitha zonat bregdetare në vend janë tepër problematike pikërisht nga ndotja prej ujërave të zeza.
Ujërat e zeza
Në të gjitha zonat urbane bregdetare ujërat e zeza përfundojnë në det. Sipas specialistëve ndotja kryesore e bregdetit shqiptar shkaktohet nga derdhja e ujërave të zeza në dete. Disa zona në Durrës, Kavaje dhe Plazhi i Vjetër në Vlorë ndoten si pasojë e shkarkimit të këtyre ujërave dhe krijimit të gropave septike. Po ashtu, me ndotje të konsiderueshme janë cilësuar edhe Kampi, Kabinat, Plazhi i Ri dhe ish- vilat e Bllok-Marinës në Vlorë. Përveç këtyre dy kategorive, në vendin tone ka edhe plazhe me ndotje të lehta si plazhi i Velipojës, Shëngjinit dhe Sarandës. Ndotja e ujit paraqet probleme edhe për shëndetin e njerëzve. Sipas mjekëve specialiste, uji i ndotur, përveç problemeve me lëkurën, krijon edhe infeksione të shumta, si për femrat ashtu edhe për meshkujt. Por, në këtë rast, alarmi jepet për fëmijët e grupmoshave të ndryshme, lëkura e të cilëve është delikate dhe e prirur për të thithur bakterie.
20 milionë dollarë fatura e filtrave,
Sipas specialistëve, vendosja e filtrave në tubat e shkarkimit të ujërave të zeza mund të jetë shpëtimi nga ndotësit kryesore. Me këto investime, publikuar për herë të parë sezonin e kaluar qeveria shqiptare zbaton me masa konkrete politikat e saj për mbrojtjen e ujërave bregdetare nga ndotja e shkarkimeve të lëngëta urbane.Plazhi i Durrësit është I prekur nga ndotja e ujërave të zeza mesatarisht, në tri pika, ngarkesa mikrobike e ujit të detit është 1200 MPN, shifër kjo që është gjashtë herë më e lartë se norma e lejuar Currilat është një tjetër zonë veriore e Durrësit ku plazhi është i ndotur nga ujërat e zeza të qytetit. Zona e portit është një tjetër zonë ku gjendet pranë portit te shëtitorja Taulantia . Këtu, përveç ujërave të zeza, derdhen edhe mbeturinat e portit. Ndërsa një tjetër zonë tepër problematike është Përroi i Agait. Zona më e nxehtë e plazhit është pjesa e Shkëmbit të Kavajës deri tek ura që kufizon dy qytetet.
Arta Agolli
Last Updated on E Merkure, 24 Mars 2010 22:06